BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 22 tetor 2007 - 08:24 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Dokument 14 pikësh diskutohet në Vjenë
Takim më i hershëm i Vjenës (arkiv)
Palët janë takuar më parë në Nju Jork e Bruksel me qëndrimet e tyre të kundërta
Prishtina dhe Beogradi do të diskutojnë në Vjenë një dokument 14 pikësh të Treshes ndërmjetësuese ndërkombëtare për statusin e Kosovës.

Dokumenti ka dalë në bazë të pikave ku Prishtina dhe Beogradi kanë pasur një pajtim të heshtur në bisedimet e deritanishme të ndërmjetësuara nga Treshja amerikano-evropiano-ruse.

Aty thuhet se Beogradi nuk mund ta kthejë qeverisjen e tij në Kosovë në asnjë formë dhe se Serbia nuk mund të ketë në Kosovë kurrfarë pranie as ushtarake, as administrative.

Dokumenti nuk paragjykon statusin e ardhshëm të Kosovën dhe u bën thirrje palëve në bisedime që të përmbahen nga çfarëdo kërcënimesh eventuale që mund të destabilizojnë sigurinë në rajon.

Bisedimet e së hënës në Vjenë mbi statusin e Kosovës do të zhvillohen në tri pjesë, fillimisht treshja ndërmjetësuese do të takojë udhëheqësit kosovarë, më pas do të zhvillojë një takim me delegacionin nga Serbia ndërsa në pjesën e tretë do të ketë bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Një anëtar i Ekipit Negociator të Kosovës, Veton Surroi, e ka vlerësuar si të rëndësishëm raundin e sotëm të bisedimeve në Vjenë.

 ajo që del qartë nga përcaktimi i Treshes është që duhet avancuar në konceptin e përmirësimit të marrëdhënieve
Veton Surroi

Para nisjes në Vjenë, zoti Surroi tha se dokumenti i Treshes ndërmjetësuese ndërkombëtare nuk është për marrëveshje, por për diskutim të mëtejshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

"Ky raund i takimit në Vjenë ka rëndësi për faktin se nuk duhet përtypur më rrëfimet e vjetra të Serbisë që kanë të bëjnë me autonomi sepse ajo që del qartë nga përcaktimi i Treshes është që duhet avancuar në konceptin e përmirësimit të marrëdhënieve. Domethënë ç'ka është ajo që mund të bëjnë Kosova dhe Serbia për njëra-tjetrën që të përmirësohen marrëdhëniet, natyrisht brenda konceptit tonë të pavarësisë, brenda konceptit të Serbisë për çfarëdo që të jetë", tha zoti Surroi.

Traktati për Fqinjësi të Mirë

Sipas tij në Vjenë do të ketë një debat interesant dhe pala kosovare do të diskutojë mbi Traktatin e saj për Fqinjësi të Mirë ndërmjet Kosovës e Serbisë.

Ndërkohë Ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Sllobodan Samarxhiç, ka deklaruar se Treshja ndërmjetësuese ndërkombëtare në dokumentin e saj 14 pikësh ka bërë përpjekje të gjejë pikat në të cilat mund të ketë bashkëpunim ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, siç janë energjetika, mbrojtja e trashëgimisë kulturore, lufta kundër krimit të organizuar, çështja e kthimit të personave të zhvendosur dhe zbardhja e fatit të personave të zhdukur nga lufta.

Por ministri Samarxhiç ka thënë se pala serbe nuk do të lejojë që në takimin e Vjenës tema e statusit të Kosovës të zëvendësohet me tema të tjera.

Sipas tij për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës e Serbisë mund të bisedohet vetëm në kuadër të statusit.

Profesori i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Agim Zogaj, tha se dokumenti i Treshes ndërmjetësuese është një përpjekje për të shtyrë përpara drejt gjetjes së një zgjidhje kompromisi ndërmjet dy palëve eventualisht deri më 10 dhjetor apo do të shërbejnë si kornizë për zgjidhjen e statusit pas kësaj date.

"Përmbajtja e 14 pikave do të ketë karakter dykuptimor edhe për Prishtinën, edhe për Beogradin. Në një kuptim për Prishtinën mund të jetë joshëse aty ku thuhet se Serbia nuk mund ta rikthejë më sovranitetin e saj në Kosovë as administrativ, as ushtarak, që si parim është shumë i fuqishëm.

Nga ana tjetër në këto 14 pika mund të ketë diçka joshëse edhe për Beogradin, për faktin se në asnjë paragrap nuk përmendet fjala kryesore për të cilën synojnë populli dhe udhëheqësit e Kosovës, pra çështja e statusit", tha zoti Zogaj.

Ndërkohë analisti serb nga Beogradi, Dejan Anastasijeviç, thotë se pavarësisht dokumentit të treshes ndërmjetësuese ndërkombëtare, nuk mund të ketë asnjë përparim thelbësor në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogadit.

 Në qoftë se Kuvendi i Kosovës e shpall pavarësinë pa marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, atëherë pavarësia nuk do të vlejë asgjë më shumë se sa letra në të cilën është shkruar
Dejan Anastasijeviç

Sipas tij, e ardhmja e Kosovës nuk varet nga shqiptarët dhe serbët, por nga siç i quan ai "njerëzit e mëdhenj në këtë lojë, amerikanët, evropianët dhe rusët".

Zoti Anastasijeviç nuk ka mëdyshje që statusi i Kosovës do të jetë një formë e pavarësisë, por sipas tij është vështirë të thuhet kur dhe si do të ndodhë kjo.

Ai është i bindur se statusi i Kosovës nuk do të zgjidhet këtë vit, por në pjesën e parë të vitit 2008.

I pyetur cfarë pret të ndodhë pas 10 dhjetorit, analisti serb nga Beogradi u përgjigj:

"Ekzistojnë dy skenare të mundshme, njëra është që Uashingtoni do t'i bindë një numër të madh të shteteve të Bashkimit Evropian që ta njohin pavarësinë e Kosovës.

Pastaj njohja e pavarësisë së Kosovës do të ndodhë pavarësisht qëndrimit të Moskës ose Uashingtoni do të përpiqet të merret vesh me Moskën, por kjo është pak e besueshme.

Është e sigurtë që pas 10 dhjetorit nuk do të ndodhë asgjë e vecantë. Bashkësia ndërkombëtare do të kërkojë me siguri nga kosovarët që të kenë edhe pak durim dhe do të përpiqet që në pjesën e parë të vitit të ardhshëm të gjendet një zgjidhje.

Në atë kohë do të mbahen zgjedhjet presidenciale në Rusi, që është një moment i rëndësishëm në këtë tregim për Kosovën.

Në qoftë se Kuvendi i Kosovës e shpall pavarësinë pa marrëveshje me bashkësinë ndërkombëtare, atëherë pavarësia nuk do të vlejë asgjë më shumë se sa letra në të cilën është shkruar", tha analisti nga Beogradi, Dejan Anastasijeviç.

Takimi i Vjenës ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është i treti në kuadër të periudhës shtesë të bisedimeve për statusin me treshen ndërmjetësuese ndërkombëtare.

Para Vjenës, palët janë takuar në Nju Jork dhe në Bruksel ku kanë mbrojtur qëndrimet e tyre të kundërta.

Pala kosovare vazhdon të këmbëngulë që pavarësia është zgjidhja e vetme, ndërsa pala serbe insiston në një autonomi të gjerë për Kosovën në kuadër të Serbisë.

Para takimit në Vjenë, Ekipi Negociator i Kosovës zhvilloi të dielën një drekë pune me ministrin e Jashtëm të Francës, Bernard Kouchner.

Ky i fundit u ka bërë thirrje udhëheqësve shqiptarë që të angazhohen në frymë kompromisi në bisedimet e Vjenës me palën serbe.

Shefi i diplomacisë franceze tha se disa vende brenda Bashkimit Evropian që nuk përbëjnë shumicën, janë kundër shpalljes së njëanshme të pavarësisë.

Nga ana tjetër, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha pas takimit me zotin Kouchner se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës duhet të përfundojë më 10 dhjetor dhe përjashtoi mundësinë e shtyrjes së këtij procesi.

Ndërkaq zëvendësministri i jashtëm i Rusisë, Vladimir Titov, ka deklaruar në Beograd se bisedimet për statusin e Kosovës nuk duhet të kеnë afat.

Pas takimeve me udhëheqësit serbë, diplomati rus tha se mendimi i Moskës është se nuk duhet të vendosen afate artificale në proçesin negociator.

Sipas tij bisedimet për statusin e Kosovës duhet të vazhdojnë edhe pas 10 dhjetorit dhe zgjidhja duhet të bëhet përmes Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Takimi i Brukselit pa rezultat
15 tetor 2007 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>