BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 07 shtator 2007 - 07:42 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Prishtina përgatitet për takimin e Londrës
Treshja ndërmjetsuese ndërkombëtare
Ekipi Negociator takohet me treshen ndërmjetsuese në Londër.
Ekipi Negociator i Kosovës thotë se do të marrë pjesë në përbërje të plotë në takimin me Treshen ndërmjetësuese ndërkombëtare më 19 shtator në Londër.

Zëdhënësi i Ekipit Negociator, Skender Hyseni tha se Prishtina zyrtare do të mblidhet të martën për të hartuar një platformë lidhur me marrëdhëniet fqinjësore të Kosovën me Serbinë.

Takimi i Ekipit Negociator të Kosovës mbahet një ditë pasi Prishtina zyrtare mori ftesën për t'u takuar me treshen ndërmjetësuese ndërkombëtare më 19 shtator në Londër.

Ftesën për takimin e Londrës ia dorëzoi presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, shefi i zyrës ruse në Prishtinë, Andrei Dronov.

Ndërkohë Beogradi zyrtar pritet të caktojë përbërjen e delegacionit për takimin me Treshen i cili do të mbahet një ditë para takimit të ndërmjetsuesve ndërkombëtare me palën shqiptare.

Treshja SHBA-BE-Rusi pritet të takohet në kryeqytetin britanik edhe me delegacionin serb.

Bisedimet e Treshes negociatore në Londër me palën shqiptare dhe atë serbe i paraprijnë takimit të drejtpërdrejtë të Prishtinës dhe Beogradit që pritet të mbahet në fund të muajit shtator në Nju Jork, në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Të dyja palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime të kundërta për statusin e Kosovës, duke mos dhënë shenja për arritjen e mundshme të ndonjë kompromisi.

Bisedimet e reja për statusin e Kosovës që po mbahen me ndërmjetësimin amerikan, evropian dhe rus pritet të përfundojnë më 10 dhjetor.

Bashkësia ndërkombëtare

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Reucker ka shfaqur shpresën se zgjidhja për statusin e Kosovës do të gjendet deri në këtë datë.

Ai tha se deri atëherë duhet të ketë një perspektivë të qartë për të ardhmen e vendit.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm Britanik, David Miliband dhe homologu i tij francez, Bernard Kouchner kanë thënë se arritja e një marrëveshjeje të sigurtë për statusin e Kosovës do të jetë testi kryesor i politikës së jashtme dhe të sigurisë për Bashkimin Evropian.

Në një artikull të botuar në gazetën franceze "Le Monde", zoti Miliband dhe zoti Kouchner thonë se, pavarësisht dallimeve, Bashkimi Evropian duhet të tregojë se është i gatshëm të qëndrojë së bashku për të siguruar një stabilitet në Kosovë.

LOKALE
Takimi i ardhshëm me Treshen
06 shtator 2007 | Rajoni
Protestë paqësore kundër krimit
04 shtator 2007 | Faqja Kryesore
Rusia përsërit kundërshtimin ndaj Kosovës
03 shtator 2007 | Faqja Kryesore
Ischinger në Beograd
03 shtator 2007 | Rajoni
Tirana zyrtare rreth Kosovës
31 gusht 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>