BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 30 gusht 2007 - 15:08 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
"Takimi Prishtinë-Beograd në shtator në Nju Jork"
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku
Çeku: "Kjo periudhë 120 ditëshe duhet të jetë fazë përfundimtare"
Kryeministri i Kosovës Agim Çeku, menjëherë pas mbarimit të takimit me Troikën ndërkombëtare, në një intervistë ekskluzive për BBC në shqip, ka deklaruar se në Vjenë nuk është hapur çështja e statusit.

Ai ka thënë se Troika ka nxjerrë disa obligime për palën e Prishtinës dhe ka caktuar agjendën e takimeve të rradhës.

Takimi i drejpërdrejtë i nivelit më të lartë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, ka thënë kryeministri Çeku, do të mbahet në Nju Jork më 25 ose 26 shtator.

Me kryeministrin Çeku bisedoi korrespondenti ynë në Prishtinë, Muharrem Nitaj dhe fillimisht e pyeti si përfundoi takimi i sotëm në Vjenë?

Kryeministri Çeku: Takimi përfundoi ashtu siç ishte pritur, pa një vendim konkret por ne i bëmë shumë më të qarta qëndrimet tona, por edhe e kemi më të qartë pak qëndrimin që do ta ketë Treshja ndërkombëtare. Natyrisht ky ishte një takim pune, pa prezencën e medias, thjesht një takim që unë e vlerësoj si të suksesshëm.

BBC: A është hapur absolutisht çështja e statusit të Kosovës, meqenëse Beogradi ishte deklaruar i kënaqur pikërisht për këtë çështje?

Kryeministri Çeku: Jo. Mu për këtë e vlerësoj të suksesshëm këtë takim. Sepse për asnjë çast asnjëri nga Treshja ndërkombëtare nuk e ka hapur çështjen e statusit. Kjo do të thotë se ata e kanë kuptuar shumë mirë pozicionin tonë dhe kanë dëshmuar se i respektojnë të arriturat e deritashme në këtë proces çka ne edhe kemi kërkuar.

BBC: Takimi ka nisur fillimisht me ju, ndërkaq më vonë me delegacionin serb. A do të thotë kjo që ju absolutisht nuk e dini përmbajtjen e takimit që do të zhvillohet me serbët?

Kryeministri Çeku: Ne nuk e dimë këtë, por me siguri se do të informohemi nga Treshja ndërkombëtare për qëndrimin serb, ofertën e tyre, apo çfarëdo tjetër.

BBC: Kryeministër Çeku, më thoni çfarë në fakt keni diskutuar saktësisht në takimin e sotëm?

Kryeministri Çeku: Fillimisht ne e paraqitëm pozicionin tonë në pika të shkurtëra, i cili ishte unik. Ky pozicion yni në pika të shkurtëra ishte me sa vijon: që kjo periudhë 120 ditëshe është vazhdim i procesit dhe nuk është proces i ri, dhe medoemos duhet të jetë fazë përfundimtare e procesit. Procesi duhet të përfundojë më 10 dhjetor dhe pas kësaj dite duhet të vijë deri te njohja e pavarësisë së Kosovës.

 Procesi duhet të përfundojë më 10 dhjetor dhe pas kësaj dite duhet të vijë deri te njohja e pavarësisë së Kosovës
Agim Çeku, kryeministër i Kosovës

E dyta edhe një herë konfirmuam se gjatë këtij procesi, procesit të udhëhequr nga Ahtisaari, me pjesëmarrjen e shumë organizatave dhe faktorëve ndërkombëtar, janë arritur disa vendime, apo janë vendosur disa parime; që statusi për Kosovën të jetë pavarësia, e mbikqyrur kuptohet, mbi bazën e presidentit Ahtisaari; që ndarja është e papranueshme dhe që ato mekanizma, forma apo struktura që i kemi vendosur për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të minoriteteve dhe të të drejtave të tyre, të jenë të pandryshueshme, nga ajo që ka paraparë Ahtisaari.

Mbështetja e gjerë që i është dhënë këtyre parimeve, të cilat tashmë janë të vendosura, është një e arritur e madhe dhe në asnjë mënyrë nuk duhet që sërish t’i kthehemi këtyre çështjeve.

Ne kemi thënë se, në këtë kohë që ka mbetur, dëshirojmë të jemi pozitivë, duam që të jemi seriozë dhe duam që këtë kohë që ka mbetur, ta shfrytëzojmë për të arritur progres aty ku është e mundur dhe ofrojmë gatishmërinë tonë që të fillojmë ndërtimin e raporteve fqinjësore me Serbinë.

BBC: E keni hapur çështjen e implementimit të pakos së presidentit Ahtisaari, për këto 120 ditë?

Kryeministri Çeku: Kemi thënë se ne jemi duke u përgatitur për të implementuar pakon. Duke e shndërruar atë në ligje, në norma dhe në veprime konkrete dhe do ta implementojmë ashtu siç është zotuar parlamenti, menjëherë pas njohjes së pavarësisë së Kosovës. Kështu që për ne kjo është punë e kryer dhe ne jemi të vendosur në këtë drejtim.

BBC: Takimi ka qenë i zhvilluar në formë dialogu, apo thjeshtë ju keni raportuar dhe Troika ndërkombëtare vetëm ka dëgjuar?

Kryeminsitri Çeku: Ata fillimisht kanë kërkuar që ne ta paraqesim pozicionin tonë, mandej ata kanë pasur disa pyetje dhe sugjerime, ne jemi përgjigjur…thjeshtë ka qenë dialog. Por më duhet të them se takimi ka pasur disa përfundime.

BBC: Kryeministër, na i thoni ju lutem se cilat ishin përfundimet e Trojkës?

Kryeministri Çeku: Është përcaktuar agjenda e disa takimeve. Takimi i radhës do të jetë në Nju Jork më 25 ose 26 shtator, gjatë mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Aty do të ndodhë takimi i drejtpërdrejtë me palën serbe.

Është e mundur që para datës 25 shtator ta kemi edhe një takim me Treshën ndërkombëtare. Ne jemi treguar të hapur dhe kemi thënë se gjatë kësaj periudhe, kudo dhe kurdo qoftë do të takohemi, në mënyrë që sa më shpejt ta përmbyllim këtë periudhë.

Por konkluzionet janë që pala kosovare në këtë proces nuk do të kërkojë pavarësi. Pavarësia është pozicion dhe pikënisje e Kosovës në këtë proces shtesë dhe ajo ofron gatishmëri për ndërtimin e marrëdhënjeve fqinjësore me Serbinë. Tjetër, duhet ta bëjmë një agjendë të hollësishme të çështjeve teknike për të cilat duhet biseduar, siç janë çështjet ekonomike, kthimi, sukcesioni, siguria, liria e lëvizjes e të tjerë. Dy çështje që janë me rëndësi e të cilave duhet t’u kushtohet vëmendje janë çështja e personave të zhdukur dhe çështja e kthimit.

Ne parashohim që Kosova të përgatisë krijimin e disa mekanizmave të cilët do të punojnë për vendosjen e marrëdhënjeve fqinjësore me Serbinë. Ne jemi të vendosur që e ardhmja jonë të jetë brenda Bashkimit Evropian dhe Natos dhe në këtë drejtim duhet të bashkëpunojmë me fqinjët tanë. Këto ishin përfundimet që i nxori Treshja nga paraqitja jonë.

BBC: A është sqaruar sado pak nëse vendimi përfundimtar për statusin e Kosovës do të kalojë sërish në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, apo akoma nuk dihet gjë?

Kryeministri Çeku: Akoma nuk dihet gjë. Ne do të donim që të ndodhë një gjë e tillë, por ishim të decizivë, që kjo të mos provohet më shumë se një herë. Nëse ka shenja të përdorimit të vetos, apo të mosgatishmërisë, duhet të lëvizim dhe ne e treguam gatishmërinë tonë se jemi të gatshëm që ta marrim hapin e duhur, që ta marrim përgjegjësinë dhe ta shpallim pavarësinë dhe kërkojmë njohjen e saj. Kështu që disa herë e kemi prësëritur, çdo njëri prej nesh madje, se ky proces duhet të përfundojë menjëherë pas 120 ditëve apo mbrenda këtij viti.

BBC: Prishtina në takimin e sotëm është paraqitur në nivelin më të lartë ndërkaq Beogradi në një nivel më të ulët. Cili është komenti juaj për këtë?

Kryeministri Çeku: Ajo është problem i tyre. Ne jemi ftuar nga Treshja ndërkombëtare dhe për ne statusi është çështje shumë serioze dhe nuk ka çështje tjetër më me rendësi. Ne kemi dashur të dëshmojmë seriozitet dhe se çfarë domethënjeje ka kjo për ne, dhe kjo është arsyeja pse kemi ardhur në këtë përbërje dhe në këtë nivel.

BBC: Kryeministër thatë se do të takoheni drejtpërsëdrejti me delegacionin e Serbisë. Më thoni nëse dihet niveli i këtij takimi?

Kryeministri Çeku: Unë mendoj se do të jetë takim i nivelit më të lartë sepse është edhe Asmbleja e përgjithëshme ku marrin pjesë presidentët e vendeve anëtare të OKB-së. Unë them se edhe pala serbe do të jetë e përfaqësuar në nivelin më të lartë, por Prishtina nuk ka komplekse. Përfaqësimi i tyre është problem i tyre. Ne e dijmë se çka duam, e dijmë se ku po shkojmë dhe duam që këtë çështje ta marrim shumë seriozisht, sepse në fakt kjo çështje edhe është e tillë.

LOKALE
Ministri Kuçi flet për BBC
28 gusht 2007 | Faqja Kryesore
"Propozimi im-kompromisi më i mundshëm"
28 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Hysa: Paqartësi për negociatat
24 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Ischinger takon zyrtarët e Prishtinës
24 gusht 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>