|
Hysa: Paqartësi për negociatat | |||||||||||||||||||||||
Ndërsa kanë mbetur më pak se një javë para rifillimit të bisedimeve, njëri nga negociatorët kosovarë, Ylber Hysa, nënkryetar i Partisë Ora, i ka thënë BBC-së se ende ka shumë paqartësi lidhur me raundin e ri të negociatave 120 ditëshe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Zoti Hysa tha se treshja ndërkombëtare nuk i ka sqaruar palës kosovare se çka do të ndodhë pas përfundimit të këtyre bisedime dhe nëse pakoja Ahtisari është ende e vlefshme për palën ndërmjetësuese. Zoti Hysa, i cili ka marrë pjesë në bisedimet e deritanishme me palën serbe për statusin e Kosovës, thotë se Prishtina është pajtuar me bashkësinë ndërkombëtare që Kosovës t'i jipet pavarësi nën mbikqyrje ndërkombëtare dhe nuk është e gatshme për kompromise të mëtejshme. Korrespondetja e BBC-së në Prishtinë, Violeta Hyseni bisedoi me zotin Hysa. BBC: Ç'rezultat mund të kenë negociatat nëse Prishtina dhe Beogradi shkojnë për bisedime në Vjenë me oferta të vjetra? Zoti Hysa: Duhet thënë qartazi se Prishtina shkon jo me qëndrimin e vjetër të saj, sepse qëndrimi për pavarësinë e kushtëzuar është i përkrahur nga sponzorët e këtij procesi minus Rusisë. Pra rekomandimet e zotit Ahtisari, të deleguarit të zotit Ban Ki Moon, tashmë janë përkrahur nga Uashingtoni dhe një pjesë e shteteve të Quintit, që bëjnë pjesë në këtë proces dhe nëse tashmë ata janë deklaruar publikisht për një opsion të tillë, kemi të bëjmë me një zgjidhje që është përshëndetur dhe mbështetur nga Uashingtoni dhe Brukseli. Ne shkojmë në këtë takim me një qëndrim, i cili është edhe i tyre. BBC: Zoti Hysa, pra ju do merrni me vete pakon Ahtisari kur të shkoni në Vjenë? Zoti Hysa: Jo, sepse besojmë se ajo tashmë është në valixhen e secilit nga këta diplomatë, është shumë e njohur, është publike, nuk kemi nevojë ta marrim me vete, por t'i përkujtojmë të gjithë të tjerët se në këtë proces ne nuk kemi hyrë vetëm, kemi qenë pjesë e një partneriteti dhe në këtë aspekt, pakoja e Ahtisarit për ne ka qenë një kompromis, por tashmë është një sugjerim i partnerëve në këtë proces. BBC: Zoti Hysa, po qe se në tavolinë do të hidhet ndonjë opsion tjetër, siç është ai i ndarjes së Kosovës, për të cilën është përfolur shumë ditëve të fundit, cili do të jetë reagimi i palës kosovare, do të ngriteni nga tavolina e bisedimeve? Zoti Hysa: Unë besoj se tashmë është publik fakti që ky proces ka filluar me tri principet e deklaratës së Uashingtonit, të Grupit të Kontaktit, përfshirë edhe Rusinë, sipas të cilës nuk ka kthim në të kaluarën, nuk ka ndarje dhe nuk ka bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër. Ne besojmë që këto rregulla duhen respektuar në tërësi sepse prishja e një principi, do të prishte tërësinë e këtyre principeve dhe këto principe nuk mund të prishen vetvetiu njëanshëm. Nëse nga ne kërkohet të mos veprojmë njëanshëm, kjo vlen pikërisht për ata të cilët e kanë nisur këtë proces dhe këto tri principe do të duhej të ishin të barasvlefshme dhe të respektueshme nga vetë ata, të cilët i kanë krijuar. BBC: Është thënë që takimi i parë do të mbahet ndaraz, Prishtina do të takohet ndarazi me treshen ndërmjetësuese ndërkombëtare, e poashtu edhe Beogradi. Përse këto takime të ndara, nëse bisedimet janë thirrur ndërmjet të dyja palëve? Zoti Hysa: Vërtetë pse. Këtë pyetje duhet t'ia shtrojmë Trojkës. Para se gjithash ne duhet t'i shtrojmë edhe disa pyetje të tjera për Trojkën, nëse pakoja e Ahtisarit vlen ende për ta, çka do të ndodhë pas 120 ditëve, sidomos për faktin se ne nuk e kemi kërkuar vazhdimin e këtyre bisedimeve, është Trojka ajo e cila ka kërkuar dhe do të ishte mirë që ajo të shpjegonte. Sa na përket neve do të mbesim me zhig që nuk do të bashkëbisedojmë me palën serbe këtë herë në Vjenë. BBC: Dhe a e dini formatin e bisedimeve, cila do të jetë agjenda? Ka pasur spekulime në media se mund të organizohet një konferencë e tipit të Rambujesë? Zoti Hysa: Hajde të jem cinik dhe të them se nuk e kam të qartë nëse Trojka e ka të qartë. Deri më tash ata nuk e kanë bërë të qartë, duket që kanë dashur të blejnë kohë. Ky proces është bllokuar kryesisht sepse e ka bllokuar diplomacia ruse me shkathtësi, duke e shmangur Nju Jorkun dhe ajo që po vazhdon është më shumë një përpjekje për të manovruar dhe për të parë se si mund të gjindet ndonjë zgjidhje. Ne nuk e kemi të qartë pse është kështu. BBC: Zoti Hysa, ju thoni se nuk e dini çfarë do të ndodhë pas 120 ditësh, se këtë nuk ua kanë thënë ende përfaqësuesit e Trojkës. Por ju si palë kosovarë, çfarë mendoni të bëni pas 120 ditë bisedimesh, pasi negociatat të përfundojnë? Zoti Hysa: Nuk besoj që unë mund të flas tani në emër të palës kosovare, sepse përkundër përpjekjeve të disa nga ne, nuk duket që ende kemi një lloj strategjie të dakorduar. Ka mendime që 120 ditëshi është fundi i kësaj përpjekje dhe ne duhet të dakordohemi për një lloj strategjie tjetër, e cila do të mund të ishte shpallja e pavarësisë. Normalisht ka edhe mendime tjera, sipas të cilave duhet pritur ende dhe dakorduar qëndrimet sidomos me sponzorët e këtij procesi në Uashington dhe në një pjesë të bashkësisë evropiane. Sidoqoftë është pikërisht tani koha të mendojmë për këtë strategji, sepse nuk ka kuptim të vazhdohet me 120 ditë, pastaj me 120 ditë dhe ku ta dimë me sa 120 ditë tjera. BBC: Ju çfarë mendoni zoti Hysa, si do ta gjejë Viti i Ri Kosovën, me pavarësi apo me status të pazgjidhur? Zoti Hysa: Tash flas në emrin tim, prej fillimit kam qenë shumë skeptik që gjërat mund të përfundojnë vetëm duke u mbështetur në besë, në mbështetjë të aleatëve të këtij procesi. Konsideroj se do të jetë shumë e vështirë që ta përmbyllim këtë vit me status nëse nuk kemi strategji të brendshme dhe nëse nuk do të ndodhë kështu këtë vit, me siguri në vitin tjetër nuk do të jetë më lehtë. BBC: Dhe ju akoma nuk e keni këtë strategji apo jo? | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza Aktivitet i shtuar diplomatik në Prishtinë23 gusht 2007 | Rajoni Ischinger në takime në Kosovë22 gusht 2007 | Faqja Kryesore GNK paralajmëron BE-në për Kosovën 22 gusht 2007 | Rajoni Limaj paralajmëron konflikt nëse nuk zgjidhet statusi22 gusht 2007 | Rajoni Surroi flet për zgjidhje pas statusit20 gusht 2007 | Rajoni Policia në kërkim të ish-të burgosurve20 gusht 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||