BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 22 gusht 2007 - 13:52 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Limaj paralajmëron konflikt nëse nuk zgjidhet statusi
Fatmir Limaj
Zoti Limaj thotë se treshja ndërkombëtare e ka dëgjuar mendimin e Kosovës.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj, thotë se do të jetë shumë e vështirë për kosovarët që të vazhdojnë të jetojnë të qetë nëse statusi i Kosovës nuk zgjidhet shpejt.

Zoti Limaj i bëri këto komente në një intervistë për BBC-në, pasi Grupi Ndërkombëtar i Krizave, GNK, paralajmëroi Bashkimin Evropian se do të përballet me një konflikt të përgjakshëm nëse Kosova nuk bëhet e pavarur deri në prill të vitit 2008.

Zoti Limaj thotë se raporti nuk duhet shikuar si shantazh drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e statusit të Kosovës por si thirrje për BE-në që ta zgjidhë krizën e fundit në Ballkan në funksion të stabilitetit rajonal.

Korrespondentja e BBC-së, Violeta Hyseni, bisedoi me zotin Limaj dhe fillimisht i kërkoi të komentonte raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Fatmir Limaj: Unë e kuptoj këtë thirrje të Grupit Ndërkombëtar të Krizave si kthim i vëmendjes së Bashkimit Evropian për ta përmbyllur edhe çështjen e fundit në Ballkan. Mendoj që është kërkesë jo vetëm e Kosovës, por është nevojë dhe dëshirë e popujve të rajonit që përfundimisht me Kosovën të përmbyllet kriza që ka qenë në rajon.

Tash edhe rajoni është duke e parë që është në interes të Ballkanit që në lajmet e para në Evropë të mos jenë çështje krizash, por çështje të perspektivave të ndryshme ekonomike, domethënë rajoni të futet në një rrugë normale të zhvillimit dhe të integrimit evropian.

Duke u nisur nga kjo, mendoj që edhe Unioni Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar dhe ne të gjithë e kemi një përgjegjësi të përbashkët që çështjen e përmbylljes së statusit final të Kosovës ta përshpejtojmë dhe sa më shpejt kjo çështje të përfundojë, të dalë nga agjenda kryesore.

Mendoj që zgjidhja ose përmbyllja e statusit të Kosovës është e qartë se nuk mund të shtyhet në pafundësi dhe ne presim që kjo çështje të mbyllet sa më shpejtë, pas këtij 120 ditëshi.

BBC: Zoti Limaj, sa reale janë shqetësimet për shpërthimin e një konflikti të ri të mundshëm në Kosovë në qoftë se do të ketë zvarritje të mëtejshme të procesit të statusit?

 ...komuniteti ndërkombëtar e di që jo 120 ditë, por edhe 120 vjet Kosova dhe Serbia nuk mund të ndërtojnë një marrëveshje për statusin, siç pretendon treshja
Fatmir Limaj

Fatmir Limaj: Mendoj që gjërat duhet t'i shikojmë më ndryshe, nuk duhet të shkojmë vetëm te shpërthimi i konfliktit. Sot në Kosovë është gjendja e rëndë. Qytetari i Kosovës për tetë-nëntë vitet e fundit sfidohet në të gjitha drejtimet, ka një jetë jashtëzakonisht të rëndë dhe një mungesë të perspektivës.

Një vend me dy milion banorë që ka statusin e padefinuar, që nënkupton se edhe për vetë qytetarët se janë të padefinuar, nuk dihet cila është perspektiva dhe e ardhmja e tyre, vetvetiu tregon sa e vështirë është të jetohet në këto rrethana, siç ka jetuar deri tani populli i Kosovës.

Kjo lë të kuptohet se është shumë e vështirë të vazhdohet të jetohet në këtë mënyrë. Domethënë nuk duhet të shikohet si çështje e shantazhit, si çështje të konfliktit, por duhet ta shikojmë nga interesi praktik, sepse vjen një moment që është domosdoshmëri për ta zgjidhur këtë status dhe unë shpresoj se komuniteti ndërkombëtar e ka kuptuar këtë gjë dhe po punon pikërisht në këtë drejtim dhe po e sheh kështu.

BBC: Raporti i fundit i Grupit Ndërkombëtar të Krizave thotë se nuk pret ndonjë rezultat nga raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që pritet të fillojnë brenda pak ditësh. Si njëri nga anëtarët e delegacionit të Kosovës në bisedimet e deritanishme me palën serbe, a prisni rezultate nga këto bisedime?

Fatmir Limaj: Mendoj që varet se cila është agjenda e bisedimeve. Kosova një herë ka biseduar me Serbinë, mendoj që temat kryesore janë shterrur dhe si rezultat i atyre temave ka dalë plani i Ahtisaarit.

Në qoftë se i kthehemi temave që është biseduar, është diçka që për neve është e pakuptimtë dhe s'kemi pse t'i kthehemi një çështje që është e përfunduar, por mendoj se me Beogradin kemi gjithmonë çka të bisedojmë.

Mund të bisedojmë për komisione të përbashkëta si dy shtete, mund të bisedojmë për çështjen e vijave kufitare, shkëmbimit të mallrave dhe njerëzve, bashkëpunimit pyjor, bashkëpunim me ujëra, menaxhimin e energjetikës etj.

Këto janë krejt çështje praktike për të cilat duhet të bisedohet me Beogradin dhe unë kisha thënë që këto 120 ditë duhet të shfrytëzohen në këtë drejtim, sepse për çështje të statusit apo çështje të mëdha politike, mendoj se Kosova i ka përmbyllur bisedimet me Serbinë dhe nuk ka çka të bisedojë më.

BBC:Por bisedimet janë thirrur për statusin dhe treshja ndërmjetësuese ndërkombëtare thotë se do të presë të dëgjojë nga të dyja palët ofertat e tyre për statusin?

Fatmir Limaj: Treshja ndërkombëtare e ka dëgjuar mendimin e Kosovës. Bile Kosova është pajtuar me ofertën e komunitetit ndërkombëtar.

Është arritur një kompromis që është dokumenti i Ahtisaarit dhe mendoj që ana e palës kosovare, komuniteti ndërkombëtar e ka ofertën në tavolinë, të diskutuar më tepër se një vit e gjysmë. Nuk ka çka më tepër t'i shtohet asaj.

BBC: Domethënë ju do të shkoni në Vjenë për takim me treshen ndërkombëtare, me ofertën e vjetër se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme?

 Besoj që Serbia duhet ta ketë të qartë se Kosova nuk ka më kthim mbrapa
Fatmir Limaj

Fatmir Limaj: Mendoj që ne duhet t'i hapim letrat tjera në këto bisedime. T'i shfrytëzojmë këto 120 ditë bisedime jo shkarazi, por të bisedojmë për çështje praktike, të fillohet të ndërtohen disa komunikime të bashkëpunimit të mes të dy vendeve.

Besoj që Serbia duhet ta ketë të qartë se Kosova nuk ka më kthim mbrapa dhe tash është mirë që të mos humbim kohë dhe të fillojmë disa tema që edhe ashtu janë të hapura për të biseduar në marrëdhëniet mes dy vendeve.

BBC: Dhe së fundi, zoti Limaj çfarë prisni të ndodhë pas 10 dhjetorit kur treshja ndërmjetësuese ndërkombëtare t'i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mon, mbi rezultatin e bisedimeve Prishtinë-Beograd?

Fatmir Limaj: Nuk kisha dashur të spekuloj çka do të ndodhë, por mendoj se Kosova në këto 120 ditë bisedime është futur pa dëshirën e saj. Kosova nuk e ka pa të nevojshme që të ketë edhe një process 120 ditësh të bisedimeve. Këtë e ka kërkuar komuniteti ndërkombëtar dhe ne kemi qenë të gatshëm që të vazhdojmë të jemi konstruktiv.

Ne këto ditë i shohim më tepër për t'i dhënë hapësirë të gjitha atyre vendeve të cilat ende kanë dilema për ta pranuar Kosovën si shtet.

Mendoj që këto 120 ditë më tepër se që duhet të punohet me Kosovën dhe Serbinë. Unë shpresoj se komuniteti ndërkombëtar do të punojë brenda për brenda vetes, që ta ndërtojë konsensusin për ta njohur shtetin e Kosovës, sepse ashtu siç jemi të bindur ne në Kosovë, jam shumë i sigurtë që edhe komuniteti ndërkombëtar e di që jo 120 ditë, por edhe 120 vjet Kosova dhe Serbia nuk mund të ndërtojnë një marrëveshje për statusin, siç pretendon treshja.

LOKALE
Shqipëria kundërshton ndarje të Kosovës
21 gusht 2007 | Faqja Kryesore
UNMIK-u merr rekomandimet për zgjedhjet
16 gusht 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>