Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme Lulzim Basha, në një intervistë ekskluzive për BBC-në, ka deklaruar se për qeverinë shqiptare dhe diplomacinë e saj, Kosova dhe statusi i saj janë çështja më e rendësishme për shqiptarët në rajon dhe si një çështje me specifikë të vaçantë për interesin kombëtar të Shqipërisë si vend. Ai ka thenë gjithashtu se Shqipëria do të jetë gjithmonë siç ka qenë deri tani, "shumë aktivë, shumë të angazhuar dhe do t'i paraprijmë e jo t'i ndjekim zhvillimet në rrafshin ndërkombëtar", brenda mundësive që ka Shqipëria, duke pasur gjithmonë në qendër të vëmendjes objektivin kryesor, që është pavarësia e Kosovës. Korrespondenti i BBC-së në Prishtinë Muharrem Nitaj bisedoi me ministrin Basha. BBC: A do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimin e Shqipërisë për statusin e Kosovës pas fazes së re të bisedimeve? Zoti Basha: Diplomacia shqiptare është konsekuente në qëndrimin e saj, shteti shqiptar është i qartë dhe rigoroz në qëndrimin e tij sa i përket statusit të Kosovës. Paketa Ahtisaari, që përbën konsensusin më të madh ndërkombëtar dhe kompromisin më të madh të mundëshëm dhe të arritshëm, është dhe mbetet baza e çdo bisedimi të mundshëm në opinionin e diplomacisë shqiptare dhe përfaqësuesve të shtetit shqiptar. BBC: Minister Basha, keni pasur disa vërejtje së voni edhe nga ish-kolegu i juaj, ish-ministri i diplomacisë shqiptare Besnik Mustafaj dhe nga opozita se diplomacia shqiptare nuk është duke ushtruar një diplomaci aktive? Zoti Basha: Në fakt thelbi i deklaratës së zotit Mustafaj është pak ndryshe. Kishte të bënte më nivelin e reagimit në javen e kaluar, nivel i cili u përfaqësua nga Kryeministri shqiptar dhe unë mund të them se niveli i reagimit ishte nivel i duhur, pasi erdhi pas reagimit të presidentit të Kosovës dhe kuptohet në nivele të tilla reagimi në nivelin e Kryeministrit e jo të ministrit të jashtëm, është mbase më i arsyeshëm. Me sa kuptoj ky është edhe thelbi i deklaratës së zotit Mustafaj.
 |  Kosova i ka kufijtë e saj dhe me këta kufij duhet dhe do të bëhët pjesë e komunitetit ndërkombëtar të kombeve sovrane.  Ministri i jashtëm shqiptar Lulzim Basha |
BBC: Çfarë mund të bëjë në fakt Ministria e Punëve të Jashtme dhe rrjeti diplomatik që ka Shqipëria nëpër botë, në shtyrjen përpara të këtij procesi për Kosovën? Zoti Basha: Më lejoni shkurtimisht të rendis veprimtarinë e deritanishme për të kuptuar më mirë se ku synon diplomacia shqiptare në vijim. Diplomacia në vetvete nuk ka qenë asnjëherë më e angazhuar se sa këto tre-katër muajt e fundit, duke filluar nga takimi bilateral me Sekretaren amerikane të Shtetit Condoleeza Rice, duke vazhduar me takimet e treshes, nëse mund ta quaj kështu, të Brukselit, sekretarin e përgjithshëm Jaap de Hoop Schefer, zotin Solana dhe zotim Oli Rehn, duke filluar më pas me turin diplomatik në Ballkan, fillimisht në Kosovë, Maqedoni dhe më pas në Mal të Zi, si dhe në takimet bilaterale me Ministrat e Jashtëm të Italisë, pastaj të Sllovenisë, të Spanjës dhe të Portugalisë, e cila e ka radhën e udhëheqjes së BE-së. Kosova ka qenë në qendër të diplomacisë publike, pra asaj që ka qenë publike, dhe në këtë mënyrë ka dhënë një kontribut thelbësor. Ku qëndron ky kontribut? Në radhë të parë gjatë diskutimeve në Këshill të Sigurimit ishte qëndrimi i Shqipërisë kundër asaj që ne e quajtëm unilaterizëm bllokues të Rusisë, i cili kontribuoi thelbësisht në ndryshimin e strategjisë, ose më mirë të themi, të taktikës së aleatëve përendimorë, të cilët në vizionin tonë, me bisedimet e pritshme shtesë 120-ditëshe, japin edhe shansin e fundit për një zgjidhje që mund të kalojë në KS. Duke i paraprirë zhvillimeve, Shqipëria ka formuluar për herë të parë një pozicion, i cili deklaron qartë se në rast të mossuksesit në KS të OKB-së, për çfarëdo arsye, i takon Bashkimit Evropian në radhë të parë, duke e konsideruar Kosovën si një problem evropian të sigurisë dhe NATO-s, duke përfshirë këtu edhe SHBA-në, që të ndërmarrin hapat e nevojshëm në terren për zbatimin e pakos se Ahtisaarit, si zgjidhja më e mirë, më e drejtë, më e ekuilibruar dhe më e qëndrueshme për statusin final të Kosovës. Ne jemi angazhuar në bashkërendim të plotë me faktorin politik të Kosovës, me Ekipin e Unitetit, institucionet e Kosovës, parlamentin, presidentin, kryeministrin, opozitën e Kosovës, që e gjithë veprimtaria diplomatike e jashtme, por shumë e rëndësishme edhe e brendshme që ka të bëj me opinionin publik të Kosovës, të orientohet në atë drejtim që të mos lejojë asnjë hapësirë për keqpërdorim të situatës nga kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës. Një arritje shumë e qëndrueshme e diplomacisë shqiptare ka qenë bashkërendimi i qëndrimit me fqinjët tanë, ku dëshiroj të kujtoj, në veçanti, deklarat e përbashkëta me Maqedoninë, deklarata të cilat, në qoftëse ju kujtohet, nxitën edhe nota proteste nga Beogradi zyrtar, protesta të cilat janë përsëritur edhe në forumet shumëpalëshe ku Shqipëria është përfaqësuar me Ministrin e Jashtëm dhe Kryeministrin dhe është angazhuar në debat të rregullt me homologët serbë. BBC: Ministër Basha, përmendët deklaratën e përbashkët me Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë. Së voni pati një deklaratë nga kryeministrit maqedonas, se Maqedonia duhet të luftojë me të gjitha mjetet që të mos ndodhë ndarja e Kosovës, ose mos të futet si opsion, ndërkohë që edhe ju keni bërë një deklaratë ku keni shprehur shqetësimin tuaj për destruktivitetin e një ideje të tillë... Zoti Basha: Për ne, ç'do skenar që i largohet paketës Ahtisaari, është një përpjekje për ta futur procesin e Kosovës në një rrugë të gjatë, për ta zgjatur atë, dhe të një përfundimi që nuk është në përputhje me parimet e Grupit të Kontaktit, të cilave paketa e Ahtisaarit i përmbahet plotësisht. BBC:Ku e shihni ju rrezikun e ndarjes së Kosovës, çfarë ndikimi do të kishte kjo në rajon? Zoti Basha: Çfarë motivesh ka ndarja e Kosovës? Ka sigurisht motivin e bashkangjitjes së pjesëve ku ka shumicë të një komuniteti, shtetit amë, në këtë rast Serbisë. Si mund t'i përgjigjesh një kërkese të ngjashme të ardhur nga një komunitet, le të themi komuniteti i Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit për bashkim me Kosovën? Pra, hapet "kutija e Pandorës" dhe hapet në bazë të parimit të shteteve etnike. Shqipëria ngrihet kundër këtij parimi, pasi ky parim ishte ai që solli vuajtjet dhe kalvaret e pafundme, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të popujve të ish-Republikës Federative të Jugosllavisë. Ishte një skenar i ideuar në Beograd nga Milosheviqi, është një skenar që duhet varrosur një herë e përgjithmonë. Kosova i ka kufijtë e saj dhe me këta kufij duhet dhe do të bëhët pjesë e komunitetit ndërkombëtar të kombeve sovrane. BBC: Tirana zyrtare gjatë viteve ka hezituar që ndoshta të kishte një rol më aktiv në gjithë krizën e Kosovës, kjo për arsye të njohura. Po fitohet përshtypja se pas vizitës së presidentit amerikan George Bush në Tiranë, sikur ka një fazë të re të qasjes apo implikimit të Tiranës në krizën e Kosovës. Zoti Basha: Unë mund t'ju them se qëndrimi i qeverisë Berisha ka qenë konstant në këtë drejtim dhe se deklarata e Presidentit Bush në Tiranë, shënon një pikë kulminante në përpjekjet e qeverisë shqiptare, kryeministrit shqiptar dhe diplomacisë shqiptare në drejtim të finalizimit të çështjes së Kosovës, si çështja më e rëndësishme për shqiptarët në rajon, si një çështje me specifikë të vaçantë për interesin kombëtar të Shqipërisë si vend. Mund t'ju them se asgjë më pak se kjo që është bërë, nuk do të pritet dhe nuk do të tolerohet nga strukturat tona. Ne do të jemi gjithmonë siç kemi qenë deri tani, shumë aktivë, shumë të angazhuar dhe do t'i paraprijmë e jo t'i ndjekim zhvillimet në rrafshin ndërkombëtar, brenda mundësive që ka Shqipëria, duke pasur gjithmonë në qendër të vëmendjes objektivin kryesor, që është pavarësia e Kosovës. BBC: Cilat janë kontaktet që keni me Prishtinën, ministër? Zoti Basha: Janë kontakte në nivel kolegësh, parlamentare, në nivelin e shefit të ekzekutivit, anëtarëve të tjerë të ekzekutivit, anëtarëve të tjerë të Grupit të Unitetit, shefit të opozitës dhe në përgjithësi të gjithë atyre që janë të angazhuar në mënyrë të përditshme në sfidat që paraqet procesi i finalizimit të statusit të Kosovës. | | |