BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 22 gusht 2007 - 08:35 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
GNK paralajmëron BE-në për Kosovën

Wolfgang Ischinger, përfaqësuesi i BE-së për Kosovën
Raporti thotë se dështimi për të arritur një qëndrim të përbashkët do ta zhvlerësojë BE-në.
Në raportin "Kapërcimi i Gjendjes Pezull në Kosovë - Përgjegjësia e Evropës", organizata Grupi Ndërkombëtar i Krizave(GNK) thotë se sa më herët që BE-ja deklarohet e gatshme ta njohë pavarësinë e Kosovës, aq më të mëdha janë gjasat për të parandaluar katastrofën.

Grupi Ndërkombëtar i Krizave ka paralajmëruar Bashkimin Evropian për rrezikun e përballjes me një konflikt të përgjakshëm dhe destabilizues në qoftë se BE-ja dhe anëtarët e saj siç thuhet "nuk e pranojnë përgjegjësinë primare që ta sjellin Kosovën drejt pavarësisë së mbikqyrur deri në prill ose maj të vitit 2008".

 Sa më shpejtë që BE-ja ose një shumicë e vendeve anëtare të saj deklarohet e gatshme për të mbështetur pavarësinë e Kosovës aq më të mëdha janë gjasat për të parandaluar katastrofën
Alex Anderson, shef i GNK-së

Organizata prestigjioze ndërkombëtare që analizon krizat e ndryshme në botë, thotë se jo të gjitha shtetet e BE-së duhet ta njohin pavarësinë e Kosovë deri në prill 2008.

Por, siç thuhet në raport, dështimi për të arritur një qëndrim të përbashkët për Kosovën, do ta zhvlerësojë BE-në dhe do të ketë pasoja shqetësuese për Evropën.

Shefi i zyrës së Grupit Ndërkombëtar të Krizave në Kosovë, Alex Anderson ka deklaruar se Bashkimi Evropian ka një bombë me orë të kurdisur në oborrin e vet.

"Sa më shpejtë që BE-ja ose një shumicë e vendeve anëtare të saj deklarohet e gatshme për të mbështetur pavarësinë e Kosovës", tha zoti Anderson, "aq më të mëdha janë gjasat për të parandaluar katastrofën".

Grupi Ndërkombëtar i Krizave thotë se arritja e pavarësisë së Kosovës përmes një rezolute të Këshillit të Sigurimit ka dështuar për shkak të kërcënimeve të Rusisë me veto.

Organizata thotë se raundi i ri i bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit sipas të gjitha gjasave nuk do të sjellë rezultate sepse Serbia nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe është e interesuar ta shtyejë atë pafundësisht.

 Mendoj që është kërkesë jo vetëm e Kosovës, por është nevojë dhe dëshirë e popujve të rajonit që përfundimisht me Kosovën të përmbyllet kriza që ka qenë në rajon
Fatmir Limaj, nënkryetar i PDK-së

Nëse deri më 10 dhjetor nuk arrihet marrëveshje për statusin e Kosovës, thuhet në raport, BE-ja, SHBA-të dhe NATO-ja duhet të jenë të gatshme të fillojnë veprimet e koordinuara me qeverinë e Kosovës për të zbatuar thelbin e planit të Ahtisarit për pavarësinë e mbikqyrur, përfshirë periudhën 120 ditëshe të tranzicionit.

Kjo periudhë, sipas Grupit Ndërkombëtar të Krizave, duhet të shfrytëzohet për të mbledhur pajtimin e shumë qeverive për pavarësinë e mbikqyrur të shtetit të ri, të adaptohet dhe të fuqizohet legjislacioni shtet-formues dhe institucionet përkatëse; që BE-ja të marrë përgjegjësitë e reja në Kosovë, ndërsa UNMIK-u të tërhiqet në mënyrë të qetë.

Drejtoresha e programit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave për Evropën, Sabine Freizer ka thënë se Evropa ka dështuar në mënyrë tragjike në ish Jugosllavi gjatë viteve të 90-ta dhe tash ka shansin e dytë që të tregojë se mund të jetë aktor efektiv në Ballkan.

"Nëse Evropa tregohet sërish tregohet e paaftë", ka thënë zonja Freizer, "kjo me siguri që do të shpjerë në gjakderdhje dhe në përsëritjen e kaosit rajonal dhe do ta fuqizonte rrjetin e krimit te organizuar në këtë pjesë të Evropës".

Pavarësia përmbyll krizën

Duke komentuar raportin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, nënkryetari i Partisë Demokratike në opozitë, Fatmir Limaj tha:

"Unë e kuptoj këtë thirrje të Grupit Ndërkombëtar të Krizave si kthim i vëmendjes së Bashkimit Evropian për ta përmbyllur edhe çështjen e fundit në Ballkan."

"Mendoj që është kërkesë jo vetëm e Kosovës, por është nevojë dhe dëshirë e popujve të rajonit që përfundimisht me Kosovën të përmbyllet kriza që ka qenë në rajon" tha zoti Limaj.

LOKALE
Shqipëria kundërshton ndarje të Kosovës
21 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Sejdiu rithekson pavarësinë e Kosovës
15 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Petrich flet për BBC
15 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Ischinger optimist për një marrëveshje
13 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Treshja kërkon kompromis për statusin
12 gusht 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>