|
Ministri Kuçi flet për BBC | |||||||||||||||||||||||
Për shkak të shtyrjes së zgjidhjes së statusit të Kosovës, është ndërprerë puna për nxjerrjen e dokumenteve të reja të udhëtimit. Ministria e Punëve të Brendshme thotë se ka bërë të gjitha përgatitjet për prodhimin e pasaportave të reja të Kosovës, por nxjerrja e tyre sipas Ministrit Blerim Kuçi është e pamundur derisa të merret vendimi politik për statusin. Korrespondetja e BBC-së në Prishtinë, Violeta Hyseni bisedoi me ministrin Kuçi. BBC: Zoti Ministër ku kanë mbetur punët rreth nxjerrjes së dokumenteve të reja të udhëtimit për qytetarët e Kosovës? Kuçi: Duke pasur parasysh se statusi i Kosovës ishte menduar se do të zgjidhej deri në qershor të këtij viti, ne i kemi bërë të gjitha përgatitjet si Ministri e Punëve të Brendshme që të kalojmë në dokumente të reja të udhëtimit. Për fat të keq, për shkak të shtyerjes së statusit, tani kemi një fazë tjetër, por ajo që është e rëndësishme është se ne kemi bërë të gjitha përgatitjet dhe jemi të gatshëm të fillojmë të prodhojmë dokumentet e reja për Kosovën. BBC: Domethënë zoti Ministër, dokumentet e reja të udhëtimit mbesin peng i moszgjidhjes së statusit të Kosovës? Kuçi: Po ashtu është, dokumentet e reja të udhëtimit janë peng i moszgjidhjes së statusit. Por me rëndësi është që ne jemi të gatshëm dhe presim një vendim politik për statusin dhe simbolet adekuate, të cilat do t'i caktojë Kuvendi i Kosovës, që t'ia fillojmë punës. BBC: Si do të duken dokumentet e reja të udhëtimit në Kosovën e pas statusit? Kuçi: Këtë përgjigje ndoshta nuk mund ta japë Ministri i Punëve të Brendshme. Ju e dini që Kuvendi është kompetent për këtë çështje, ne besojmë që Kuvendi do të caktojë simbolet, ndërsa ne jemi vetëm servis i vendimeve që do të merren aty. BBC: Në bazë të çfarë kritereve po bëni ju përgatitjet për pasaportat e reja? Kuçi: Çështje numër një është kualiteti i këtyre dokumenteve. Ajo që është me rëndësi se ne kemi marrë konfirmimin paraprak nga zyra amerikane dhe ajo e Bashkimit Evropian që kualiteti me të cilin ne jemi përgatitur, është ai i dëshirueshëm. Tjetër çështje është edhe validiteti i këtyre dokumenteve. Ne kemi kërkuar të kemi një validitet dhe të kemi një kohë optimale që ta bëjmë ndërrimin, se përveç prodhimit është edhe procesi i aplikimit dhe i ndërrimit. Në këto dy aspekte, departamentet tona janë të gatshme dhe ne presim ditën që t'ia fillojmë këtë procesi. BBC: Zoti Ministër, sa do të jetë vlefshmëria e këtyre dokumenteve të reja të udhëtimit? Kuçi: Me siguri këto dokumente do të jenë valide 10 vjet. Ju e dini që ne kemi probleme të mëdha për shkak se validiteti I dokumenteve të udhëtimit të UNMIK-ut është 2 vjet. Kjo ka shkaktuar kokëçarje të madhe edhe për qytetarët, edhe për neve si Ministri e Punëve të Brendshme, sepse duhet të merremi non stop me procedurat e aplikimit dhe të prodhimit të këtyre dokumenteve ekzistuese. Ne besojmë se dokumentet e reja do të kenë një validitet prej 10 vitesh. BBC: Sa kohë pas zgjidhjes së statusit, kosovarët mund të pajisen me dokumentë të reja të udhëtimit? Kuçi: Ekziston plani dinamik i yni që na duhen 120 ditë për të filluar me prodhimin e dokumenteve prej ditës D apo prej ditës kur Kuvendi i Kosovës do të marrë vendimin për statusin apo do të miratohet rezoluta në Këshillin e Sigurimit, varet si do të bëhet zgjidhja e statusit, këtë tash nuk e dimë. Brenda këtij 120 ditëshi, ne i bëjmë të gjitha përgatitjet edhe në aspektin e dizajnit, prokurimit, po ashtu na duhet shtimi i numrit të punëtorëve. Domethënë të gjitha këto punë pritet të kryhen brenda këtij 120 ditëshi. Pas kësaj periudhe fillon prodhimi i dokumenteve të para dhe brenda një viti ndërrohen komplet dokumentet ekzistuese. | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza "Propozimi im-kompromisi më i mundshëm"28 gusht 2007 | Faqja Kryesore Ischinger takon zyrtarët e Prishtinës24 gusht 2007 | Faqja Kryesore Hysa: Paqartësi për negociatat24 gusht 2007 | Faqja Kryesore Aktivitet i shtuar diplomatik në Prishtinë23 gusht 2007 | Rajoni GNK paralajmëron BE-në për Kosovën 22 gusht 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||