|
Rusia përsërit kundërshtimin ndaj Kosovës | |||||||||||||||||||||||
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka përsëritur qëndrimin e Moskës se nuk do të tërhiqet nga kundërshtimi i saj lidhur me pavarësinë e Kosovës. Zoti Lavrov tha se Moska nuk do të tërhiqet nga qëndrimet e saj për çështje si pavarësia e Kosovës apo bazat amerikane të mbrojtjes raketore në Evropë. Duke folur para studentëve të Institutit shtetëtor për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Moskë, zoti Lavrov i quajti të dyja këto çështje si "vija të kuqe" që Rusia nuk do t'i kalojë. Ndërsa fundin e muajit të kaluar rifilluan bisedimet midis Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e treshes Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, Rusi me qëllimin për të kapërcyer bllokimin e çështjes së statusit të Kosovës, Rusia ka riafirmuar përsëri qëndrimin e saj kundërshtues. Zoti Lavrov tha se Moska nuk mund të qëndrojë pasive përballë një kërcënimi ndaj sigurisë së saj kombëtare. Ai paralajmëroi se megjithëse politika e jashtme ruse nuk ishte konfrontuese, kishte disa "vija të kuqe" që ajo nuk ishte e përgatitur t'i kalonte. "Midis çështjeve të rëndësishme janë planet për të dislokuar bazat amerikane të mbrojtjes globale raketore në Evropën Lindore dhe zgjidhja për Kosovën," tha zoti Lavrov. "Rusia nuk bën allishverishe për këto çështje dhe partnerët tanë ndërkombëtarë duhet ta kuptojnë këtë," tha ai. Analistë të ndryshëm dhe diplomatë perëndimorë thonin se zgjatja e procesit të bisedimeve për statusin e Kosovës edhe për 120-ditë bëhej për të kapërcyer kundërshtimet ruse ndaj projektrezolutës së OKB-së në favor të pavarësisë së Kosovës. Ka disa politikanë në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë që besojnë se po të kalojë pak kohë dhe po t'i bëhet presioni i duhur, Rusia në fund do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe vendosjen e sistemeve të reja raketore amerikane në Evropë. Por deklaratat e zotit Lavrov provojnë se Moska nuk ka ndërmend të ndryshojë qendrim dhe se ata e kanë shumë gabim. Ai tha se ka disa çështje që janë vija të kuqe për Moskën. Ai i përshkroi ato si çështje që përbëjnë një kërcënim të vërtetë për sigurinë kombëtare të Rusisë dhe rendin ekzistues të të drejtës ndërkombëtare. Russia ka treguar tashmë gatishmëri që të luajë fort për çështjen e pavarësisë së Kosovës. Në korrik ajo bllokoi projekt-rezolutën e OKB-së që do t'i lejonte shumicës shqiptare të shpallte pavarësinë e plotë nga Serbia. Rusia ka ndërmarrë gjithashtu hapa për të demonstruar pakënaqësinë e saj të thellë ndaj propozimit amerikan për të vendosur një sistem të ri mbrojtës raketore në Poloni dhe Republikën Çeke. Në korrik Moska tha se po pezullonte të gjithë bashkëpunimin e mëtejshëm në një marrëveshje të rëndësishme për çështjet e mbrojtjes, të njohur si Traktati për Forcat Konvencioanle në Evropë. Një muaj më vonë presidenti Putin njoftoi se pas një ndalimi prej 15 vitesh Rusia po rifillonte patrullat e bombarduesve të saj strategjikë me rreze të gjatë veprimi. Zoti Lavrov këmbënguli se Rusia nuk duhet trajtuar se një armik i Shteteve të Bashkuara, megjithatë ai e bëri të qartë se nuk besonte se marrëdhëniet midis të dy vendeve ishin normale. "Ne nuk jemi më armiq të Shteteve të Bashkuara që do të thotë se nuk ka asnjë farë baze për një luftë të re të ftohtë," tha ai. "Normalizimi i marrëdhënieve tona, pra kthimi në normalitet, është i mundur vetëm mbi bazën e barazisë dhe konsiderimit të interesave të dyanshme dhe përfitimeve të dyanshme dhe heqjen dorë nga ideologjia dhe mesianizmi si instrumenta të politikës së jashtme," tha ministri i jashtëm rus. | LOKALE Ischinger në Beograd03 shtator 2007 | Rajoni Tirana zyrtare rreth Kosovës31 gusht 2007 | Faqja Kryesore Koshtunica: Shtyrja e pavarësisë së Kosovës sukses31 gusht 2007 | Rajoni "Takimi Prishtinë-Beograd në shtator në Nju Jork"30 gusht 2007 | Faqja Kryesore Bisedime të reja me qëndrime të vjetra 30 gusht 2007 | Rajoni Thaçi për çdo kompromis për të arritur pavarësinë29 gusht 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||