|
Bisedime të reja me qëndrime të vjetra | |||||||||||||||||||||||
Bisedimet në Vienë pasojnë 14 muaj negociatash të dështuara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit që u udhëhoqën nga i dërguari i OKB-së, Marti Ahtisaari. Pala shqiptare këmbëngul që pavarësia është zgjidhja e vetme për statusin, ndërsa pala serbe angazhohet për mbetjen e Kosovës nën kufinjtë e Serbisë. Bisedimet e reja mbi të ardhmën e Kosovës do të ndërmjetësohen nga treshja e Grupit të Kontaktit, që përbëhet nga diplomatë amerikanë, evropianë dhe rusë. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë, i dërguari amerikan, Frank Wisner, ai evropian, Wolfgang Ischinger dhe homologu i tyre rus, Alexander Botsan Kharchenko në orët e paraditës do të takohen me delegacionin e Prishtinës të përbërë nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës. Pas drekës treshja negociatore ndërkombëtare do të takohet me delegacionin e Beogradit, të cilin e përbëjnë ministra e zyrtarë të qeverisë serbe dhe dy përfaqësues të serbëve të Kosovës. Kësaj radhe nuk do të ketë takime të drejpërdrejta ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Ndërmjetësuesit ndërkombëtarë do të dëgjojnë qëndrimet e të dyja palëve për statusin e Kosovës. Ata kanë deklaruar se nuk është në mandatin e Troikës të propozojë ndonjë zgjidhje. Para takimit të sotëm me Prishtinën dhe Beogradin, treshja negociatore u takua të mërkurën në Vjenë me Grupin e Kontaktit për të marrë udhëzimet e fundit lidhur me agjendën dhe formatin e bisedimeve. Bazë për negociata të mëtejshme do të jetë plani i të dërguarit të OKB-së, Martti Ahtisaari për pavarësinë e Kosovës nën mbikqyrje ndërkombëtare. Ky plan është kundërshtuar nga Beogradi dhe Rusia, ndërsa është mbështetur nga Prishtina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian. Raund i ri Raundi i ri i bisedimeve për statusin e Kosovës është thirrur nga vendet anëtare të Grupit të Kontaktit: SHBA-të, Britania, Franca, Rusia, Gjermania dhe Italia, pas dështimit të miratimit të një rezolute për pavarësinë e Kosovës në Këshillin e Sigurimit, për shkak të qëndrimit bllokues të Rusisë. Bisedimet që do të zgjasin 120 ditë, janë pjesë e përpjekjeve ndërkombëtare për të gjetur një zgjidhje për statusin e Kosovës që do të ishte e pranueshme për Prishtinën dhe Beogradin dhe që nuk do të kundërshtohej nga Rusia. Ndërkohë palët në bisedime nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre. Qëndrimi shqiptar Delegacioni i Kosovës është nisur dje pasdite në Vjenë, siç ka thënë, për të rifikonfirmuar se pavarësia është e vetmja zgjidhje dhe për të nuk mund të negociohet. "Ky është një process shtesë, që nuk është dashur të ndodhë, por realisht jemi këtu, andaj ne do të bashkëpunojmë me bashkësinë ndërkombëtare për të përfunduar sa më shpejtë procesin dhe në fund të arrihet qëllimi ynë është shumë i qartë, pavarësia e Kosovës", tha presidenti Fatmir Sejdiu. Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku e sheh raundin e ri të negociatave si mundësi që Prishtina të bindë bashkësinë ndërkombëtare që Kosova duhet të lëvizë drejt pavarësisë së saj nga Serbia. Kreu i qeverisë tha se pret që treshja e Grupit të Kontaktit ta kuptojë kërkesën e kosovarëve që këto bisedime të shënojnë fundin e procesit për statusin e Kosovës.
"Presim që treshja ndërkombëtare t'i respektojë të arriturat e deritanishme në këtë proces të udhëhequra nga presidenti Ahtisaari dhe presim që ata të kuptojnë seriozisht kërkesën tonë që ky të jetë fundi i procesit dhe pas 10 dhjetorit, ne duhet të lëvizimin drejt njohjes së pavarësisë së Kosovës…", tha kryeministri Çeku. Lideri i opozitës, Hashim Thaçi, ka deklaruar se Prishtina nuk po shkon në Vjenë për të bërë negociata, por, siç ka thënë ai, për të prezentuar domosdoshmërinë e vendimit ndërkombëtar për pavarësinë e Kosovës. "Për Kosovën është vetëm një zgjidhje, pavarësia e plotë, respektimi i integritetit territorial të vendit dhe domosdoshmëria e njohjes urgjente të pavarësisë së Kosovës", tha zoti Thaçi. Ai ka hedhur poshtë mundësinë që në tryezën e bisedimeve për statusin e Kosovës të shtrohet opcioni i ndarjes. Anëtari tjetër i Ekipit Negociator të Kosovës, Veton Surroi ka thënë se në takimin e sotëm, Prishtina pret të dëgjojë reagimin e diplomatëve amerikanë, evropianë e rusë për qëndrimin e palëkundur të palës shqiptare për pavarësinë e Kosovës. "Kjo është njëra prej shumë bisedimeve që do të ketë. Rezultati konkret është që ne të prezentojmë qëndrimin tonë dhe të presim çfarë do të jetë reagimi I treshes", deklaroi zoti Surroi. Ndërkohë delegacioni i Beogradit i kryesuar nga ministri për Kosovën Sllobodan Samarxhiq, gjatë takimit me treshen negociatore të Grupit të Kontaktit, thotë se do të mbrojë qëndrimin për mbetjen e Kosovës nën Serbi. Qëndrimi serb Zyrtarët serbë kanë thënë se delegacioni i Beogradit në Vjenë do të insistojë në dy gjëra: që statusi të jetë objekt kryesor i bisedimeve dhe biedimet të jenë direkte me palën shqiptare. Zoti Samarxhiq ka thënë se Serbia është e gatshme për kompromis të mbështetur në Kartën e Kombeve të Bashkuara dhe të drejtën ndërkombëtare, kurse janë plotësisht të papranueshme të gjitha zgjidhjet që i përmban plani i Ahtisaarit. Madje ai ka tërhequr vërejtjen se në qoftë se bashkësia ndërkombëtare dëshiron që Beogradi dhe Prishtina të arrijnë zgjidhje të përbashkët, përfaqësuesit e disa vendeve nuk guxojnë të japin deklarata siç ka thënë ai "kundërproduktive e destruktive" me të cilat mbështetet pavarësia e Kosovës. Në delegacionin e Beogradit marrin pjesë edhe dy përfaqësues të serbëve të Kosovë, Goran Bodganoviç e Marko Jakshiç. Raundi i ri I bisedimeve për statusin e Kosovës, pritet të përfundojë më 10 dhjetor, kur treshja ndërmjetësuese ndërkombëtare, do t'i raportojë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mon mbi rezultatin e negociatave Prishtinë-Beograd. | LOKALE Holanda mbi opsionin e ndarjes së Kosovës29 gusht 2007 | Rajoni Thaçi për çdo kompromis për të arritur pavarësinë29 gusht 2007 | Faqja Kryesore Ministri Kuçi flet për BBC 28 gusht 2007 | Faqja Kryesore Ischinger takon zyrtarët e Prishtinës24 gusht 2007 | Faqja Kryesore Aktivitet i shtuar diplomatik në Prishtinë23 gusht 2007 | Rajoni GNK paralajmëron BE-në për Kosovën 22 gusht 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||