BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 28 prill 2009 - 13:57 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Administrata Obama në 100 ditët e saj
Medvedev dhe Obama
Administrata e Obamës përpiqet për një qasje të re ndaj Rusisë
Teksa administrata Obama mbush 100 ditët e saj ne shtrojmë pyetjen se çfarë është bërë në politikën e jashtme.

Lidhur me këtë Albana Kasapi bisedoi me Dr. Robin Niblett, Drejtor i Institutit të Studimeve Ndërkombëtare, Chattam House në Londër.

Niblett: Ai ka bërë shumë në politikën e brendshme. Siguroi miratimin e paketës stimuluese për ekonominë, e cila ka potencialin për ta nxjerrë Amerikën nga depresioni, por jo vetëm kaq.

Presidenti Obama siguroi dhe miratimin e një buxheti që mund t'i ndryshojë fytyrën gjithë ekonomisë dhe politikave sociale të Amerikës, me paketën substanciale për kujdesin shëndetësor, atë për energjinë e pastër, me ndryshimet e miratuara në sistemin arsimor.

Axhenda e tij e politikës së brendshme është nga më ambiciozet që ka parë Amerika për shumë vjet.

Por në të njëjtën kohë, Obama ka arritur që në një hapësirë 3-4 javore, t'i dërgojë botës një mesazh krejtësisht të ndryshëm nga Amerika dhe unë mendoj se ai ka përmbushur plotësisht atë që pritej prej tij.

Ai i është drejtuar botës islame; Iranit, ka lënë të kuptohet se Amerika do të ishte e hapur për negociata me Sirinë.

Ka përcaktuar afatet për tërheqjen nga Iraku dhe e ka vendosur kështu Lindja e Mesme në qendër të axhendës së politikës së tij të jashtme.

Në të njëtën kohë, Obama muk ka lënë pa prekur dhe ato çështje globale, për të cilat njerëzit mendojnë se nuk mund të zgjidhen pa përfshirjen e Amerikës, si ndryshimet klimatike dhe kriza ekonomike globale.

Ai i është drejtuar Rusisë, me idenë e një fillimi të ri në marrëdhëniet dypalëshe dhe tashmë ka filluar negociatat me të për çështjen e armëve bërthamore.

Nga cilido këndvështrim, fillimi i Obamës në fushën e politikës së jashtme është shumë pozitiv.

Le të mos harrojmë këtu pa përmendur Evropën.

Turneu i zotit Obama në Evropë ishte shumë i suksesshëm dhe para tij dhe vizita e Sekretares së Shtetit, Clinton.

Pra, fillimi ka qenë shumë dramatik dhe ka arritur diçka shumë të rëndësishme: rikthimin e të ashtuquajturit pushtet të butë të Amerikës, të fuqisë tërheqëse të Amerikës për të të bërë për vete.

Obama e bëri këtë duke ardhur këtu dhe duke dëgjuar, jo duke dhënë urdhëra. Dhe kjo është shumë e rëndësishme.

BBC: Por deri tani të gjitha këto politika mbeten teorike, sepse gjatë 100 ditëve të para të tij në Shtëpinë e Bardhë nuk janë testuar. Me çfarë problemesh mund të përballet presidenti në zbatimin e politikës së jashtme (në praktikë)?

Niblett: Problemi qëndron në faktin se pavarësisht nga masa e ndryshimit të politikës amerikane, pavarësisht nga fakti se politika e jashtme e zoti Obama është më pozitive, ka vende që jo domosdoshmërisht duan të ndryshojnë.

Vende të caktuara mund të ndjekin politika të caktuara jo ngaqë Amerika do apo nuk do që ato t'i ndjekin, por ngaqë ato janë në interesin e tyre.

Rusia nuk do që NATO të zgjerohet; për të pak rëndësi ka fakti se kush është në pushtet në Amerikë, Barack Obama apo George Bush.

Irani ndoshta do material bërthamor dhe nuk ka për të hequr dorë nga kjo kërkesë, vetëm ngaqë në pushtet tani ka ardhur Barack Obama.

A do të jetë Netanjahu i hapur për zgjidhjen me dy shtete, Izrael e Palestinë? Kush e di, por do të jetë shumë e vështirë që qeveria e re të ndryshojë qëndrim, sa do që të përpiqet Obama për ta bindur.

Synimet e Obamës janë të mira, janë për t'u respektuar, jashtëzakonisht të mirëpritura, por rrezikshmëria qëndron në atë se për të arritur deri tek ndryshimet në praktikë, do të duhet një punë shumë e madhe.

BBC: Cila do të jetës sfida e tij e parë?

Niblett: Mendoj se sfida më e madhe për të do të jetë që të demonstrojë shënimin e një farë përparimi në Afganistan dhe në mënyrë simultane, të demonstrojë se Pakistani nuk po shkatërrohet.

Kjo mendoj se është sfida e tij numër një në sferën e politikës së jashtme.

BBC: Por kjo është pak a shumë e pritshme, por ndonjëherë në botë ndodhin zhvillime të papritura si ishte 11 shtatori për presidentin Bush, apo për paraardhësin e tij Clinton, lufta në Ballkan. Ndërkohë që presidentin Obama nuk e kemi dëgjuar të flasë për këtë pjesë të botës. Si e shihni ju këtë?

Niblett 4: Unë mendoj se administrata e Obamës i ka caktuar vetes një axhendë kaq të ngjeshur në fushën e politikës së brendshme dhe atë të jashtme, saqë disa çështje thjesht nuk i mban dot më.

Druhem se Ballkani, edhe aspektet e pazgjidhura të tij, dhe ato nuk janë pak, nuk është në krye të listës së prioriteteve të tij.

Por pavarësisht nga kjo, vendet e mbetura ende bosh të kësaj adminsitratë do të plotësohen dhe ekspertët që do të marrin postet politike, do të jenë ekspertë të çështjeve evropiane dhe shumë prej këtyre ekspertëve në administratën e presidentit Clinton ishin ekspertë që u provuan në Evropë.

Unë mendoj se ana pozitive, ka potencial që të jetë se me mëkëmbjen e administratës, plotësimin e posteve gjatë muajve të ardhshëm, mund të ketë zyrtarë me përvojë në administratë që mund të përpiqen të vendosin një lloj vëmendjeje drejt Ballkanit.

Mendoj se do të jetë e vështirë që Ballkani të arrijë të tërheqë vëmendjen e presidentit, me përjashtim të rastit të ndonjë krize të thellë, por do të ketë ekspertë që do të përpiqen të ndihmojnë e do të punojnë me Bashkimin Evropian dhe qeveritë e aktorët e tjerë në rajon për t'u siguruar që situata të përmirësohet dhe jo të përkeqësohet.

BBC: Një nga çështjet që kanë potencial ta përkeqësojnë situatën në Ballkan është ajo e pavarësisë së Kosovës. Rusia është ndër kundërshtaret më të fuqishme të saj. A duhet të shqetësohen shqiptarët e Kosovës se qëndrimi i "i ri" i Obamës ndaj Rusisë do të shkonte në dëm të tyre?

Niblett: Procesi i njohjes së pavarësisë ngeci pjesërisht për shkak të kundërshtimit të Rusisë, sepse siç e dini, edhe BE-ja vetë nuk është e bashkuar në këtë çështje dhe në gjirin e bllokut ka pikëpamje shumë të fuqishme për këtë çështje.

Kështu që mbetet ende një punë shumë e vështirë për tu bërë në këtë çështje në kontekstin e një Evrope të përçarë, do të thosha unë edhe pse shumica e vendeve anëtare e mbështet pavarësinë, por në një kohë kur administrata e Obamës po përpiqet të përmbushë disa synime të sajat me Rusinë, kjo nuk ka për të shkuar në favor të Kosovës.

Kjo do të jetë një arsye që Kosova të jetë më pak e rëndësishme në konteksin e gamës së gjerë të çështjeve me të cilat duhet të merret administrata e Obamës.

Ata nuk do të duan që t'ia vështirësojnë vetes punën.

Shtrohet pyetja se çfarë duhet të bëjnë ata që situata të mos përkeqësohet?

As Amerika, as BE-ja, nuk mund të garantojnë që situata do të mbetet kështu si është dhe se njerëzit do të vazhdojnë të presin në këtë gjendje harrese për një kohë të gjatë, por po të ishte në dorën e tyre (adminsitratës amerikane) ata do të donin që të ndodhte pikërisht kjo, pra që njerëzit të prisnin.

LOKALE
Amerikanët për qeverisjen e Obamës
28 prill 2009 | Faqja Kryesore
Grekët dhe 100 ditëshi i Obamës
29 prill 2009 | Faqja Kryesore
Obama në Irak: "Koha për tu larguar"
08 prill 2009 | Faqja Kryesore
Obama jep mesazh për turqit e thjeshtë
07 prill 2009 | Faqja Kryesore
Obama jep mesazh për myslimanët
06 prill 2009 | Faqja Kryesore
Obama shpall strategjinë e re
27 mars 2009 | Faqja Kryesore
SHBA, plan tërheqjeje nga Afganistani
23 mars 2009 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>