BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 29 prill 2009 - 09:45 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Grekët dhe 100 ditëshi i Obamës

Athinë
Grekët manifestuan kundër pushtimit të Irakut
Ndonëse grekët shquhen për ndjenja të thella anti amerikane, mes gjithë popujve të tjerë të Europës së Bashkuar, sipas analistëve, ata përgjithësisht shpresojnë se presidenti Obama do të bëjë diçka të mirë edhe për vendin tyre.

Në nëntor të vitit të kaluar, udhëheqja politike dhe shtetërore greke iu bashkua entuziazmit të përgjithshëm ndërkombëtar për fitoren në zgjedhjet presidenciale të Barak Obamës.

Entuziazmi buronte në dëshirën për një përmirësim në marrëdhëniet e Athinës me Uashingtonin.

Marrëdhëniet kishin shënuar një ftohje progresive vetëm pak ditë pas rizgjedhjes së presidentit Bush në nëntor 2004, kur Shtetet e Bashkuara e njohën Maqedoninë me emrin e saj kushtetues.

Pakënaqësia e Uashingtonit u rrit në prill të vitit të kaluar, kur Greqia bllokoi anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Kur mbushen 100 ditë nga marrja e postit të presidentit, ndjenjat e grekëve për Barak Obamën janë të trazuara.

Ja se ç’mendojnë qytetarët grekë që u pyetën rrugëve të Athinës nga BBC:

"Nuk do të mund të devijojë nga politika konstante e shteteve të bashkuara që është armiqësore ndaj Greqisë," shprehet një avokat.

"I mirë, i përkryer. Obama është më i miri në botë, nuk ka të dytë. Dhe Greqinë do ta ndihmojë. Nuk bëri dhe shumë mirë tani që shkoi në Turqi, por nejse, secili bën atë që mendon., kemi shpresa”, thotë një çift i moshuar.

"Obama? I mirë është dhe Obama. Koha do ta tregojë, se çfarë mund të bëjë, pak muaj është në pushtet. Ç’të mirë t’i bëjë Greqisë, nuk e di, por do të duket."

Analisti i njohur i gazetës Kathimerini dhe radios Sky, Paskos Mandravelis, e quan marrëzi mentalitetin se presidenti amerikan do të zgjidhë gjithë hallet e botës, sidomos të vendeve të vogla:

"Mendoj se ne që jetojmë në vende të vogla, gjithmonë kemi pretendime të ekzagjeruara nga presidentët apo politikanët e vendeve të mëdha. Nuk besoj se Greqia, apo ndonjë vend tjetër është në prioritetet e zotit Obama, kështu që të presim se do të vijë Omaba e do të zgjidhë gjithë problemet tona, kjo është disi marrëzi. Ajo që unë dua si qytetar i botës, është se zoti Obama do të avancojë disa politika globale për botën, të cilat do të jenë në dobi edhe të vendit tim."

Edhe analisti Paskos Mandravelis mendon se 100 ditë janë një periudhë e pamjaftueshme për të nxjerrë konkluzion të saktë.

"Kjo puna e 100 ditëve, është një lojë mediatike, që nuk ka të bëjë fare me realitetin. Përse 100 e jo 200 ditë? E vetmja gjë që mund të hulumtojmë në 100 ditë, janë predispozitat, nuk mund të konstatojmë politika konkrete të plotësuara. Pra duhen më tepër se 100 ditë, posaçërisht në vende si shtetet e bashkuara, me një shoqëri të madhe, me shumë institucione, me ekonomi të madhe etj. Sigurisht, predispozitat janë ato që kanë rëndësi dhe jo vetëm prej meje, por besoj se nga shumica e opinionit, gjykohen si pozitive”, thotë analisti i njohur grek, Paskos Mandravelis.

Ndonëse shprehen se nuk ushqejnë iluzione nga administrata Obama, grekët megjithatë shpresojnë që këtë vit të dalin nga lista e zezë e programit të vizave.

Megjithë përçapjet e bëra gjatë muajit shkurt kur ministrja e jashtme u takua në Uashington me homologen e saj Hillari Klinton, Greqia mbetet i vetmi vend anëtar i hershëm BE-së, shtetasit e të cilit duhet të pajisen me vizë për të shkuar në Shtetet e Bashkuara.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>