|
PDK: Jo president me gjysmë mandati | |||||||||||||||||||||||
Partia Demokratike e Kosovës shpreson që Lidhja Demokratike, partnere në koalicion, të ketë një qëndrim të qartë rreth funksionimit të koalicionit pas dorëheqjes së presidentit Sejdiu. Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Ramë Buja, thotë se sipas të gjitha gjasave vendi do të shkojë në zgjedhje të parakoshme. Sipas tij, kushtetuta nuk mundëson zgjedhjen e një presidenti me gjysmë mandati. Muharrem Nitaj i BBC-së bisedoi me zotin Buja. BBC: A është futur vendi në krizë politike me dorëheqjen e presidentit? Z. Buja: Realisht dorëheqja e presidentit konsideroj se është një akt simpatik moral i tij në momentet e fundit kur duhej që Kuvendi të mos futej në telashe të reja, por në fakt nuk mund të themi se gjithçka është në rregull dhe asgjë nuk na ka trazuar. Vendi nuk është në krizë institucionale, aktualisht, për faktin se Kushtetuta e sqaron se detyrën e presidentit që mund të largohet nga pozita e tij për arsye të ndryshme e zëvendëson menjëherë kryetari i Kuvendit. Kjo detyrë është bartur dhe unë nuk besoj që ka telashe që mund ta sjellin vendin në krizë. BBC: Nënkryetari i LDK-së, Eqrem Kryeziu i ka deklaruar BBC-së se çështja është goxha serioze dhe se akoma nuk dihet asgjë se çfarë do të ndodhë pas dorëheqjes së presidentit, duke mos përjashtuar ndoshta edhe rrezikimin e koalicionit qeveritar. Ai ka thënë se kjo çështje po diskutohet fort brenda strukturave të LDK-së. Z. Buja: Do të duhej që vërtetë të diskutohej kjo gjë, meqë ka pasur shumë përfolje, por unë po them se kjo gjë nuk na trazon. Unë jam ithtar i asaj dhe u kam thënë edhe kolegëve të mi që ta marrim me qetësi këtë gjë dhe t’i zgjidhim problemet pa ndjenja, por me arsye të plotë politike. BBC: E keni diskutuar në parti situatën e krijuar? Z. Buja: Në kryesi nuk e kemi diskutuar, por kemi diskutuar ne që jemi në institucionet shtetërore, jo një herë por disa herë dhe besoj që gjithçka po shkon në bazë të atyre që ne kemi menduar se mund të shkojë ose parashikimeve dhe unë besoj që kjo që e ka deklaruar z.Kryeziu, do të ishte mirë vërtetë të bisedohej thellë dhe arsyeshëm brenda subjektit që e ka prodhuar në një formë apo në formën tjetër këtë gjendje që kemi në Kosovë. BBC: Ju si partner i koalicionit do të pëlqenit që LDK-ja të dërgonte një kandidat tjetër për të qenë president i vendit apo të shkohet në zgjedhje të parakohshme? Z. Buja: Realisht, po të ishte mundësia kushtetuese ligjore që LDK-ja ta dërgonte një kandidat tjetër për të përmbushur këtë mandat sa ka mbetur, ne jemi për këtë gjë, por në fakt ka një “defekt” në kushtetutë që presidenti që do të zgjidhet, do të ketë mundësi të zgjidhet vetëm për një mandat të plotë dhe kjo pastaj i defekton gjërat. Nuk përjashtohet mundësia që të shkohet edhe në zgjedhje të parakohëshme. BBC: Domethënë, kushtetuta nuk e mundëson që të ketë një gjysmë mandati? Z. Buja: Gjysmë mandati nuk e mundëson, andaj nuk ka disponim nga asnjë subjekt politik që t’i jepet një mandat i plotë një njeriu që vjen nga LDK-ja e që në zgjedhjet e ardhshme nuk e dimë se si do të jetë struktura e renditjes së partive të caktuara. BBC: Në një situatë të tillë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohëshme? Z. Buja: Realisht kjo gjë nuk përjashtohet. | LOKALE Kryeziu: Sejdiu ka prishur balancën politike28 shtator 2010 | Faqja Kryesore Reagime për dorëheqjen e Sejdiut27 shtator 2010 | Rajoni Thaçi: Rasti Sejdiu-çështje serioze26 shtator 2010 | Faqja Kryesore Sejdiu: Norma e kushtetutës është respektuar24 shtator 2010 | Rajoni Haziri: Sejdiu të qartësojë pozicionin e tij24 shtator 2010 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||