|
Haziri: Sejdiu të qartësojë pozicionin e tij | |||||||||||||||||||||||
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se i takon presidentit Fatmir Sejdiu që ta qartësojë politikisht vendimin e paralajmëruar të Gjykatës Kushtetuese dhe rolin e tij në LDK. Burime të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë nxjerrë në media informacionin se gjykata pritet që së shpejti ta bëjë publik një vendim të marrë tashmë prej saj që nxjerr postet e zotit Sejdiu, si president i Kosovës dhe njëkohësisht si kryetar i LDK-së, jo në përputhje me kushtetutën. Zyra e presidentit nuk ka reaguar ende ndaj informacioneve që janë hedhur në mediat në Kosovë. Deklarata e zotit Haziri duket si një konfirmim i tërthortë i ekzistencës së një vendimi të Gjykatës Kushtetutese megjithëse ai nuk është bërë publik. "Nëse është kualifikuar si i tillë (vendimi) kërkon në radhë të parë nga presidenti Sejdiu qartësimin e rolit të tij në LDK në të ardhmen ose në Presidencë. "Vendimi i jep një dimension tjetër procesit zgjedhor," tha zoti Haziri për BBC-në duke folur për zgjedhjet e brendshme në LDK. Procesi në Gjykatë Gjykata Kushtetuese ka marrë në shqyrtim një kërkesë të paraqitur nga një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së mbajtjes së posteve të dyfishta nga presidenti i vendit. Kushtetuta e Kosovës sanksionin se presidenti i vendit nuk duhet të ketë post tjetër publik, dhe në rastin e zgjedhjes duhet të heqë dorë nga posti partiak. Qëndrimi i juristëve të presidentit Sejdiu ka qenë se ai nuk e ushtron faktikisht postin e tij partiak, sepse ka "një ngrirje" të postit të tij si kryetari i LDK-së. Zoti Sejdiu mori drejtimin e LDK-së pas vdekjes së udhëheqësit historik të saj, Ibrahim Rugova, por vazhdoi që njëkohësisht të mbante edhe funksionin e presidentit të vendit. Ndikimi në LDK Burime të Gjykatës Kushtetuese thonë se vendimi pritet të bëhet publik nga fillimi i muajit tetor, dhe vjen në kohën kur ka filluar fushata për zgjedhjet e brendshme në partinë e zotit Sejdiu dhe ai vlerësohet të jetë përcaktues për rrjedhat brenda saj. Në një bisedë me BBC-në zoti Haziri ka kërkuar "një pajtim të madh" brenda LDK-së për një konsensus rreth një udhëheqësi të partisë i cili do ta drejtonte atë në një dhjetëvjetësh të ardhshëm. "Unë jam për një marrëveshje të madhe, jam për një pajtim të madh të autoriteteve të LDK-së që kanë ndikim në orientimet për të ardhmen, që procesi zgjedhor të jetë i mirë, por jo i kontrolluar, dhe i cili eliminon çdo lloj tendence që LDK-ja mund të ketë si kërcënim të brendshëm të vogël," tha zoti Haziri për BBC-në. LDK-ja, që ka filluar zgjedhjet e brendshme, mund të mos e ketë për kandidat për kryetar të partisë presidentin aktual të vendit, Fatmir Sejdiun, pas këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese. Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, tha se vendimi i paralajmëruar i Gjykatës do t’i japë një dimension krejtësisht tjetër procesit zgjedhor në LDK, që ka filluar ditë më parë. Sipas tij, po pritet edhe reagimi i kryetarit të komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, pasi të jetë qartësuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Zoti Mustafa në një intervistë për BBC-në disa ditë më parë e ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për postin e kryetarit të partisë. Zoti Haziri tha se i takon vetë zotit Mustafa që të marrë vendimet për të ardhmen. Megjithatë ai përjashtoi mundësinë që në garën për kryetar të partisë të ketë vetëm një kandidat. "Në asnjë mënyrë nuk mund të ketë vetëm një kandidat për kryetar të partisë në këtë situatë," tha zoti Haziri për BBC-në. I vetmi që ka paralajmëruar kandidaturën e tij, tani për tani, është ministri i Shëndetësisë në qeverinë e tanishme Bujar Bukoshi, ish-kryeministër në qeverinë në mërgim para Luftës së Kosovës më 1999. "Bujar Bukoshi ose e ka tashmë kandidatin, e ai është Fatmir Sejdiu, ose mund të jetë një kandidat i tretë që mund të dalë, pasi që Fatmir Sejdiu ta qartësojë pozitën e tij," tha nënkryetari i LDK-së Haziri. "Në asnjë situatë Bujar Bukoshi nuk mund të mbetet kandidat i vetëm," tha ai. Partia dikur më e madhe në Kosovë, LDK, që u drejtua për më shumë se 15 vjet nga udhëheqësi i saj historik, Ibrahim Rugova, aktualisht është në koalicion qeverisës me PDK-në, partinë e kryeministrit Hashim Thaçi. LDK-ja u nda pas një kuvendi problematik në vitin 2006, kur një pjesë e anëtarësisë me në krye Nexhat Dacin vendosi të shkëputej dhe të formonte një parti tjetër, Lidhjen Demokratike të Dardanisë. | LOKALE Bukoshi: Nuk do të jem mbret i LDK-së21 shtator 2010 | Faqja Kryesore Mustafa - Të dalim nga koalicioni 20 shtator 2010 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||