|
Sejdiu: Norma e kushtetutës është respektuar | |||||||||||||||||||||||
Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu, me tu kthyer nga New Yorku, sot në Prishtinë deklaroi se 'është informuar lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por se ende nuk e ka marrë vendimin zyrtarisht'. Ai tha se vendimi i gjykatës kushtetuese ishte i ngutshëm dhe se nuk i ishte dhënë mundësia që edhe ai ta jepte qëndrimin e tij nëse posti i ngrirë i kryetarit të LDK-së, ishtë në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Presidenti Sejdiu tha se qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje, do ta paraqesë pasi ta studiojë vendimin. 'Shkelje e Kushtetutës' Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet që të bëjë publik vendimin me të cilin e nxjerr presidentin Fatmir Sejdiu, 'shkelës të kushtetutës' për shkak të mbajtjes së dy posteve. Mësohet se gjykata ka vlerësuar se presidenti nuk mund të mbajë postin e ngrirë të kryetarit të LDK-së dhe atë të presidentit. Lidhja Demokratike e Kosovës, që ka filluar zgjedhjet e brendshme, mund të mos e ketë për kandidat për kryetar të partisë presidentin aktual të vendit, Fatmir Sejdiun. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që thuhet të jetë marrë në një mbledhje të gjatë dy ditë më parë, e sheh presidentin si shkelës të Kushtetutës së Kosovës. Sipas Gjykatës, kushtetuta nuk njeh poste të ngrira. Vendimi thuhet të jetë marrë me shumicë votash, shtatë nga nëntë anëtarët e Gjykatës, duke i bërë me dije presidentit se tani duhet të vendos për mënyrën e udhëheqjes. Gjykata Kushtetuese ka vendosur kundër presidentit pas kërkesës së paraqitur nga një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së mbajtjes së posteve të dyfishta nga presidenti i vendit. Fatmir Sejdiu, mori drejtimin e LDK-së pas vdekjes së udhëheqësit historik të saj, Ibrahim Rugova, por vazhdoi që njëkohësisht të kryente edhe funksionin e presidentit të vendit, duke e ngrirë paraprakisht postin e kryetarit të partisë. Vendimi i gjykatës vjen në kohën kur ka filluar fushata për zgjedhjet e brendshme në LDK dhe ai vlerësohet se mund të jetë përcaktues për rrjedhat brenda saj. Tani për tani ka vetëm një kandidat për kryetar të LDK-së, ish-kryeministri në mërgim Bujar Bukoshi. Por nuk është përjashtuar mundësia të ketë edhe figura të tjera partiake që do të mund të paraqesin kandidaturat e tyre. Njëra nga figurat më të rëndësishme të partisë, kryetari i Prishtinës, Isa Mustafa, tani për tani thuhet se nuk ka vendosur për t’u kandiduar, ndërkohë që burime brenda LDK-së i thanë BBC-së se ai mund të rreshtohet përkrah Bujar Bukoshit. Vendimi i gjykatës mund ta qartësojë pozitën e zotit Sejdiu, i cili, megjithëse ende nuk ka dhënë ndonjë spjegim, thuhet se do të mund të vendosë për mbajtjen e postit të presidentit të vendit. Kjo pastaj do t’i pamundësonte atij që të hynte në garë për kryetar të partisë. Megjithatë, vendimi i gjykatës kundër presidentit Sejdiu thuhet se mund të ketë edhe pasoja të tjera, deri në një votëbesim për të në Kuvendin e Kosovës, që do të mund të çonte në përshkallëzim të krizës politike. Ky është vendimi i parë i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kundër një zyrtari të lartë të institucioneve të vendit, në pak vite të krijimit të saj. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||