BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 27 shtator 2010 - 14:58 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Reagime për dorëheqjen e Sejdiut
Presidenti i dorëhequr i Kosovës, Fatmir Sejdiu
Zoti Sejdiu tha se nuk ka besuar se ka shkelur Kushtetutën
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit.

Zoti Sejdiu e bëri këtë hap pasi Gjykata Kushtetuese e vendit vlerësoi se ai ka bërë shkelje të Kushtetutës duke mbajtur njëkohësisht postin e presidentit dhe atë të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Ai tha se nuk kishte menduar se po shkelte kushtetutën, por shtoi se do ta respektonte vendimin e gjykatës Kushtetuese.

"Nuk kam besuar se kam shkelur Kushtetutën, pasi kam mbajtur pezull detyrën e kreut të LDK-së," tha zoti Sejdiu në një konferencë për gazetarë që u transmetua drejtëpërdrejtë në televizion.


"Kam qenë i ndërgjegjshëm në punën time dhe kam respektuar parimet e mia," tha ai.

"Bashkarisht kemi shumë punë për të bërë për të ardhmen. Puna jonë nuk ndalet, para nesh kemi shumë sprova dhe ne do t'i kalojmë ato".

Krasniqi merr detyrën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili do të ushtrojë tani edhe detyrën e presidentit të Kosovës pas dorëheqjes së zotit Sejdiu, ka siguruar se vendi nuk do të përballet me krizë institucionale.

Në një konferencë me gazetarë pak minuta pasi presidenti Sejdiu paraqiti dorëheqjen e tij, zoti Krasnqi paralajmëroi se së shpejti do të mbledhë të gjitha subjektet politike për të harmonizuar qëndrimet për hapat e mëtejmë.

Zoti Krasniqi u zotua se zgjedhja e presidentit të ri të Kosovës do të bëhet në përputhje me normat kushtetuese.

Gjykata publikoi vendimin të premten se presidenti nuk mund të mbajë postin e ngrirë të kryetarit të LDK-së dhe atë të presidentit, pas kërkesës së paraqitur nga një grup deputetësh të Kuvendit të Kosovës për vlerësimin e kushtetutshmërisë së mbajtjes së posteve të dyfishta nga presidenti i vendit.

Fatmir Sejdiu, mori drejtimin e LDK-së pas vdekjes së udhëheqësit historik të saj, Ibrahim Rugova, por vazhdoi që njëkohësisht të kryente edhe funksionin e presidentit të vendit, duke e ngrirë paraprakisht postin e kryetarit të partisë.

LDK mbështet Sejdiun

Kryesia e LDK-së e ka cilësuar dorëheqjen e presidentit Sejdiu si një akt të sakrificës për "interesat madhore të Kosovës dhe qytetarëve të saj".

Në një kumtesë kryesia e LDK-së thotë se presidenti Sejdiu, megjithëse nuk e ka marrë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ka dhënë dorëheqje "duke dëshmuar shumë fuqishëm devotshmërinë e tij të madhe për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen e tij euroatlantike".

Udhëheqja e LDK-së tha se mbështet fuqishëm riaktivizimin e zotit Sejdiu në krye të partisë dhe shpreh bindjen se nën udhëheqjen e tij "LDK-ja do të rikthehet si partia numër një në skenën politike të Kosovës".

Një prej udhëheqësve të opozitës në Kosovë tha se zoti Sejdiu e ka dhënë dorëheqjen nën presion nga partneri kryesor në koalicionin qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK).

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë në opozitë, Nexhat Daci, që u shkëput nga LDK-ja pasi humbi përballë zotit Sejdiu në garën për kreun e LDK-së në vitin 2006, i ka deklaruar korrespondentit të BBC-së Muharrem Nitaj se dorëheqja e presidentit Sejdiu, nuk ka qenë vullnet i tij, por rezultat i presioneve nga partneri në qeverinë e koalicionit, por edhe partnerëve ndërkombëtarë.

Zoti Daci kërkoi përgjegjësi në këtë situatë edhe nga PDK-ja duke thënë se partneri i koalicionit qeverisës nuk mund të amnistohet "sepse kanë lejuar që kushtetuta e vendit të shkelet për dy vjet nga presidenti".

Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar në Kosovë, Pieter Feith e mirëpriti vendimin e presidentit Sejdiu për të dhënë dorëheqje pas shpalljes së vendimit nga Gjykata Kushtetuese dhe u bëri thirrje të gjithë përfaqësuesve politikë që të tregojnë aftësi të udhëheqjes në interes shtetëror dhe të sigurojnë një tranzicion të lehtë të Presidencës.

Zoti Fajt shprehu sigurine se sistemi politik i Kosovës është shumë i aftë për t'i ndërmarrë hapat e nevojshëm për të siguruar vazhdimësinë institucionale.

LOKALE
Thaçi: Rasti Sejdiu-çështje serioze
26 shtator 2010 | Faqja Kryesore
TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>