|
Thaçi: Rasti Sejdiu-çështje serioze | |||||||||||||||||||||||
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e ka cilësuar si çështje legale dhe jo politike vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e nxjerr presidentin Fatmir Sejdiu si shkelës të kushtetutës për shkak të mbajtjes së posteve të dyfishta. Me ty kthyer nga Nju Jorku, kreu i qeverisë tha në një konferencë me gazetarë në Aeroportin e Prishtinës se nuk dëshironte të paragjykonte rrjedhën e procesit derisa Gjykata Kushtetuese të mos e arsyetojë zyrtarisht vendimin e saj. “Kjo është një çështje serioze, është çështje legale dhe jo e interpretimit politik. Ne presim vendimin zyrtar të Gjykatës Kushtetuese dhe më pas do të marrim vendime dhe qëndrime në përputhje me Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe nevojat e shtetit dhe shoqërisë kosovare”, deklaroi kryeministri Thaçi. Gjykata Kushtetuese ka konfirmuar përmes një komunikate se me shumicë votash ka konstatuar se presidenti ka bërë shkelje serioze të kushtetutës, përkatësisht të nenit 88.2 duke mbajtur njëkohësisht edhe postin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Sipas gjykatës, Kushtetuta e Kosovës nuk njeh ngrirje të postit. Në reagimin e tij të parë, presidenti Fatmir Sejdiu e ka kontestuar vendimin e Gjykatës, por ka thënë se do ta respektojë Kushtetutën dhe institucionet e Kosovës. “Unë kam marrë informacion, por nuk kam marrë vendimin dhe natyrisht përgjigjem time të drejtpërdrejtë lidhur me vendimin dhe pjesën shpjeguese të tij, do ta jap pasi ta studioj”, ka deklaruar të shtunën presidenti Sejdiu, duke mos qartësuar pozicionin e tij pas vendimit të Kushtetuetes. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që u morr pas kërkesës së një grupi deputetësh, sipas analistëve do të ketë reflektime serioze në skenën politike. Zoti Sejdiu tani do të detyrohet ose të japë dorëheqje nga posti i presidentit dhe të garojë për t’u rizgjedhur kryetar i Lidhjes Demokratike, ose të ruajë postin e presidentit por me rrezikun që të përballet me kërkesën e deputetëve për shkarkimin e tij. Dy deputetët që kanë qenë nismëtarë të idesë për deklarimin e Gjykatës Kushtetuese rreth kësaj çështje, Naim Rrustemi dhe Driton Tali kanë thënë se do të ishte më mirë që presidenti të ofrojë dorëheqje se sa të shkarkohet. Sipas Kushtetutës, presidenti mund të shkarkohet me 2/3 e votave të deputetëve po qe se bën shkelje të aktit më të lartë juridik të vendit. Kryeministri Hashim Thaçi nuk ka dashur të thotë nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese rrezikon prishjen e koalicionit mes partisë së tij, asaj Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike (LDK) të udhëhequr nga presidenti Sejdiu. “Nuk dëshiroj t’i jap konatacion politik apo t’i bëj vlerësim të njëanshëm çështjes”, është shprehur ai kur është pyetur nëse PDK si forca më e madhe politike në vend do të kërkojë dorëheqjen e presidentit apo do të marrë nismën për shkarkimin e tij. Kreu i qeverisë ka siguruar se pavarësisht rrjedhës së këtij procesi, Kosova nuk do të përballet me krizë institucionale. “Ajo çka mund t’i siguroj të gjithë qytetarët e vendit dhe partnerët ndërkombëtarë është se në Kosovë nuk do të ketë vakuum apo krizë institucionale”, theksoi kryeministri Thaçi. Kjo është hera e parë që Gjykata Kushtetuese konstaton shkelje të Kushtetutës nga ana e presidentit të Kosovës. Rrjedhimisht zoti Sejdiu bëhet udhëheqësi më i lartë shtetëror, që vërtetohet ta ketë shkelur kushtetutën e parë të shtetit të ri të njohur ndërkombëtarisht | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||