|
Mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve | |||||||||||||||||||||||
Kandidatët për kryetarë të komunave në Kosovë përfundojnë të premten në mesnatë fushatën parazgjedhore, shtatë orë para hapjes së kutive të votimit për rrethin e dytë të zgjedhjeve. Dy kandidatët që kanë marrë numrin më të madh të votave, hyjnë të premten në balotazh në 23 komuna ku do të hapen afer 2100 vendvotime. Rrethi i dytë i votimeve nuk do të mbahet në komunën e Skënderajt, Drenasit e Novobërdës, ku fituesi është përcaktuar më 17 nëntor si dhe në komunat serbe, ku shefi i UNMIK-ut ua ka vazhduar mandatin kryetarëve dhe këshilltarëve komunalë për një periudhe të përkohshme gjashtëmuajshe. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po bën përgatitjet e fundit për mbajtjen e rrethit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave. Vendvotimet do të hapen të shtunën nga ora shtatë e mëngjesit deri në orën 19-të të darkës. Dizajn më i thjeshtë Fletëvotimet kësaj radhe kanë një dizajn më të thjeshtë. Ato do të kenë hapsirën e zbrazët ku do të shënohet emri dhe numri i kandidatit të preferuar. Gara më e ashpër për të parin e komunës po bëhet ndërmjet dy kandidatëve nga Prishtina, Isa Mustafës nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Fatmir Limajt nga Partia Demokratike e Kosovës. Isa Mustafa nga LDK-ja ka premtuar se nën udhëheqjen e tij, komuna e Prishtinës do të përparojë ekonomikisht, do të ketë infrastrukturë më të mirë si dhe zhvillim të arsimit, kulturës e shëndetësisë. "Do ta forcoj buxhetin e komunës në mënyrë që të mund të përballojë më shumë investime kapitale. Do të bëj ndryshime në organizimin e brendshëm të komunës në mënyrë që të rritet efikasiteti i shërbimeve që komuna ofron për qytetarin. Do ta bëj po ashtu edhe disperzimin e disa shërbimeve të komunës në nivele nënkomunale, në mënyrë që ato të jenë më afër qytetarëve. Dhe, përfundimisht, do të bëj përpjekje që ta rinoj këtë shërbim civil të komunës, në mënyrë që të kemi sa më shumë të rinj aty, të cilët janë në gjendje ta aplikojnë teknologjinë informatike", tha zoti Mustafa. Nga ana tjetër, edhe kandidati i PDK-së, Fatmir Limaj, ka shprehur bindjen në fitoren e tij. Ai tha se Prishtinës i duhet një program i ri zhvillimor çfarë e ofron Partia Demokratike e Kosovës. " Ne ofrojmë diçka krejt të re nga ajo që ka qenë deri më tani. Ne nuk mbajmë mbi supet tona bagazhin e dështimeve të këtyre tetë vjetëve dhe pakënaqësive që janë krijuar te qytetarët, si rezultat i një keq-qeverisjeje të deritanishme. Ne shkojmë duke ndërtuar një staf të ri profesional, në kuptimin e udhëheqjes, qeverisjes së re. Ne nuk kemi obligime nga ata që kanë krijuar interesa të ngushta për tetë vjet në Prishtinë dhe, në një mënyrë apo tjetër, çfarëdo rizgjedhje tjetër do t'i minonte të mbrohen dhe t'u shërbejnë interesave të grupeve të caktuara," - premtoi zoti Limaj. Në rrethin e parë të votimeve, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka marrë 36,1 % të votave, ndërsa ai i Partisë Demokratike 24.8%. PDK pak ditë më parë ka nënshkruar marrëveshje për koalicion në nivelin komunal me Aleancën Kosova e Re të Behxhet Pacollit, në përpjekje për të fituar garën për kreun e kryeqytetit të Kosovës. Në dy mandatet e kaluara ndërkaq, Prishtinën e ka qeverisur Lidhja Demokratike e Kosovës. | LOKALE Kosovë - zgjedhjet 200723 tetor 2007 | Analiza Serbët e Kosovës të pakenaqur me institucionet atje23 nëntor 2007 | Rajoni PDK-ja konfirmohet fituese e zgjedhjeve03 dhjetor 2007 | Rajoni Shqyrtohet përfaqësimi i serbëve që bojkotuan zgjedhjet22 nëntor 2007 | Rajoni Shpallen rezultatet paraprake20 nëntor 2007 | Rajoni Kryeziu ofron dorëheqje nga Kryesia e LDK-së 19 nëntor 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||