BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 22 nëntor 2007 - 09:50 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Shqyrtohet përfaqësimi i serbëve që bojkotuan zgjedhjet
Prishtina
Prishtina
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe institucionet vendore nuk kanë vendosur ende se kush do të jenë përfaqësuesit e serbëve në komunat në të cilat ky komunitetet ka bojkotuar zgjedhjet.

Serbët e Zveçanit, Leposaviqit, Zubin Potokut e Shtërpcës, që përbëjnë shumicën e popullsisë në këto komuna, injoruan të shtunën zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale në Kosovë, duke iu bindur thirrjeve të Beogradit zyrtar për mos dalje në votime.

Sipas një vendimi të shefit të UNMIK-ut, kryetarët dhe këshilltarët e komunave në Kosovë, përfshirë ato serbe kanë mandat deri në çertifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 17 nëntorit.

Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko tha se deri në çertifikimin e rezultatave, Misioni i OKB-së në Kosovë në bashkëpunim me institucionet vendore dhe përfaqësuesit serbë do të vendosë në çfarë mënyre do të zgjidhen kryetarët dhe këshillat komunalë në komunat serbe. Ai tha se po shqyrtohen të gjitha mundësitë, përfshirë edhe atë për vazhdimin e mandatit të përfaqësuesve aktualë.

"Sa u përket këtyre komunave, tani kemi kohë për bisedime me komunitetin serb, me insitucionet vendore si dhe kryetarët e deritanishëm të komunave serbe. Çfarë vendimi do të merret, nuk mund të ju them tani, sepse ne jemi në bisedime me përfaqësuesit serbë dhe me institucionet e Kosovës," tha zoti Ivanko.

 Vlen të theksohet se Kosova me të vërtetë është duke pësuar e posaçërisht serbët e Kosovës janë duke vuajtur nga interferimet e Beogradit për mospjesëmarrje dhe bojkot në jetën politike të Kosovës
Avni Arifi

Qeveria e Kosovës e ka pritur me shqetësim bojkotimin e zgjedhjeve nga ana e qytetarëve serbë. Megjithëkëtë, ekzekutivi kosovar sipas zëdhënësit Avni Arifi po shikon mënyrën e përfaqësimit të serbëve në kuvendet komunale.

"Natyrisht kjo është çështje me të vërtetë për shqetësim, por ne do të bisedojmë bashkarisht me bashkësinë ndërkombëtare dhe do të gjejmë modalitetet në mënyrë që përfaqësimi i serbëve në këto komuna të jetë sa më reprezentativ dhe sa më legjitim.

 Gjithsesi në komunat me shumicë serbe, serbët do t'i përfaqësojnë udhëheqësit e tyre. Serbët nuk mund të përfaqësohen as nga shqiptarët, as nga UNMIK-u.
Milan Ivanoviq

Vlen të theksohet se Kosova me të vërtetë është duke pësuar e posaçërisht serbët e Kosovës janë duke vuajtur nga interferimet e Beogradit për mospjesëmarrje dhe bojkot në jetën politike të Kosovës dhe kjo natyrisht se po sjell pasoja në kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës," tha z. Arifi.

Nënkryetari i komunës së Zveçanit, Milan Ivanoviq, thotë se me komunat ku serbët përbëjnë shumicën mund të udhëheqën vetëm serbët. Ai ka qenë një nga mbështetësit më të fuqishëm të bojkotimit të votimeve në Kosovë dhe mendon se këto zgjedhje kanë qenë jolegjitime.

"Gjithsesi në komunat me shumicë serbe, serbët do t'i përfaqësojnë udheheqësit e tyre. Serbët nuk mund të përfaqësohen as nga shqiptarët, as nga UNMIK-u.

 Serbët realisht duhet të sillen si të gjithë qytetarët që kanë për qëllim shtetin ligjor dhe t'i pranojnë pasojat e mosdaljes në zgjedhje, sikurse që do t'i pranojnë këto pasoja edhe 55 përqind e qytetarëve të Kosovës.
Behlul Beqaj

Mendoj se kjo është e qartë. Këto zgjedhje kanë qenë krejtësisht të jashtëligjshme, prandaj serbët nuk kanë marrë pjesë në to, sepse shefi i UNMIK-ut ia ka bartur përgjegjësitë për organizimin e zgjedhjeve institucioneve të Kosovës, që është në kundërshtim me rezolutën 1244," deklaroi nënkryetari i komunës së Zveçanit, Milan Ivanoviq.

Sipas tij, UNMIK-u nuk ka arsye që të mos u vazhdojë edhe më tutje mandatin përfaqësuesve serbë në komunat ku ata përbëjnë shumicë.

Nga ana tjetër, analisti Behlul Beqaj thotë se komuniteti Serb duhet të bartë pasojat e bojkotimit të zgjedhjeve në Kosovë. Sipas tij emërimi i përfaqësuesve serbë në komuna ku ata nuk dolën në zgjedhje, do të ishte i jashtëligjshëm.

"Serbët realisht duhet të sillen si të gjithë qytetarët që kanë për qëllim shtetin ligjor dhe t'i pranojnë pasojat e mosdaljes në zgjedhje, sikurse që do t'i pranojnë këto pasoja edhe 55 përqind e qytetarëve të Kosovës.

Nëse dëshirohet të arrihet një pushtet, i cili ka për synim ushtrimin e ligjit, nuk duhet të bëhen përjashtime për askend, pra as për serbët dhe në këtë kuptim pushteti i ardhshëm duhet të sillet në përputhje jo vetëm me premtimet, por siç sillet çdokund në botë. Çështje tjetër është çka bën UNMIK-u," tha z. Beqaj.

Sipas tij qytetarët që nuk kanë dalë në zgjedhje, përfshirë këtu edhe serbët e kanë përjashtuar veten nga procesi i funksionalizimit të shtetit ligjor. Ai tha se nëse serbët i përfaqëson dikush që nuk ka marrë legjitimitetin nga vota e qytetarëve, kjo do të nënkuptonte shkelje të Kornizës Kushtetuese.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>