BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 28 shtator 2006 - 08:51 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Fried e Schefer thonë se s'ka kthim në të kaluarën

Prishtina
Zyrtarët thanë në Prishtinë se Kosova nuk do të kthehet prapa
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania kanë konfirmuar angazhimin e tyre për përfundimin e procesit të zgjidhjes së statusit të Kosovës gjatë këtij viti.

Ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Daniel Fried ka deklaruar në Prishtinë se e ardhmja e Kosovës nuk do të jetë kthimi në të kaluarën, e as ndërtimi i një Kosove njëetnike.

Ndërsa Drejtori Politik në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Micheal Schefer tha se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të arrihet me kompromisin e të dyja palëve dhe ajo duhet të jetë e balancuar e të mos e poshtërojë askënd.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania janë anëtare të Grupit të Kontakit për Kosovën dhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit, mekanizma këto të cilat do të vendosin për të ardhmen e Kosovës.

Zoti Fried dhe zoti Schefer i dhanë mbështetje kryendërmjetësit Martti Ahtisari për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe afatit kohor që ka vendosur ai për përfundimin e këtij procesi, respektivisht fundit të vitit 2006.

Por zyrtarët ndërkombëtarë nuk deshën të thonë cila do të jetë zgjidhja.

“Unë nuk e di saktësisht cfarë do të jetë e ardhmja e Kosovës, por e di cfarë nuk duhet të jetë. Nuk duhet të jetë e ardhme e nacionalizmit, e një-kombësisë. Duhet të jetë Kosovë shumëetnike, me respekt për trashëgiminë dhe historinë e të gjitha komuniteteve”, tha Ndihmës-sekretari amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi, Daniel Fried.

Ndërsa drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë, Micheal Schefer tha se pakoja për zgjidhjen e statusit të Kosovës duhet të jenë e balancuar për palën shqiptare dhe atë serbe

“Duhet të jetë një zgjidhje që reflekton vullnetin e qytetarëve të Kosovës, kjo është e qartë dhe ne të gjithë e mbështesim këtë. Në anën tjetër duhet të jetë një zgjidhje që nuk e poshtëron askend, në vecanti jo pakicat. Kjo nënkupton se do të ketë kompromis ndërmjet të dyja palëve”, u shpreh zoti Schefer.

Diplomati amerikan Daniel Fried dhe ai gjerman Micheal Schefer thanë se zgjidhja e statusit të Kosovës duhet të prodhojë stabilitet jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon.

Ndërkohë ata tërhoqën vërejtjen se përdorimi i dhunës në Kosovë është i papranueshëm.

“Dhuna nuk është akt i guximshëm por akt qyqar. Ata që ushtrojnë dhunë, ata që u sulmojnë pakicat, ata që shkaktojnë zjarr ose hedhin granata nuk veprojnë si patriotë, ata janë kriminelë dhe duhet të trajtohen si të tillë”, tha Daniel Fried, ndihmës-sekretar amerikan i shtetit për Evropë dhe Euroazi.

Edhe Micheal Schefer, drejtor politik në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë tha se dhuna nuk do të tolerohet, pavarësisht nga kush vjen.

“Dhuna do të dënohet nga ne, pavarësisht ku është burimi i kësaj dhune. Ne kemi të kënaqur që kriminelët apo grupe të kriminelëve që kanë shkaktuar dhunë po ndiqen penalisht dhe po vëhen para drejtësisë”, tha zoti Schefer. Ai shtoi se sundimi i rendit dhe ligjit është element kryesor për ndërtimin e një shoqërie shumëetnike si parakusht për integrimin e Kosovës në strukturat euro atlantike.

Deklaratat e diplomatit amerikan dhe atij gjerman për dhunën në Kosovë pasuan një numër shpërthimesh që kanë ndodhur ditëve të fundit në pjesë të ndryshme të vendit si dhe një përleshje ndërmjet shqiptarëve e serbëve në Mitrovicë dy ditë më parë.

Incidentet janë dënuar nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë.

Grupi i Kontaktit përmes një deklarate të lëshuar nga zyra britanike në Prishtinë ka thënë se Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme dhe ata që kryejnë akte të dhunës duhet ta kuptojnë se ajo është plotësisht e papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare dhe se kjo do të dëmtojë kauzën e tyre, në veçanti në këtë kohë të ndjeshme.

Situata e sigurisë në Kosovë është diskutuar mbrëmë edhe në një takim të kryeministrit Agim Çeku me shefin e UNMIK-ut, Joakim Reucker dhe komandantin e KFOR-it, gjeneralin Roland Kather.

Kryeministri Çeku tha se deri në fund të procesit të zgjidhjes së statusit, gjendja në Kosovë mund të destabilizohet. Ai tha se situata mund të provokohet nga Serbia, por bëri thirrje që kosovarët të mos bien pre e provokimeve të mundshme.

Kreu i qeverisë dhe ata të institucioneve ndërkombëtare vlerësuan se situata në Kosovë është relativisht e qetë.

Kryeministri Ceku, kryeadministratori Ryker dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Kather kanë vendosur të mërkurës që çdo muaj të mbajnë takime për rishqyrtimin e situatës së sigurisë.

LOKALE
Ruecker flet për situatën në Kosovë
27 shtator 2006 | Faqja Kryesore
Grupi i Kontaktit dënon incidentet në Kosovë
26 shtator 2006 | Faqja Kryesore
KS dëgjon raportin e Ahtisaarit për Kosovën
23 shtator 2006 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>