BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 27 shtator 2006 - 07:11 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Ruecker flet për situatën në Kosovë
Administratori Ruecker
Ruecker jep vlerësimin pas vizitës në Bruksel
Shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Joackim Ruecker, i tha BBC-së se i ka dënuar fuqishëm të gjitha incidentet e fundit në Kosovë dhe se u ka premtuar bashkëbiseduesve të tij në Bruksel se fajtorët do të sillen para drejtësisë.

Ruecker që po fliste nga Brukseli, ku u takua edhe me shefin e diplomacisë evropiane Javier Solana, tha se incidentet janë fatkeqe kur kihet parasysh procesi i statusit, sepse sipas tij, ka pasoja të ndërsjella kur ndodhin gjëra të tilla.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Ruecker dhe fillimisht i kërkoi të jepte një vlerësim të takimeve të tij me zyrtarët e lartë evropianë në Bruksel?

Ruecker: Në takimin që kisha me Komitetin për çështje politike dhe të sigurisë, unë e informova për javën në Nju-Jork, për rezultatet e rëndësishme dhe në veçanti, unë nënvizova atë që dëgjuam nga Grupi i Kontaktit. Unë e bëra të qartë se sa e rëndësishme është kjo për punën tonë në terren, sa e rëndësishme është për UNMIK-un dhe porosia ime ishte që të ruhet momenti në procesin e statusit.

BBC: Zoti Ruecker. A keni biseduar ju me zotin Solana dhe me përfaqësuesit e tjerë evropianë për angazhimin e BE-së në Kosovë në të ardhmen?

Ruecker: Po kemi biseduar dhe përgatitjet janë në rrugë e sipër me një bërthamë të zyrës ndërkombëtare civile në Prishtinë, gjithashtu edhe me një ekip të BE-së për planifikim në sektorin e rendit dhe ligjit dhe rreth kësaj është punuar.

BBC: Zoti Ruecker me siguri se jeni përballur edhe me pyetjet rreth sigurisë në Kosovë. Kemi parë një numër incidentesh dhe sipas mendimit tuaj a po ecën Kosova kështu drejt një përshkallëzimi të ri?

Ruecker: Po. Incidentet e fundit kanë qenë pjesë të bisedave të mia këtu në Bruksel dhe unë i kam dënuar ato fuqimisht. Ju kam premtuar bashkëbiseduesve të mi se do të bëhet çdo gjë e mundur që kryesit e veprave të sillen para drejtësisë. Mendoj gjithashtu se këto incidente janë fatkeqe kur kihet parasysh procesi i statusit, sepse ka pasoja të ndërsjella kur ndodhin gjëra të tilla.

BBC: Kur flasim për procesin e zgjidhjes së statusit ka kaluar java e ngjeshur e takimeve në Nju-Jork, ju tani kaluat nëpër Bruskel. Atëherë ku jemi tani? A vazhdoni të besoni se fundi i vitit është afati kohor i duhur për ta zgjidhur këtë çështje?

Ruecker: Mendoj se njerëzit më përgjegjës për t'u përgjigjur në këtë pyetje janë Martti Ahtisaari dhe anëtarët e Grupit të Kontaktit. Por unë do të doja që t'ju përqëndroja vëmendjen tuaj në deklaratën e ministrave të Grupit të Kontaktit nga takimi i fundit në Nju-Jork ku ata kanë përsëritur qëndrimin nga Londra se do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme që të arrihet deri të një zgjidhje, siç e quajnë ata, të negociuar deri në fund të vitit. Dhe mendoj se kjo deklaratë po i përmbahet zhvillimeve.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>