BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 21 shtator 2006 - 22:02 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Moisiu flet për zgjidhje të shpejtë për Kosovën
Presidenti shqiptar Alfred Moisiu
Presidenti Moisiu flet për BBC-në
Presidenti i Shqipërisë Alfred Moisiu, i cili ka marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, i ka deklaruar BBC-së se ka ardhur koha e fundit për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Ai tha se këtë e kanë kuptuar të gjithë, por po mundohen që të jenë të kujdesshëm edhe në raport me Serbinë.

Presidenti Moisiu, në fjalën e tij para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së tha se rasti i Kosovës nuk mund të jetë model i zgjidhjes së krizave të tjera në botë.

Po çfarë nënkuton kjo, e pyeti presidentin Moisiu, korrespondenti i BBC-së Muharrem Nitaj, i cili ndodhet në Nju Jork.

President Moisiu: Unë thashë se problemi i Kosovës kërkon një zgjidhje. Zgjidhja e këtij problemi është pavarësia. Mirëpo kohët e fundit, siç e keni ndjekur, ka disa zëra që thonë se Kosova, shembulli i saj, mund të krijojnë probleme në rajone të tjera. Kjo nuk ka të bëjë fare, sepse Kosova ka kushte historike, kushte gjeografike, kushte morale, krejt të tjera. Në raport me ne, Kosova është në Evropë një herë, pra, nuk është një vend si dokudo. Është në mes të Evropës dhe dihet se çfarë ka ndodhur atje. Dihen shumë mirë të gjitha gjerat, si kanë shkuar rrjedhat. Pra, kemi të bëjmë me një ngjarje, me një problem, që jo vetëm është i njohur më së miri, por nuk është i ngjashëm me asnjë nga problemet për të cilat mund të përfliten se mund të përafrohen me çështjen e Kosovës. Dhe, pikërisht këtë, isha i detyruar ta thoja, se ky është mendimi i shtetit shqiptar.

 Por ky (Kosova) është një problem që ka të bëjë me stabilitetin, paqen dhe qetësinë e rajonit. Dhe, pa zgjidhur këtë problem, Ballkani nuk mund të ketë paqe.
Presidenti shqiptar Alfred Moisiu

BBC: Si është pritur kjo deklaratë e juaja në një organ shumë të rëndësishëm siç janë Kombet e Bashkuara?
President Moisiu: Unë vura re se, sa dola, erdhën shumë njerëz për të më takuar. Ndër delegacionet ishte i pari i Vatikanit që më takoi, ambasadori i Vatikanit. Dhe më bëri çudi se erdhën edhe nga Amerika Latine që më takuan, që më uruan për fjalët që thashë duke më përshëndetur, sigurisht, duke më thënë që 'jemi dakord me atë që the'. Edhe sot, nuk e dij se kush ishte, mbas një takimi që pata edhe me presidentin Mesiç, dikush më ndaloi dhe më përshëndeti dhe tha, 'më pëlqeu shumë fjala juaj', sepse unë fola për disa gjera reale që nuk ka nevojë të stisesh, u tregova i hapur dhe kështu kam qenë gjithnjë për problemin e Kosovës. Në të gjitha takimet ndërkombëtare që kam pasur në Shqipëri dhe jashtë e kam thënë se për këtë problem ne kërkojmë të japim këtë zgjidhje, jo thjesht se jemi shqitparë. Unë, si kryetar i shtetit shqiptar, me kushtetutë kam përgjegjësi për shqiptarët kudo që janë, jam i ngarkuar nga kushtetuta. Por ky është një problem që ka të bëjë me stabilitetin, paqen dhe qetësinë e rajonit. Dhe, pa zgjidhur këtë problem, Ballkani nuk mund të ketë paqe. Evropa duhet t'i mbyllë hesapet e veta, sepse probleme të reja po dalin në botë. Dihet se çfarë po ndodh në Lindjen e Mesme. Detyrimisht Evropa duhet ta zgjidhë, dhe mua më duket se kjo gjë është e qartë edhe për të gjithë të tjerët.

BBC: Zoti president, Ministrat Jashtëm të Grupit të Kontaktit, duke përfshirë edhe atë të Rusisë, kanë mbajtur një takim dhe kanë dalë me qëndrime të qarta se asnjëra nga palët nuk do të mund ta pengojë procesin në mënyrë të njëanshme dhe se statusi i Kosovës duhet patjetër të zgjidhet brenda vitit 2006. Si e vlerësoni ju angazhimin e fuqive të mëdha, duke përfshirë këtu edhe Rusinë?
President Moisiu: Unë kam pasur disa takime me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe me drejtorë të Anglisë dhe të Francës në Tiranë, që bëjnë pjesë në Grupin e Kontaktit. Kemi pasur biseda të hapura, të sinqerta, të çiltra dhe në ato që kam biseduar gjatë këtyre takimeve dilte e qartë se ata ishin të vendosur për t'i dhënë zgjidhjen e duhur, atë që kërkojnë shqiptarët. Sepse nuk mund të ketë disa standarde. Mori pavarësinë Mali i Zi me 55 për qind (të votës). Kosova me 90 për qind dhe ta diskutosh...? Kjo është një gjë që nuk qëndron gjëkundi, nuk përputhet me asnjë standard ndërkombëtar. Dhe pikërisht këtë gjë ata tashmë e kanë kuptuar. Sigurisht, Evropa në tërësi, dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe organizatat ndërkombëtare kërkojnë që këtë ta bëjnë me një mirëkuptim sa më të madh me Serbinë, duke u përpjekur të mos krijojnë probleme atje. Por mua më duket se e kanë gabim, se Serbia shpëton. Unë këtë ia kam thënë madje edhe presidentit Tadiq, para pak ditësh në pritjen e (presidentit) Bush. Pata një takim më të, ku ishim disa presidentë të rajonit, dhe i thashë do të shpëtoni edhe ju, sepse 'ju keni hallet tuaja', dhe kanë halle vërtetë.

BBC: Cila ishte përgjigja e presidentit Tadiq?
President Moisiu: Presidenti Tadiq, dihet se çfarë përgjigje jep. Përgjigja e tij është e njohur unë kam për detyrë t'i them mendimin tim dhe t'ia bëj të qartë atij se po ngul këmbë kot. Dhe ata e dijnë ... se ky problem ka marrë tashmë rrugën e duhur.

BBC: Zoti presidenti, Shqiëëria nuk ka qenë gjotzhmonë në pozitë të vaforshme për ta ndihmuar shumë çështjen e Kosovës. Cili është aktualisht roli i Shqipërisë, shtetit shqiptar, në zgjidhjen e këtij problemi, duket i madhi në Ballkan aktualisht?
President Moisiu: Shihni, unë do të bëjë një korrigjim të vogël. Nuk është se Shqipëria nuk ka qenë në gjendje. Shqipëria ka qenë në gjendje dhe e ka bërë detyrën. Duke filluar që nga unë, paraardhësit e mij, të gjithë politikanët shqiptarë, pavarësisht nga problemet e brendshme që kemi patur, në këtë problem kemi qenë unik, që Kosova duhet të marrë pavarësinë dhe, ua thashë edha pak më parë, jo thjesht se jemi shqiptarë, por në kuadrin e zgjidhjes së problemit të qetësisë dhe paqes në rajonin tonë. Ne të gjthë po përpiqemi të integrohemi tani në Bashkimin Evropian dhe unë kufijtë gjithnjë i kam konceptuar kështu, që integrimi i kthen kufijtë në çështje konvencionale, pra, kufiri ka rëndësi vetëm për disa probleme jo më të rëndësishme, jo si dikur.

BBC: Zoti president, ju thatë se tashmë duket qartë se Kosova do të jetë shtet i pavarur, shteti më i ri në Evropë. A forcohet pozita e Shqipërisë duke qenë edhe Kosova shtet i pavarur, duke pasur dy shtete me shumicë shqitapre, apo ndoshta eventualisht, në një farë mënyre, mund të ketë një konkurencë në kuptimin pozitiv të fjalës?
President Moisiu: Unë nuk shoh ndonjë konkurencë këtu, të them të drejtën, sepse Shqipëria është ajo që është, ne po mbushim gati 100 vjet të krijimit të shtetit shqiptar, ndërsa Kosova, e cila është shkëputur padrejtësisht nga trungu kombit shqiptar, do të krijojë shtetin e saj. Dhe disa institucione të rëndësishme i ka ngritur dhe ne po japim ndihmesën e duhur në ato raste që është kërkuar, që vërtet edhe ata të ecin brenda normave dhe kushteve të kërkesave të Bashkimit Evropian në tërësi, të dokumentave ndërkombëtare. Unë mendoj se, pavarësisht se janë dy shtete shqiptare, ne nuk jemi një shembull i veçantë, kemi Rumaninë dhe Moldavinë, kemi Austrinë dhe Gjermaninë që kanë të njëjtën gjuhë. Pra nuk jemi ne një gjë e veçantë në këtë rast

BBC: Zoti president, në Nju Jork ndodhet edhe presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu. E keni takuar?
President Moisiu: Unë sapo e mora vesh që ai ka ardhur dhe patjetër që do të takohem.

BBC: Keni takuar zyrtarë të tjerë që janë afër procesit të Kosovës, kam parasysh kreun e UNMIK-ut dhe pushtetarë të rajonit?
President Moisiu: Sigurisht, kam pasur takime me kryeministrin e Malit të Zi, me presidentin e Kroacisë Mesiq, cili është një njeri që vërtet ka një vizion shumë të qartë për problemin shqiptar dhe është dashmirës i zgjidhjes së këtij problemi ashtu siç e duam edhe ne. Në të njëjtën kohë kam pasur edhe takime të tjera me personalitete të ndryshme, jo bilaterale si në këtë rast, por në biseda kemi biseduar për Kosovën dhe sigurisht që unë kam ngritur dhe kam mbrojtur tezën që tashmë dihet.

BBC: Si e vlerësoni këtë javë të ngjeshur për Kosovën, takimi i Grupit të Kontaktit, takimi i drejtorëve politikë dhe pastaj ministrave të jashtëm, një takim të NATO-s dhe së fundmi takimi i Këshillit të Sigurimit?
President Moisiu: Do të thoja që kjo është java përmbyllëse, sepse gjatë të gjithë vitit, sidomos gjatë këtij viti, është punuar me intensitet, si edhe gjatë viteve të mëparshme, por tani nga të gjithë është kuptuar, është e qartë se ky problem nuk mund të lihet për më tej. Unë kam pasur dy takime në të shkuarën me Kofi Annanin dhe i kam thënë se problemi i Kosovës duhet zgjidhur sepse sa më shumë të zgjatet aq më shumë rrezikshmëri ka, duke pasur parasysh se ka ekstremistë nga të dy krahët dhe sepse ekstremistët, për arsye nga më të ndryshmet, veprojnë me ato mënyra që ata i quajnë më të nevojshme dhe më të dobishme për punën e tyre. Pra, të gjithë e kanë kuptuar, e kanë të qartë, që ky problem nuk ka më asnjë arsye që të zgjatet më tej.

BBC: President Moisiu, ne e filliam intervistën me problemet e Kosovës, sepse zhvillimet kryesore në Nju Jork kanë pasur lidhje me Kosovën, por, megjithatë, ju përfaqësoni shtetin shqiptar. Si shihet aktualisht Shqipëria në sytë e faktorit ndërkombëtar, në strukturat ku vendoset për lëvizjet demokratike dhe politike, siç janë edhe Kombet e Bashkuara?
President Moisiu: Mendoj se Shqipëria shihet si një vend demokratik, një vend që ka arritjet e saj, politike, ekonomike e kulturore, dhe sigurisht, pavarësisht nga problemet që ne kemi patur, duhet të themi këtë, që shqiptarët janë një popull punëtor, një popull që e do jetën, do të jetojë sa më mirë që të jetë e mundur dhe me djersën e ballit. Dhe po të shohësh nga bizneset e krijuara, jo vetëm në Shqipëri, por edhe nga emigrantët në Itali e Greqi, janë shumë të suksesshme. Unë isha në një tryezë me kryeministrin italian (Romano) Prodi dhe ai po fliste me shumë respekt për emigrantët tanë që janë në Itali. Dhe kur unë po i sillja një shembull që në rajonin e Lombardisë janë mbi 3200 biznese shqiptare, ai tha se janë më shumë. Ishte në korrent të kësaj situate dhe me të vërtetë foli me një konsideratë të veçantë për shqiptarët dhe në tërësi për marrëdhëniet italiano-shqiptare, të cilat do të vijnë duke u përmirësuar akoma më tej

BBC: Keni në axhendën tuaj ndonjë vizitë në Kosovë dhe kur?
President Moisiu: Unë kam qenë në Kosovë si president. Dhe si qytetar kam qenë dy-tri herë dhe kemi biseduar me presidentin Sejdiu gjatë vizitës që ishte në Tiranë. Ka mundësi që në muajin tetor të kemi një takim diku në kufi për inaugurimin e një rruge, rruga që është bërë midis Tropojës dhe Gjakovës, megjithatë nuk e kemi vendosur përfundimisht.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>