|
Grupi i Kontaktit dënon incidentet në Kosovë | |||||||||||||||||||||||
Përfaqësuesit e Grupit të Kontaktit në Prishtinë kanë dënuar aktet e dhunës në disa rajone të Kosovës dhe u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkëpunojnë me organet e ndjekjes për të kapur autorët e incidenteve. Grupi i Kontaktit ka thënë se të gjithë ata që e mbështesin lirinë dhe demokracinë kanë një rol për të luajtur në krijimin e rendit dhe ligjit për të gjithë në Kosovë dhe njëkohësisht edhe për të ndihmuar policinë që të sjellë para drejtësisë përgjegjësit e sulmeve. “Kosova ndodhet në një periudhë të rëndësishme dhe ata që kryejnë akte të dhunës duhet ta kuptojnë se ajo është plotësisht e papranueshme për bashkësinë ndërkombëtare dhe do të dëmtojë kauzën e tyre, në veçanti në këtë kohë të ndjeshme. Zhvillimet në Kosovë po përcillen me vëmendje të posaçme,” ka thënë Grupi i Kontaktit përmes një deklarate për shtyp të lëshuar nga zyra britanike në Prishtinë. Grupi i Kontaktit u ka bërë thirrje të gjithëve që të tregojnë tolerancë dhe përmbajtje dhe të realizojnë objektivat e tyre vetëm me mjete paqësore dhe demokratike. “Bashkësia ndërkombëtare po kërkon dëshmi të qarta për përkushtim për të përcjellur normat demokratike në realizimin e qëllimeve politike, që të respektohen të drejtat e të gjitha bashkësive dhe të promovohet pajtimi dhe të ndërtohet besimi mes tyre”, thuhet në një deklaratë të Grupit të Kontaktit. Incidentet në Kosovë u dënuan edhe nga Grupi Negociator i Kosovës i cili ka bërë thirrje për qetësi. Presidenti Fatmir Sejdiu tha pas takimit të Grupit Negociator të martën se autorët e incidenteve janë kundërshtarë të pavarësisë së Kosovës. Ai i është referuar me këtë rast incidenteve në gjithë Kosovën në javët e fundit dhe i ka bërë thirrje autoriteteve të ndjekjes që të kapin autorët e tyre. Në prag të zgjidhjes së statusit të saj, gjendja e sigurisë në Kosovë është vlerësuar si e mirë, megjithëse ka patur disa shpërthime në qytete të Kosovës dhe një përleshje mes shqiptarëve dhe serbëve në veri të Mitrovicës. Presidenti Sejdiu ka thënë është e nevojshme që të ruhet stabiliteti në Kosovë dhe të zvogëlohet, siç tha, hapësira për incidente. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||