BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E shtunë, 23 shtator 2006 - 04:29 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
KS dëgjon raportin e Ahtisaarit për Kosovën

Këshilli i Sigurimit
Këshilli i Sigurimit dëgjoi paraqitjen e të dërguarit për statusin
Këshilli i Sigurimit i OKB-së është mbledhur të premten për të dëgjuar një raport mbi mbarëvajtjen e procesit negociator për Kosovën, të paraqitur nga i dërguari i posaçëm Martti Ahtisaari.

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit është paraqitur edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ndërkohë që anëtarët e organit më të lartë të OKB-së i ka takuar edhe presidenti kosovar Fatmir Sejdiu.

Takimi i Këshillit të Sigurimit të OKB-së filloi me paraqitjen e presidentit të Serbisë Boris Tadiq për të vazhduar më tutje gjatë ditës me paraqitjet e të dërguarit të posaçëm për statusin Martti Ahtisaari dhe në orët e vonshme të pasdites të presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Presidenti serb, Tadiq, ka paraqitur fillimisht pikëpamjet e tij për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe burime brenda takimit, që ishte i mbyllur, thonë se ai ka kërkuar mbështetjen e ambasadorëve të Këshillit të Sigurimit për planin serb për Kosovën.

Mësohet gjithashtu se presidenti serb Tadiq, ka kërkuar nga Këshilli i Sigurimit që të shtyjë procesin e zgjidhjes së statusit për pak muaj, për faktin se siç ka thënë ai, kjo kjo do t'i mundësonte forcave demokratike serbe të fitojnë zgjedhjet e parapara të mbahen në Serbi diku kah muaji janar.

Më tej thuhet se zoti Tadiq ka thënë se procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës do të mund të ndikonte fuqishëm në zgjedhjet serbe dhe do të mund të ndryshonte raportin e forcave politike në favor të radikalëve.

Por mësohet se përveç përfaqësuesit të Rusisë në Këshillin e Sigurimit, që ka ripërsëritur qëndrimin për mosshpejtim në zgjidhjen e statusit dhe përkrahjen për Serbinë, asnjë nga anëtarët e tjerë të Këshillit nuk e ka përkrahur idenë e shtyrjes së procesit të zgjidhjes së statusit dhe kanë këmbëngulur që kjo të bëhet brenda vitit 2006.

Takimi i Këshillit të Sigurimit ka vazhduar më tej me paraqitjen e një raporti të të dërguarit të posaçëm të OKB-së për statusin, Martti Ahtisaari dhe kërkesën e tij që raporti me rekomandimet për zgjidhjen e statusit të bëhet sa më shpejtë të jetë e mundur.

Burime të afërta me takimin thonë se anëtarët e Këshillit të Sigurimit kanë kërkuar të njihen më për së afërmi me gjendjen në Kosovë dhe mësohet se deklarata e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, për mundësinë e përshkallëzimit të situatës në rast të mos zgjidhjes së problemit të Kosovës brenda vititi 2006, të ketë shkaktuar reagime të fuqishme të zyrtarëve ndërkombëtarë.

Mirëpo, zoti Ahtisaari duke u bazuar në deklaratën e Grupit të Kontaktit, që u takua dy ditë para mbledhjes së KS, ka thënë se zgjidhja e statusit duhet të bëhet brenda vitit 2006 dhe ka shtuar se bisedimet në nivel teknik do të vazhdojnë edhe në javët në vijim.

"Bisedat teknike në disa fusha duhet të vazhdojnë ende dhe unë e kam thënë se jam i gatshëm të vazhdojë këto biseda për aq gjatë sa mendoj se mund të prodhojnë një rezultat. "

"Ideja është që përmes këtyre bisedimeve teknike të krijohen kushtet në Kosovë për të gjithë, që të jetojnë më mirë se sa jetojnë tani. Kjo është me rëndësi sepse do të sjellë së bashku palët aty ku unë mendoj se do të duhej të ishin," tha zoti Ahtisaari.

Por ai nuk dha ndonjë afat të përcaktuar se kur do të mund të paraqitet raporti i tij me rekomandimet për statusin, megjithëse pohoi se do të punojë ngusht me Grupin e Kontaktit dhe KS për të nxjerrë rekomandimet.

"Propozimi ynë do të reflektojë rezultatin e bisedimeve që kemi zhvilluar. Unë mendoj se gjëja më e mirë është se palët e dinë tani se ku duam ne të jemi në këto çështje prandaj nuk do të ketë shumë befasi kur unë ta paraqes idenë time."

"Sepse është menduar të arrihet aty ku unë kam menduar se mund të arrihet."

Por palët nuk kanë arritur deri aty ende, tha Martti Ahtisaari duke shtuar se nuk beson se ndonjëra palë do të mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga bisedat.

"Unë personalisht nuk e besoj se kjo do të ndodhë. Të dyja palët më kanë siguruar se do të vijnë dhe kurdo që t'i thërrasë do të vijnë."

Unë mendoj se gjëja kryesore është se Grupi i Kontaktit ishte shumë i qartë se kur ky process të fillojë asnjëra palë nuk do të lejohet ta bllokojë atë.

Që nga fillimi në bazë të parimeve udhëzuese kjo ishte shumë e qartë.

Prandaj kur palët e dijnë këtë nuk pres që ato të tërhiqen nga procesi, tha Ahtisaari.

Ai e ka kundërshtuar idenë se rasti i Kosovës do të mund të shënonte një precedent në botë dhe në krahasim me krizat e tjera duke e quajtur Kosovën si rast unik.

"Së pari unë nuk mendoj se problemet e tjera mund të krahasohen me këtë çështje. Argumenti im ka qenë dhe mbetet se ky është një problem unik dhe ka historinë e tij, sikur të gjitha konfliktet e tjera."

"Unë gjithmonë kam thënë qartë se ky është një rast special dhe kur bëhet fjalë për problemet e tjera në botë, nëse ka vullnet që të zgjidhen ato në KS të OKB-së, unë gjithmonë shpresoj se njerëzit do ta shfrytëzojnë OKB-në për këtë."

"Atëherë duhet të kuptojmë se KS i OKB-së gjithmonë duhet të pajtohet, do të thotë 5 anëtarët e KS që të gjitha kanë të drejtën e vetos. Prandaj mendoj se ky precedent ka më shumë aspekte politike se sa çdo gjë tjetër, ka thënë presidenti Ahtisaari.

Takimi i Këshillit të Sigurimit ka vazhduar me paraqitjen e presidentit të Kosovës Fatmir Sejdiu.

LOKALE
Kosova diskutohet në Këshillin e Sigurimit
22 shtator 2006 | Faqja Kryesore
Shefi i UNMIK-ut flet për takimin e Nju Jorkut
21 shtator 2006 | Faqja Kryesore
Grupi i Kontaktit bën thirrje për bashkëpunim
21 shtator 2006 | Faqja Kryesore
Intervistë me zyrtaren Rosmary DiCarlo
21 shtator 2006 | Faqja Kryesore
'Zgjidhja e statusit - në rrugë të drejtë'
20 shtator 2006 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>