|
'Zgjidhja e statusit - në rrugë të drejtë' | |||||||||||||||||||||||
sh-kryeadministratori i OKB-së në Kosovë, Soren Jessen-Petersen, i ka thënë BBC-së se rezultati përfundimtar i bisedimeve për statusin e ardshëm të Kosovës do të jetë pavarësia e saj duke shtuar se me rëndësi për të tani është ndarja e saj nga Serbia. Me zotin Petersen bisedoi Arbër Vllahiu duke e pyetur fillimisht se cilat ishin komentet e tij për zhvillimet e fundit në Kosovës dhe për Kosovën: Soren Jessen-Petersen: Duhet te jem i kujdesshëm kur komentoj situatën në Kosovë nga larg. Këtë mund ta bëjnë më mirë njerëzit që ndodhen atje. Nga kontaktet që kam, dhe kam shumë të tilla, fitoj përshtypjen se situata është ende e qëndrueshme dhe e mirë, e dyta, që është gjithashtu shumë e rëndësishme, meqë ndërlidhet me këtë, është se procesi i zgjidhjes së statusit është në rrugë të drejtë. Besoj ne në këtë proces jemi po aty ku kemi dashur dhe shpresuar të jemi, kur e nisëm 12 muaj më parë. Në përgjithësi gjërat po ecin në drejtimin e duhur dhe unë jam i binudr se po i afrohemi gjithnjë e më shumë vendimit për statusin. BBC: Kur thoni se jemi shumë afër zgjidhjes a do të thotë kjo se duhen pak javë apo mbase edhe më shumë kohë për të ardhur deri tek vendimi? Soren Jessen-Petersen: Së pari unë nuk kam dëgjuar as parë diçka që do të ndryshonte qëndrimin për zgjidhjen e statusit këtë vit. E kam thënë vitin e kaluar dhe e kam përsëritur në fillim të këtij viti se po presim zgjidhjen e statusit dhe këtë vazhdoj ta bëj edhe tani. Sikurse e thashë, nuk kam parë e as dëgjuar diçka që nuk shkon sipas asaj që ne e kemi paramenduar. Unë prandaj e pres zgjidhjen para fundit të këtij viti dhe mendoj se arsyet për ta zgjidhur atë janë të njëjta. Kosova për shtat vjet ka qenë, siç e quaj unë, një operacion në pritje për më shumë se shtatë vjet dhe unë mendoj se ishte kohë tepër e gjatë. Mendoj se për një qëndrueshmëri dhe përparim ekonomik në Kosovë na duhet një vendim dhe vendimi është i nevojshëm edhe për vetë rajonin. Por, unë nuk shoh se mund të fitohet diçka duke e shtyrë këtë çështje. Ishte me rëndësi se u mbajtën shumë takime në Vjenë dhe, sipas përshtypjes sime, delegacioni kosovar ishte i dobishëm dhe bashkëpunues, duke demonstruar një interesim për të biseduar. Është arritur një përparim, pavarërisht se delegacioni i Beogradit ka treguar shumë pak vullnet për të ecur përpara. Duhet ta pyesim veten se çfarë përfitojmë duke e shtyrë zgjidhjen? Mendoj se vendimi deri në fund të këtij viti është ende në axhendë dhe, siç e thashë, është me rëndësi të posaçme për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe vetë rajonit që kjo copëz e fundit e mozaikut të zgjidhet dhe që rajoni e Kosova të ecin përpara. BBC: Zoti Jessen-Petersen kjo javë duket të jetë një javë e rëndë diplomatike në Nju Jork. A është kjo java vendimtare për Kosovën? Soren Jessen-Petersen: Fillimisht unë s'jam i përfshirë drejtpërdrejt, prandaj është e vështirë për mua të përgjigjem dhe kjo i takon të dërguarit të posaçëm për statusin. Por, është një javë me rëndësi sepse ka shumë takime dypalëshe të Këshillit të Sigurimit, Grupit të Kontaktit, NATO-s dhe shumë nga këto takime do të kenë të bëjnë me Kosovën. Nuk mendoj se kjo javë është vendimtare, por është me rëndësi që të sigurohemi se ky proces do të zhvillohet sipas qëllimeve të përcaktuara në mënyrë që të kemi një vendim në vitin 2006. Pra, të jemi të sigurtë se ky proces vazhdon të jetë në binarë, si përsa i përket afatit, ashtu edhe substancës. Unë mendoj se është një javë e rëndësishme, megjithëse nuk do ta quaja vendimtare meqë ditët vendimtare do të vijnë nga fundi i këtij viti. Por, është me rëndësi që kjo javë ta lëvizë procesin përpara. BBC: Kur ishit në Kosovë patët thënë se e dini ditën se kur do të vini për të kremtuar fundin e procesit. Ende jeni optimist se e dini datën dhe madje edhe rezultatin e bisedimeve? Soren Jessen-Petersen: Mendoj se zgjidhja është më e qartë se sa data. Rezultati është i qartë dhe ju duhet të shihni që, siç kam thënë shumë herë më parë dhe siç ka thënë Grupi i Kontaktit, zgjidhja duhet të jetë e pranueshme për shumicën. Por, shumica është përgjegjëse që ta bëjë atë të pranueshme për pakicën. Shikojini parimet, thuhet se nuk ka kthim në gjendjen e para vitit 1999, nuk ka ndarje dhe duhet të jetë zgjidhje e pranueshme. Dhe ka vetëm një rezultat e të gjithë ne e dimë se Kosova do të jetë e pavarur. Por, është me rëndësi që kjo të bëhet në atë mënyrë që secili në Kosovë të ndjehet mirë. Mundet që jo të gjithë ta duan, ta pranojnë ose përqafojnë këtë zgjidhje dhe e dimë se serbët e Kosovës nuk do ta bëjnë një gjë të tillë. Por, mendoj se shumica në Kosovë ka përgjegjësi që të sigurojë që e ardhmja e tyre të jetë e garantuar dhe po bëhet për këtë qëllim. Pra, statusi është i qartë dhe nuk ka dyshim për këtë. Por, sa i përket datës, unë e kam thënë, dhe besoj se Grupi i Kontaktit e kishte seriozisht kur ka thënë se do ta bëjë këtë në vitin 2006. Prandaj, do të jetë brenda tre muajsh. Sikur e kam thënë më herët, nuk besoj se do të përfitojmë diçka duke e shtyrë zgjidhjen. Rezultati është i qartë dhe secili e di se çfarë duhet bërë. Ajo që na duhet tani është t'i sigurojmë të gjithë se kanë një të ardhme. Prandaj në këtë mes është me rëndësi të posaçme që për këtë të sigurohen edhe serbët e Kosovës. BBC: Por, si do ta siguroni ju, pra bashkësia ndërkombëtare, Beogradin që ta pranojë këtë zgjidhje? Soren Jessen-Petersen: Ne kemi parë deklaratat e fundit në Beograd, mendoj nga kryeministri Koshtunica, që lë të kuptojë se do të jetë e vështirë për Beogradin që ta pranojë zgjidhjen. Mendoj se është me shumë rëndësi që kur flasim për stabilitetin e Kosovës, e dimë se nuk do të ketë stabilitet nëse rajoni nuk është i qëndrueshëm. Është me rëndësi që bashkësia ndërkombëtare ta kuptojë se kjo është e vështirë për Beogradin, por edhe që ai të mos e përdorë këtë si një arsyetim për të mos lëvizur. Bazuar në përvojën time, popujt e rajonit, përfshirë edhe Serbinë, kanë nevojë për një perspektivë të qartë evropiane. Me këtë perspektivë evropiane, me një ekonomi dhe liri të lëvizjes, njerëzit mund të lëvizin lirshëm gjithandej. Por, në një afat të shkurtër për Beogradin do të jetë shumë e vështirë që të pranojë zgjidhjen dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë. Mendoj se në një afat të mesëm dhe të gjatë perspektiva evropiane do t'ju dëshmojë se ku është e ardhmja e rajonit. Është me shumë rëndësi për Serbinë që të ecë drejt një Evrope të integruar dhe të mos merret me Kosovën që praktikisht për të është e humbur. BBC: Por, çka me zhvilimet e tjera. Ka patur biseda dhe ka patur edhe thash e theme posaçërisht kur bëhet fjalë për procesin e decentralizimit. Shumë është folur se po bëhet mbi bazën etnike? Soren Jessen-Petersen: Unë nuk pajtohem me ato që thuhen për decentralizimin. Ai është një çështje ku qytetarëve u mundësohet të thonë më shumë për mënyrën e qeverisjes lokale. Ky është decentralizimi. Kur fillimisht ke në përgjegjësi arsimin, shëndetësinë pastaj edhe drejtësinë e policinë në nivel lokal, atëherë mund të kesh të drejtë të shprehesh se si është qeverisur. Kjo është ajo që duan njerëzit. Mendoj se propozimet e bëra nga delegacioni kosovar janë të mira. Unë jam ende i bindur, bazuar në përvojat e mia të mëhershme në rajon dhe në vendet e tjera në botë, se një nivel i bashkëjetesës, pra një nivel, do të fillojë pasi ta kemi zgjidhur statusin. Është një përvojë imja, pas dy viteve të shërbimit në Kosovë, se nuk do të kemi asnjë lloj integrimi, as edhe bashkëjetesë deri sa statusi të jetë i pazgjidhur. Sepse e di se shqiptarët janë ende të shqetësuar për mundësinë e kthimit të së kaluarës, pavarësisht nga të gjitha deklarimet ndërkombëtare se nuk do të ketë kthim dhe as ndarje. Ky dyshim vazhdon të ekzistojë dhe unë e shoh këtë si arsye që shqiptarët ende ngurojnë t'u ofrohen serbëve të Kosovës. Në këtë pikë mund të them se jam i zhgënjyer, ngaqë mendoj se kanë mundur të bëjnë më shumë dhe mund të bëjnë më shumë. Por, mendoj se në kohën kur të zgjidhet statusi, dhe shqiptarët ta kuptojnë se kanë fituar atë që kanë dashur, do të shohim më shumë afrim të sinqertë. Përsa u përket serbëve të Kosovës, ata janë të shqetësuar për të ardhmen dhe ngurojnë të pranojnë çdo dorë që u shtrihet, ata ngurojnë edhe të integrohen ose të bashkëjetojnë. Ata s'po bëjnë asgjë rreth statusit, sepse nuk duan që të lënë të kuptohet sikur po e pranojnë zgjidhjen. Kur të zgjidhet statusi do të shohim një shkallë të bashkëjetesës dhe mendoj se shumëçka gjendet në këtë paketë të decentralizimit. BBC: A mendoni ju se do të ketë një zgjidhje të imponuar për Kosovën apo ka ende shpresë për të gjetur një zgjidhje të negociuar? Soren Jessen-Petersen: Duke parë deklaratat, p.sh. këtë të fundit nga kryeminstri Koshtunica, në të nuk kam vënë re asgjë që do të sugjeronte se do të ketë marrëveshje. Sikur e thashë, në shumë fusha shqiptarët kanë arritur suksese, por jo në atë themeloren për statusin e Kosovës. Unë kam thënë se mund të shtyhet zgjidhja për 50 vjet dhe do të kemi sërish dallime themelore mes Prishitnës e Beogradit. Prandaj, është shumë më mirë ta zgjidhim tani kur ka mundësi të arrihet marrëveshja. Nëse ajo nuk arrihet, ne vazhdojmë të kemi nevojë për një zgjidhje, prandaj ta marrim vendimin, pavarësisht nëse njëra palë apo tjetra e pëlqen atë. Dhe, kjo është situata tani. Por, duhet shtuar se në këto lloj vendimesh duhet bërë ç'është e mundur për t'u dhënë siguri atyre që mund të mos e duan atë zgjidhje. Pas kësaj vjen një ditë dhe pas saj një e ardhme. Pas dy vjetëve në Kosovë do të isha shumë i zhgënjyer nëse rezultati i kësaj do t'i bënte njerëzit të paguajnë çmimin, duke mos mundur të jetojnë aty ku kanë jetuar deri tani. BBC: Më lejoni t'ju pyes a do të jetë kjo pavarësi e plotë me sovranitet apo një pavarësi e limituar, e kontrolluar nga ndërkombëtarët për disa vjet? Soren Jessen-Petersen: Nuk do të pajtohesha me disa nga fjalët që thatë. Unë nuk e pëlqej termin 'pavarësi e kontrolluar'. Mendoj se është me rëndësi të thuhet se në botën e sotme të integruar të gjitha vendet japin diçka nga sovraniteti i tyre, por marrin më shumë. Do të bëheni anëtar i BE së integruar, ju jepni pak nga sovraniteti juaj, por merrni më shumë, sepse do të jeni pjesë e një sovraniteti kolektiv. Në momentin kur bëheni pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, bëheni edhe pjesë e kushteve të saj. Në çastin kur Kosova të fitojë pavarësinë do të vendosen kushte të ndryshme nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore e të tjerë. Nuk mendoj se sot mund të flitet për një sovranitet të plotë. Ajo që është me rëndësi për Kosovën është ndarja me Serbinë dhe kjo është ajo që unë e kam kuptuar gjithmonë dhe për këtë nuk ka dyshime. Ajo që do të pasojë mund të jetë një lloj periudhe tranzitore dhe sinqerisht nuk e di. Por, ajo që e di është se rezultati përfundimtar do të kënaqë shumicën dërmuese në Kosovë dhe unë shpresoj se serbët e Kosovës nuk do ta shohin këtë si fundin e botës dhe as si ditën e fundit të jetës. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||