BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 19 nëntor 2007 - 07:44 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
'Ndërtoni sa më shpejt institucionet e reja'
Joackim Ruecker
"Pasojat e bojkotit serb duhet të minimizohen"
Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker i ka porositur udhëheqësit kosovarë që të ndërtojnë sa më shpejt institucionet e reja pas zgjedhjeve të së shtunës.

Këto institucione, tha ai, "i presin vendime të rëndësishme në javën dhe muajt e ardhshëm" kur pritet të përfundojë procesi i zgjidhjes së statusit të Kosovës.

Në një intervistë dhënë BBC-së z. Ruecker tha se serbët e Kosovës nuk duhet të ndëshkohen për bojkotimin e zgjedhjeve dhe pasojat e mosdaljes së tyre në votime duhet të minimizohen.

Sipas kreut të UNMIK-ut, pjesëmarrja e ulët e votuesve në zgjedhjet e së shtunës, është rezultat i kushteve atmosferike dhe pakënaqësive të qytetarëve me situatën politike në Kosovë.

Me zotin Ruecker bisedoi korrespondentja jonë në Prishtinë, Violeta Hyseni.

BBC: Zoti Ruecker ku i shihni arsyet e pjesëmarrjes së ulët të votuesve në zgjedhjet e së shtunës në Kosovë?

Ruecker: Mendoj se ka disa arsye dhe unë vazhdoj të besoj se kushtet atmosferike kanë ndikuar në daljen e ulët të votuesve, së paku në pjesën lindore të Kosovës ku unë isha në ditën e votimeve.

Por mendoj se po ashtu, njerëzit janë të lodhur dhe të frustruar me situatën e përgjithshme dhe kjo mund të ketë pasur ndikim.

Gjithashtu është një prirje në të gjitha demokracitë, në të cilat dalja në zgjedhje nuk është e detyrueshme por bëhet sipas dëshirës, atëherë kemi pjesëmarrje më të ulët të votuesve.

Ky është një problem i përgjithshëm me të cilin duhet të merren të gjitha demokracitë.

BBC: Zoti Ruecker, serbët iu bindën thirrjeve të Beogradit për bojkotim të zgjedhjeve në Kosovë. Cilat do të jetë pasojat e mosdaljes së tyre në votime?

Ruecker: Mendoj se ne duhet të shikojmë të minimizojmë pasojat. Komuniteti serb është pjesë e Kosovës dhe është pjesë e kësaj shoqërie. Ky është një segment i rëndësishëm.

E ardhmja e Kosovës duhet të jetë jo vetëm demokratike por edhe shumëetnike, prandaj ne duhet të bëjmë çmos që të përpiqemi të ndërtojmë ura dhe të mbajmë kontakte të afërta me komunitetin serb.

Unë shpresoj që në zgjedhjet e ardhshme serbët do të marrin pjesë në numër më të madh dhe ata nuk do të ndihen nën presion dhe të frikësuar, siç ishin dje shumica prej tyre.

BBC: Çfarë do të ndodhë me komunat serbe në veri të Kosovës pas bojkotimit të procesit zgjedhor atje. A do t'i rizgjidhni ju strukturat komunale apo do t'ju vazhdohet mandati atyre ekzistuese?

Ruecker: Siç e dini, mandati i komunave aktuale është zgjatur deri në certifikimin e rezultateve për zgjedhjet komunale dhe kjo do të marrë javë e jo ditë. Ne do të kemi kohë të ulemi të analizojmë situatën deri në çertifikimin e rezultateve.

BBC: Zoti Ruecker, sipas rezultateve të parakohshme vërehet një ndryshim në skenën politike. Si i komentoni këto ndryshime?

Ruecker: Kjo është natyra e demokracisë dhe nuk është jonormale që pas një periudhe kohe të konfigurimit ndërmjet koalicionit qeverisës dhe opozitës, opozita t'i fitojë zgjedhjet. Këtë po e shohim tani në Kosovë.

BBC: A keni qenë të befasuar nga këto rezultate?

Ruecker: Unë i kam parë disa rezultate të votimeve dhe nuk jam shumë i befasuar. Duhet të presim rezultatet e parakohshme zyrtare. Deri më tani këto janë vetë parashikime.

BBC: Dhe cili është mesazhi juaj për udhëheqësit kosovarë?

Ruecker: Mesazhi im i parë për udhëheqësit politikë është që t'u afrohen atyre njerëzve që nuk kanë dalë në zgjedhje, pavarësisht a bëhet fjalë për komunitetin shqiptar apo serb dhe t'u bëjnë të qartë atyre se kjo është një shoqëri në rrugën e vet drejt një periudhe të re politike në historinë e Kosovës dhe të gjitha bashkësitë etnike janë pjesë e kësaj historie, sidomos komuniteti serb.

Pra, mesazhi im i parë është zgjatjani dorën atyre njerëzve, sidomos serbëve.

Mesazhi im i dytë për udhëheqësit kosovarë është të përpiqen të kenë gjithmonë institucione funksionale demokratike. Mendoj se do të jetë mirë që Kuvendi i ri të konstituohet me kohë, po ashtu edhe qeveria dhe të mos ketë vonesa.

Mendoj se nëse kemi qeveri të qëndrueshme, kjo do të krijojë shumë përparësi për javët dhe muajt e ardhshëm me vendime shumë të rëndësishme.

LOKALE
Nënkryetari i LDK-së pranon humbjen
18 nëntor 2007 | Faqja Kryesore
Vëzhguesit të shqetësuar për pjesëmarrjen
18 nëntor 2007 | Faqja Kryesore
Reagimet e Beogradit për zgjedhjet
18 nëntor 2007 | Rajoni
Partosh për zgjedhjet në Kosovë
18 nëntor 2007 | Faqja Kryesore
Pjesëmarrje e ulët në votime
18 nëntor 2007 | Rajoni
TË JASHTME
BBC nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e faqeve të jashtme të internetit
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>