|
Nënkryetari i LDK-së pranon humbjen | |||||||||||||||||||||||
Numri dy i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka pranuar humbjen e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare dhe ato komunale që u zhvilluan të shtunën. Nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu i tha BBC-së se megjithëse rezultatet përfundimtare ende nuk dihen, duket së Lidhja Demokratike i ka humbur zgjedhjet. "S'ka dyshim se trendi ekziston se ne kemi humbur këto zgjedhje, megjithëse rezultatet ende nuk janë dhe do të duhet definitivisht t'i shohim rezultatet përfundimtare. Ka shumë paqartësi sidomos për komunat dhe kryetarët e tyre, por sidoqoftë, nuk e mohojmë se trendi është se Lidhja Demokratike i ka humbur këto zgjedhje", tha zoti Kryeziu. Ai nuk deshi të thotë me çfarë rezultati ka humbur në zgjedhjet e së shtunës partia e tij, që i ka fituar të gjitha zgjedhjet e tjera të mbajtura në Kosovën e pasluftës. Arsyet e humbjes Z. Kryeziu mendon se humbja e pushtetit është rezultat i mosdaljes së 58 përqind të votuesve në zgjedhje. Por përveç kësaj, z. Kryeziu thotë se ka dhe arsye të tjera. Ai tha se LDK-ja e tij ka qeverisur në Kosovë në kohën më të vështirë, në tetë vjetët e pasluftës, kur Kosova është administruar nga bashkësia ndërkombëtare dhe institucionet vendore i kanë pasur 'duart e lidhura'. "Edhe pse ishim partia kryesore ne nuk e diktonim programin e qeverisë, por duhej t'ua dëgjonim fjalën të tjerëve". "Natyrisht në ato rrethana ne nuk kemi mundur të bëjmë absolutisht mrekullira, aq më tepër kur kemi qenë në rrethanat e një protektorati dhe kjo definitivisht ka ndikuar që Lidhja Demokratike të bjerë", deklaroi për BBC-së zoti Kryeziu. Mundësi për koalicion Nënkryetari i LDK-së tha se Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme që të mbetet në opozitë. Por z. Kyreziu nuk e përjashtoi mundësinë e hyrjes në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës. I pyetur nga BBC për një mundësi të tillë, z. Kryeziu tha: "Kjo do të jetë çështje e sjelljes në skenën politike edhe të fituesit." "Unë nuk mund të japë një përgjigje definitive këtu sepse për këtë vendos Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës," tha ai. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||