BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 28 prill 2010 - 10:44 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Vlerësime të zymta për shpëtimin e Greqisë

Jorgos Papandreu
Papandreu kërkon garanci për paqe sociale që të avancohen reformat
Kryeministri grek Jorgos Papandreu ka shprehur vendosmërinë që të bëjë gjithçka që duhet dhe të mos marrë parasysh koston politike, që vendi të dalë nga kriza ne thellë ekonomike.

Po vetëm pak orë pas kësaj deklarate të kryeministrit, agjencia e vlerësimit Standard & Poor's e ka zbritur Greqinë në vendin më të ulët në klasifikim, duke theksuar se perspektiva është edhe më e zymtë nëse dinamika e reformave në Greqi dobësohet.

Në të njëjtën kohë, tregtarët grekë shprehen përgjithësisht pesimiste për mundësitë e daljes së shpejti nga kriza.

Papandreu kërkon mbështetje

Duke folur para grupit parlamentar të PASOK-ut në pushtet, kryeministri grek Jorgos Papandreu, ka kërkuar garanci për paqe sociale, me qëllim që të avancojnë ndryshimet e nevojshme në shërbim të përmirësimit të situatës ekonomike të vendit.

Në këtë kuadër, kryeministri i është referuar valës së protestave, që pritet të shkallëzohet në ditët e ardhshme.

"Në parrullën e protestuesve "Jashtë FMN-ja", unë do të mund të shtoja edhe "Jashtë Bashkimi Europian". Unë do të mund t'i nënshkruaja këto parrulla, sepse objektivi ynë është që të ikim nga kujdestaria dhe mbikëqyrja," tha kryeministri grek.

Ai theksoi mospajtimin me dhunën e ushtruar nga grevistët në portin e Pireut, që mbajtën peng për gati 24 orë një anije kroçerë me rreth 1000 turistë të huaj.

"Dhuna përforcon imazhin e mosbesimit ndaj vendit tonë", tha kryeministri.

Vetëm pak orë më vonë, agjencia e vlerësimit Standard & Poor's, theksonte se perspektiva e Greqisë do të ishte edhe më e zymtë, nëse kapacitetet e qeverisë për të zbatuar reformat strukturore në ekonomi, zhvlerësoheshin nga reagimet e opozitës vendase, apo dobësoheshin për arsye të tjera.

Perspektivë e zymtë

Standard & Poors u zbriti edhe më tej në klasifikim Greqinë për aftësitë huamarrëse, duke i vendosur obligacionet greke në kategorinë "junk", që në zhargonin financiar përkthehet në hedhurina.

Por ministria greke e Financave, në një reagim të publikuar mbrëmë vonë, këmbëngul se vlerësimi më i fundit i agjencisë financiare, nuk pasqyron zhvillimet reale në ekonominë greke dhe as progresin e shënuar në indikatorët bazalë ekonomiko-financiarë.

Ndërsa janë intensifikuar negociatat që po zhvillohen në Athinë lidhur me modelitetet e mekanizmit të ndihmës, shumica e opinionit grek shprehet kundër përdrorimit të këtij mekanizmi.

Opinionet negative rriten edhe më shumë, kur është fjala për implikimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Një kalim në radhën e dyqaneve që gjenden në qendër të Athinës, ilustron më së miri atë që përjetojnë sot tregtarët grekë.

Muaj më parë, e marta pasdite ishte një ditë shumë e gjallë, ndërsa tani tregtarët qëndrojnë të ngrysur pas banakëve, në pritje që të kalojë ndonjë blerës.

Pronari i një dyqani me dhurata, thotë se situata aktuale e ekonomisë greke, e ka inluencuar shumë tregun. Një tregtar tjetër shprehet tepër pesimist.

"Masat kanë për të dhënë rezultat pas dhjetë vjetësh, ose asnjëherë. Nuk ka dritë në fund të tunelit, dritë do të shohim vetëm po të falimentojë Greqia e t'ia nisë nga e para. Pacienti shtë duke vdekur", thotë tregtari.

Kryeministri Papandreu thotë se vendi po përjeton momentet më të vështuira të dakadave të fundit.

Ai thekson vendosmërinë e tij që të bëjë gjithçka që duhet dhe të mos marrë parasysh koston politike, për të dalë vendi nga kriza e thellë.

Por shefi i qeverisë greke është I ndërgjegjshëm se masat duhet të gëzojnë mbështetjen e të gjithëve.

Prandaj në ditët e ardhshme ka planifikuar një sërë daljesh publike, për të sqaruar masat, ndërsa nuk përjashtohet që ndoshta dhe nesër t'u drejtohet grekëve me një mesazh televiziv.

LOKALE
Evropianët theksojnë kushtet për Greqinë
25 prill 2010 | Faqja Kryesore
Kriza greke dominon në takimin e FMN-së
24 prill 2010 | Faqja Kryesore
Një tjetër grevë 24 orëshe në Greqi
22 prill 2010 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>