BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 22 prill 2010 - 11:54 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Një tjetër grevë 24 orëshe në Greqi
Grevistët grek
Punonjësit e sektorit publik në grevë
Dhjetëra mijëra punëtorë të sektorit publik në Greqi kanë zhvilluar një grevë 24 orëshe.

Ata protestojnë kundër masave të ashpra që ka ndërmarrë qeveria në përpjekjet e saj për të ulur borxhin buxhetor.

Në të njëjtën kohë në Athinë ndodhet grupi i ekspertëve ndërkombëtarë, që po diskuton me palën greke modalitetet e mekanizmit të ndihmës për Greqinë.

Sindikatat thonë se si kusht për ndihmë Greqia duhet të rrisë moshën e pensionit dhe të shkurtojë atë që analistët e quajnë, një administratë tejet të fryrë.

Në protestat e kohëve të fundit ka patur incidente të dhunshme ndaj mijëra oficerë të policisë janë dislokuar në kryeqytetin grek.

Korrespondenti ynë në Greqi, Robert Goro thotë se grevistët protestojnë sidomos kundër uljes së mëtejshme të pagave në sektorin publik dhe kundër ligjit të ri për sigurimet shoqërore, që pritet të paraqitet së shpejti në parlament dhe parashikon jo vetëm rritjen e moshës së daljes në pension, por edhe uljen e vlerës së pensioneve.

Në grevë ndodhen që prej ditës së mërkurë edhe mjekët e spitaleve, si dhe punojësit e portit të Pireut, me rezultat 24 orë t e fundit të mos jetë nisur asnjë traget.

Në momentin e fundit kanë vendosur të mos marrin pjesë në grevë punonjësit e aeroportit ndërkombëtar të Athinës dhe kjo për arsye të gjendjes së vështirë që u krijua në trafuikun ajror të gjithë Europës, për shkak të hirit vullkanik.

Grevat në Greqi

Pavarësisht se grevat janë zhvilluar si protesta ndaj masave të ashpra të qeverisë, kjo e fundit paraqitet e vendosur që mos të bëjë asnjë
tërheqje, përndryshe nuk ka asnjë hapësirë për të devijuar nga vija e ashpër.

Kryeministri, Jorgos Papandreu theksoi përsëri vendosmërinë e qeverisë, duke thënë se është obligim historik që qeveria të marrë çdo vendim që i shërben mënjanimit të më të keqes.

Përballë deficitit të tmerrshëm, Greqia nuk kishte asnjë rrugëdalje,
përveç të shpallte falimentimin e t'i drejtohej FMN-së, tha zoti Papandreu, duke argumentuar marrjen e masave të ashpra, që sipas tij duhej të ishin marrë 20 vjet më parë.

Por nga ana tjetër, qeveria e përllogarit edhe koston politike, dhe vazhdon të rezistojë ndaj rekomandimit për shkurtime drastike në administratën publike.

Qeveria greke paraqet si kundërargument faktin se ka ngrirë emërimet në sektorin publik për vitin në vazhdim, ndërsa nga viti i ardhshëm, për çdo pesë veta që do të largohen nga ky sektor, do të emërohet vetëm një punonjës i ri.

Bisedimet për paketën

Sipas burimeve greke, konsultimet kanë të bëjnë me modalitetet e aktivizimit të mekanizmit të ndihmës, atëherë kur Greqia do ta kërkojë këtë gjë.

Kryeministri Papandreu tha se Athina ende nuk e konsideron të nevojshme, të paktën për ditët e ardhshme.

Por objekti kryesor i punës së ekspertëve ka të bëjë me masat që Greqia do të duhet të marrë vitin e ardhshëm, të cilat do të sanksionohen në një dokument që do të firmoset si nga pala greke, ashtu dhe nga Trojka, pra Komisioni Europian, Banka Qendrore Evropiane dhe FMN.

Masat kanë të bëjnë me luftimin e shpërdorimeve në sektorin publik, efiçienca e administratës publike dhe menaxhimi i borxhit të Greqisë.

Sipas raportit të fundit të shërbimit statistikor europian, Eurostat, është më shumë se 120 e produktit të pë rgjithshë m kombëtar, ndërsa deficiti buxhetor është afërsisht 13,5%.

Këto shifra, sipas analistëve, e vështirësojnë edhe më shumë pozitën negociuese të Greqisë, me rezultat Athina të mos ketë alternativë tjetër veçse, të kapitullojë pa kushte përballë rekomandimeve të Trojkës.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>