BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 09 janar 2008 - 09:48 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kabineti i ri pritet të votohet sot

Prishtina
Prishtina
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe mandatari për krijimin e qeverisë së re, Hashim Thaçi, ka paraqitur listën e anëtarëve të kabinetit të tij qeveritar, i cili pritet të votohet sot.

Sipas saj shtatë ministra do të jenë nga rradhët e partisë së tij, pesë nga Lidhja Demokratike, dy ministri do të drejtohen nga politikanë të pakicës serbe dhe një ministri nga përfaqësues të pakicave të tjera.

Hashim Thaçi ka deklaruar se “Qeveria do të jetë qeveri e përfaqësimit të gjërë, me identitet qeverisës kosovar dhe jo të një programi të caktuar partiak dhe natyrisht se në institucionet e Kosovës do të ketë përfaqësim të të gjithëve edhe të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera”.

 Qeveria do të jetë qeveri e përfaqësimit të gjërë, me identitet qeverisës kosovar dhe jo të një programi të caktuar partiak dhe natyrisht se në institucionet e Kosovës do të ketë përfaqësim të të gjithëve edhe të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi

Lideri i PDK-së Hashim Thaçi nuk ishte në gjendje të thotë se si do të shkojë votimi i sotëm. I pyetur nëse qeveria dhe presidenti do të votoheshin në paket, me çfarë shkelet korniza kushtetuese ai tha, se do të bëheshin disa konsultime edhe sot në mëngjes dhe se gjithçka do të shkonte në përputhje me rregullat dhe me kornizën kushtetuese.

Përfaqësues të partive opozitare, kanë deklaruar ndërkaq se nëse qeveria e re do të votohet në paket me presidentin e vendit, atëherë ata do të votojnë kundra, sepse me këtë shkelet korniza kushtetuese e Kosovës.

Ibrahim Makolli, nënkryetar i Aleancës Kosova e re, i ka deklaruar BBC-së, se partia e tij tashmë kishte një qëndrim të qartë dhe do të kërkonte shtyrjen e votimit të qeverisë, sepse sic u shpreh zoti Makolli, deputetët nuk e kishin marrë as programin e qeverisë e as rendin e ditës.

Ai tha se nëse do të behëshin përpjekje që qeveria dhe presidenti të votoheshin në paket, atëherë deputetët e partisë së tij nuk do të votonin fare.

Nënkryetari i një partie tjeter opozitare, AAK-së e cila e ka drejtuar qeverinë e Kosovës në katër vjetët e shkuara, Ahmet Isufi, i ka deklaruar BBC-së se nëse qeveria dhe parlamenti do të votohen në paketë nuk përjashtohej mundësia që ata edhe ta braktisin mbledhjen e kuvendit. Isufi thotë se votimi në paketë ishte krejtësisht i kundërligjshëm.

Riza Smaka, ekspert i sistemit politk dhe kushtetues, thotë se mënyrën e votimit e përcakton Kuvendi i Kosovës, por kjo nuk do të thotë se ata mund të ndryshojnë rregullat.

Profesor Smaka thotë se Kuvendi nuk mund ta votojë në paketë qeverinë dhe presidentin sepse këto dy çështje janë të ndara.
Ai thotë se përfaqësuesi special i sekretarit të pergjithëshëm, mund ta ndryshojë kornizën kushtetuese, por këtë nuk mund ta bëjë “Ad hoc”.

Presidenti i vendit akoma ka mandate, thotë profesor Smaka, dhe ai nuk do të duhej të ishte në rend të ditës fare, edhe nëse për këtë janë marrë vesh partitë e koalicionit.

Në mbledhjën e sotme të kuvendit të Kosovës do të zgjidhet edhe kryesia e kuvendit. Për kryetar të tij është propozuar Jakup Krasniqi. Ndërkaq disa nga emrat e njohur në qeverinë e Kosovës janë Fatmir Limaj, Hajredin Kuqi, Enver Hoxhaj, Skender Hyseni, Nekibe Kelmendi e të tjerë. Kjo do të jetë qeveria e tretë në Kosovë, në periudhen e paskonfliktit të vitit 1990.

LOKALE
Kosovë - zgjedhjet 2007
23 tetor 2007 | Analiza
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Pritet marrëveshja për koalicionin
25 dhjetor 2007 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>