|
Kuvendi i ri pritet të mbajë mbledhjen e parë | |||||||||||||||||||||||
Të premten pritet të mbahet mbledhja solemne e përbërjes së re të Kuvendit të Kosovës ku shumicën e përbën Partia Demokratike. Ndërkohë, ende nuk është zyrtarizuar marrëveshja ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë së re. Bisedimet ndërmjet dy forcave më të mëdha politike për formalizimin e koalicionit qeverisës janë tejzgjatur për shkak të disa mospajtimeve të brendshme partiake rreth ndarjes së pushtetit. Ndarja e posteve Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar ofertën e mandatarit për kryeministër, Hashim Thaçi, që ajo të mbajë postin e presidentit, të ketë një zëvendëskryeministër dhe të udhëheqë me pesë ministri, ndërsa Partia Demokratike të udhëheqë qeverinë, parlamentin dhe shtatë ministri, kurse pakicat tri. Por LDK-ja duket të jetë e pakënaqur me ministritë që i janë ofruar asaj, duke vlerësuar se i janë lënë dikasteret më të dobët. PDK-ja, e cila ka rezervuar për vete ministritë kryesore si ajo e Ekonomisë dhe Financave, e Energjetikës dhe Minierave, Transportit e Telekomunikacionit, atë të Arsimit dhe disa të tjera, nuk është treguar e gatshme t'i ofrojë LDK-së më shumë. Analisti Driton Lajçi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës, thotë se mosmarrëveshjet e brendshme politike dhe pakënaqësitë e elektoratit mund ta vënë në pikëpyetje koalicionin qeveritar ndërmjet PDK-së dhe LDK-së. "Ka një marrëveshje në parim. Mendoj se kjo ka qenë një marrëveshje serioze, por asgjë nuk është e qartë, të gjitha mundësitë janë të hapura. Puna mund të shkojë edhe deri te një pikëpyetje e një koalicioni të tillë, meqenëse ka shumë pika të cilat janë shumë serioze dhe të cilat nuk janë të sqaruara ndërmjet PDK-së dhe LDK-së", tha zoti Lajçi. Sipas tij shkaqet kryesore për vonimin e ndërtimit të institucioneve të reja janë mosprofilizimi i partive politike, sidomos të atyre që janë fituese të zgjedhjeve të 17 nëntorit, mungesa e krijimit të blloqeve demokratike e koalicioneve tradicionale si dhe oreksi i partive që të fitojnë sa më shumë pushtet nga partnerët e koalicionit qeverisës. Zoti Lajçi thotë se duket që edhe këtë herë do të ketë nevojë për ndërhyrjen e shefit të UNMIK-ut dhe të zyrave diplomatike për ndërtimin e institucioneve të reja të Kosovës. "Partitë që duket se do të qeverisin bashkë, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i kanë llogaritur reagimet e brendshme të elektoratit, sepse ka pakënaqësi nga të dyja anët për krijimin e këtij koalicioni. Po ashtu janë grupet e interesit brenda partive, të cilat nuk pajtohen plotësisht me ndarjen e tortës së pushtetit", tha për BBC-në analisti Driton Lajçi. Ai thekson se koalicioni ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është vullnet i liderëve të dy partive, Hashim Thaçit dhe Fatmir Sejdiut. Zoti Lajçi parashikon se qeverisja e pritshme ndërmjet PDK-së dhe LDK-së do të një jetë një sfidë e madhe pasi, siç thotë ai, këto dy parti nuk kanë qenë rivale demokratikë, por kundërshtare historike. "Është një dilemë e madhe se a do të jetë ky koalicion qeverisës një test i ri i kaluar për demokracinë në Kosovë, do të relaksohen marrëdhëniet ndërmjet partive apo të dy këta liderë (Thaçi e Sejdiu) do të ballafaqohen më një boomerang si pasojë e lidhjes së një koalicioni të tillë", tha Driton Lajçi, ligjërues në Universitetin e Prishtinës. | LOKALE Kosovë - zgjedhjet 200723 tetor 2007 | Analiza Pritet zyrtarizimi i koalicionit qeverisës02 janar 2008 | Rajoni Në pritje të zyrtarizimit të koalicionit 28 dhjetor 2007 | Rajoni Çeku krenar për punën e qeverisë së tij 27 dhjetor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||