|
Çeku krenar për punën e qeverisë së tij | |||||||||||||||||||||||
Kryeministri në largim i Kosovës, Agim Çeku, në fund të mandatit të tij ka deklaruar se është krenar që qeveria që ka udhëhequr ai e ka bërë gati Kosovën për pavarësi. Në konferencën e tij të fundit në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, zoti Çeku ka shprehur bindjen se qeveria e tij ka qenë e suksesshme. Ai tha se gjatë 22 muajve të qeverisjes së tij, ekzekutivi kosovar ka arritur që të ruajë stabilitetin institucional dhe politik, të përmbushë standardet dhe të forcojë mbështetjen e faktorit ndërkombëtar për njohjen e pavarësisë së Kosovës. " Ne e kemi bërë Kosovën gati për pavarësi. Ky është mesazhi ynë dhe raporti që unë si kryeministër ia jap popullit të Kosovës. Kosova është e gatshme për pavarësi. Të arriturat tona, aktivitetet tona, diplomacia jonë, realiteti i krijuar në Kosovë, e kanë bërë të gatshme edhe bashkësinë ndërkombëtare për ta njohur pavarësinë e Kosovës", tha zoti Çeku. Në konferencën e fundvitit me gazetarë, kryeministri në largim Agim Çeku ka përmendur, siç ka thënë ai, një varg suksesesh të qeverisë aktuale. Ai tha se gjatë mandatit të tij është rritur mirëbesimi ndërmjet komuniteve, ka pasur rritje ekonomike prej 3-5 përqind dhe të hyrat buxhetore janë rritur 34 përqind. Por, kryeministri Agim Çeku ka pranuar se qeveria e tij ka dështuar në shtrirjen e pushtetit në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe. Rreth 17 përqind e territorit të Kosovës edhe gjatë mandatit të kësaj qeverie, ka mbetur nën kontrollin e Beogradit. Zoti Çeku ka përmendur disa nga sfidat dhe mossukseset e qeverisë së Kosovës. "Edhe pse kemi bërë përpjekje, nuk kemi mundur të shtrijmë pushtetin në tërë territorin e Kosovës. Në veçanti, në veri nuk kemi mundur të bëjmë shumë për integrimin më të madh në jetën e përditshme dhe në institucionet e Kosovës" tha zoti Çeku "Një sfidë ka qenë statusi dhe menaxhimi i pritjes. Shpeshherë jam kritikuar nga opinioni publik duke parashikuar ecurinë e përcaktimit të statusit. Kemi bërë pak apo shumë pak për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur", tha kryeministri Çeku. Karriera Agim Çeku u emërua kryeministër nga Kuvendi i Kosovës më 10 mars 2006, duke trashëguar kabinetin e paraardhësit të tij, Bajram Kosumi. Ushtrimi i detyrës së kryeministrit ishte angazhimi i parë politik për zotin Çeku, i cili deri në fillim të vitit të kaluar kishte të vëshur uniformën e gjeneralit që udhëhiqte Trupat Mbrojtëse të Kosovës, TMK. Çeku erdhi në krye të qeverisë me një vendim të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe pëlqimin e partnerit të saj në koalicionin qeverisës, Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në krye të qeverisë Agim Çeku thotë se drejtimi i qeverisë për këto 22 muajt e fundit ka qenë një punë shumë e vështirë për të. Ai pranon se si rezultat i një marrëveshje të mëparshme ndërmjet Lidhjes Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk i ka pasur duart e lira për të marrë vendime. Agim Çeku nuk ka mundur të shkarkojë dhe të emërojë ministrat e kabinetit të tij, pa miratimin paraprak të partnerëve të koalicionit qeverisës. Zoti Çeku, i cili pas pak ditësh pritet t'i dorëzojë postin kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se pasardhësi i tij do ta ketë më të lehtë punën. "Unë nuk kam qenë në pozicion si është sot kryeministri i ardhshëm, i cili ka edhe kohë, edhe mundësi, edhe kapacitet e legjitimitet që të negociojë, në radhë të parë, formulën e koalicionit, përbërjen e qeverisë, etj. Unë nuk i kam pasur këto mundësi dhe kjo ka paraqitur vështirësi. Qeveria e re e Kosovës, e cila do të kryesohet nga Hashim Thaçi, pritet të ndërtohet shumë shpejt dhe ajo do të përbëhet nga zyrtarë të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të subjekteve politike nga radhët e pakicave. | LOKALE Kosovë - zgjedhjet 200723 tetor 2007 | Analiza PDK e LDK në qeverinë e përbashkët26 dhjetor 2007 | Rajoni Pritet marrëveshja për koalicionin25 dhjetor 2007 | Rajoni E ardhmja e Orës pas dorëheqjes së Surroit24 dhjetor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||