BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 24 dhjetor 2007 - 08:12 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
E ardhmja e Orës pas dorëheqjes së Surroit

Veton Surroi duke u intervistuar nga Seladin Xhezairi(arkiv)
Surroi tha se më 2007 qytetarët nuk e vazhduan kontratën e vitit 2004
Veton Surroi dha të dielën dorëheqjen nga drejtimi i Partisë Reformiste Ora në Kosovë.

Bashkë me zotin Surroi, në një kuvend të jashtëzakonshëm të kësaj partie dha dorëheqjen e gjithë kryesia e partisë.

Dorëheqja ishte shenjë e përgjegjësisë morale që ndjen udhëheqja për rezultatin e dobët që shënoi partia në zgjedhjet e fundit në Kosovë.

Partia Reformiste ORA në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit nuk siguroi dot as pesë përqindëshin e votave të domosdoshme për të siguruar futjen në parlament.

Ajo mori vetëm 4.1 përqind të votave dhe mbeti jashtë tij.

 Prijësi ka barrën e përgjegjësisë mbi supe dhe nuk mund t'ia shkarkojë askjujt tjetër. As unë nuk kam ndërmend t'ia shkarkoj dikujt tjetër këtë barrë.
Veton Surroi

Zoti Surroi kërkoi nga delegatët e partisë që ta drejtojë atë deri në kongresin zgjedhor, që pritet të mbahet në fund të janarit apo në fillim të shkurtit të vitit të ardhshëm.

"Prijësi ka barrën e përgjegjësisë mbi supe dhe nuk mund t'ia shkarkojë askujt tjetër. As unë nuk kam ndërmend t'ia shkarkoj dikujt tjetër këtë barrë.

E bart vetë, andaj në mbledhjen e kryesisë paralajmërova atë që po e them sot para jush, se jap dorëheqje dhe në fakt prej këtij momenti, ju lutem më konsideroni si kryetar në dorëheqje, por një kryetar në dorëheqje me mandat që t'i prij, nëse ma jepni atë besim, kësaj partie deri në Kongresin e Jashtëzakonshëm dhe zgjedhjet që duhet të bëhen në të", tha zoti Surroi.

Histori

Ora u formua nga Veton Surroi, një nga figurat më të njohura të medias dhe jetës publike në Kosovë, në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2004. Në këto zgjedhje Ora siguroi shtatë vende në parlament.

Në Kuvendin e jashtëzakonshëm të Orës që u mbajt të dielën në Prishtinë, u analizuan shkaqet që e çuan partinë në rënien e konsiderueshme të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe ato lokale.

Sipas analizës së kësaj partie, mes tyre janë dhe angazhimi i kryetarit dhe nënkryetarit të partisë në procesin negociator për statusin e Kosovës, por dhe të metat organizative në punën e kryesisë.

"Qytetarët më 2004 më kontraktuan për të bërë një punë. E bëra aq sa kam ditur dhe kam mundur. Më 2007 qytetarët nuk e vazhduan këtë kontratë. Mua më mbetet tash sikur edhe në vitet e shekullit të kaluar, pasioni i pakontraktuar e neve si kuvend i partisë na mbetet që të përgatisim një kongres që do të zgjedhë njerëzit që do ta fitojnë kontratën e re me popuyllin e Kosovës për ta shoënë përara. Ju falemnderit të gjithëve. Rrofshi!", tha në ditën e dorëheqjen së tij, lideri i Ora-s, Veton Surroi.

 Nëse ka pasur diçka keq në partinë Ora, është fakti se ajo ka qenë e themeluar mbi liderin, mbi autoritetin, veprimin dhe emrin e tij, mbi krejt atë që ka ai person ka përfaqësuar në skenën tonë politike.
Migjen Kelmendi

Analisti Migjen Kelmendi thotë se dorëheqja e zotit Surroi flet për një akt shumë të lartë moral dhe ndjenjë të thellë të përgjegjësisë për humbjen e zgjedhjeve në Kosovë.

"Ky akt flet se partia Ora në esencë dëshmoi një sens të plotë qytetar dhe një sens të përgjegjësisë së madhe ndaj elektoratit dhe anëtarëve të vet. Po them një akt i lartë përgjegjësie që nuk pata rastin ta shoh nga personalitetet e jetës sonë politike", tha z.Kelmendi.

Sipas tij, dorëheqja e zotit Surroi dhe kryesisë së partitë së tij, duhet të shërbejë si mësim për klasën politike në Kosovë.

Ndërkohë në Prishtinë kanë filluar spekulimet për udhëheqësin e ardhshëm të Partisë Reformiste Ora. Deri tani emri më i përfolur në media është ai i kryeministrit në largim të Kosovës, Agim Çeku.

Ky i fundit pak ditë më parë i ka deklaruar një të përditshme në Prishtinë se pasi të dorëzojë mandatin si kryeministër do të vazhdojë angazhimin e tij politik, jashtë Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Zoti Çeku tha se nuk do të jetë pjesë e asnjë partie të madhe, por do të shkojë në një parti, të cilën do ta udhëheqë vet.

Analisti Migjen Kelmenti e sheh pothuajse të pamundur mbijetesën e partisë Ora, pa qenë në krye të saj themeluesi, Veton Surroi.

"Nëse ka pasur diçka keq në partinë Ora, është fakti se ajo ka qenë e themeluar mbi liderin, mbi autoritetin, veprimin dhe emrin e tij, mbi krejt atë që ai person ka përfaqësuar në skenën tonë politike. Prandaj kur po dëgjoj që po jep dorëheqje Veton Surroi, në esencë unë nuk po e shoh si mund të vazhdojë kjo parti, sepse ka qenë parti plotësisht lideriste, e ndërtuar mbi lider, e personifikuar me lider, e konstruktuar mbi bazën e liderit, prandaj po ia hoqe liderin, kjo parti për mua tash për tash është inekzistente", tha zoti Kelmendi.

LOKALE
Surroi jep dorëheqjen nga drejtimi i 'Orës'
23 dhjetor 2007 | Faqja Kryesore
Kosovë - zgjedhjet 2007
23 tetor 2007 | Analiza
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>