BBCAlbanian.comNews image
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Treshja nuk do të propozojë zgjidhje për statusin

Ambasadorët Volfgang Ischinger, Frank Uisner dhe Alexander Botsan Kharchenko
Treshja thotë se çështja e statusit kthehet sërish në KS
Treshja ndërkombëtare për Kosovën ka konfirmuar se mandati i saj përfundon më 10 dhjetor dhe çështja e statusit kthehet sërish në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Negociatorët ndërkombëtare kanë deklaruar mbrëmë në Prishtinë se në raportin e tyre, të cilin do t'ia dorëzojnë javën e ardhshme Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mon nuk do të propozojnë asnjë zgjidhje për të ardhmen e Kosovës.

Raporti, i cili pritet të finalizohet gjatë ditëve të ardhshme, do të jetë një përmbledhje e diskutimeve të zhvilluara ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Treshja ndërkombëtare

Ambasadorët Volfgang Ischinger, Frank Uisner dhe Alexander Botsan Kharchenko thanë se gjatë fazës shtesë të bisedimeve 120 ditëshe ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, nuk është lënë gur pa u lëvizur në përpjekje për arritjen e një marrëveshje për të ardhmen e Kosovës.

Gjatë vizitës në Beograd dhe në Prishtinë, treshja ka shprehur keqardhje që kjo marrëveshje nuk është arritur.

Ndërmjetësi evropian në bisedime, Volfgang Ischinger e vlerësoi të dobishme periudhën shtesë të negociatave për statusin e Kosovës.

 Ne besojmë që kemi bërë atë që kemi thënë kur kemi filluar punën tonë në gusht, se nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur për të gjetur një zgjidhje të negociueshme
Volfgang Ischinger

"Ne si treshe besojmë se ky ka qenë një process shumë serioz dhe intensiv me angazhimin e plotë si të Prishtinës, ashtu edhe të Beogradit. Ne besojmë që kemi bërë atë që kemi thënë kur kemi filluar punën tonë në gusht, se nuk do të lëmë asnjë gur pa lëvizur për të gjetur një zgjidhje të negociueshme.

Treshja shpreh keqardhje që nuk është gjetur një marrëveshje e negociueshme, por në të njejtën kohë ne mendojmë se procesi ka qenë i dobishëm. Nga Kosova dhe Serbia kemi pasur angazhimin serioz të palëve për t'u përmbajtur nga dhuna, për t'iu shmangur veprimeve apo deklaratave që mund të rrezikojnë situatën e sigurisë, " tha Volfgang Ischinger.

 Puna jonë si Treshe do të përfundojë me paraqitjen e raportit tonë para Grupit të Kontaktit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
Frank Wisner

Përfaqësuesi amerikan në bisedime, Frank Wisner, deklaroi se puna e Treshes ndërkombëtare për statusin përfundon më 10 dhjetor dhe tani çështja i kthehet Këshillit të Sigurimit dhe palëve në bisedime.

Ai tha se plani i Ahtisarit që sugjeron pavarësi të mbikqyrur për Kosovën mbetet një nga opsionet e mundshme për statusin.

"Në raportin tonë ne do ta përmendim se plani i Ahtisarit është një prej çështjeve në tryezën e bisedimeve. Plani është pranuar nga Prishtina, por është kundërshtuar nga Beogradi.

Rruga përpara do të jetë çështje për të cilën do të vendosin qeveritë sovrane dhe për këtë do të diskutojnë në Këshillin e Sigurimit, por puna jonë si Treshe do të përfundojë me paraqitjen e raportit tonë para Grupit të Kontaktit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së", tha zoti Wisner.

 Unë besoj se palët nuk kanë qenë të gjendje të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, por unë nuk mendoj se kjo fazë shtesë e negociatave ka dështuar
Alexander Botsan Kharchenko

Ndryshe nga kolegët e tij, ndërmjetësi rus në bisedime, Alexander Botsan Kharchenko vlerëson se bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk kanë dështuar dhe se ende ka mundësi për arritjen e kompromisit ndërmjet palëve.

"Unë besoj se palët nuk kanë qenë të gjendje të gjejnë një zgjidhje të përbashkët, por unë nuk mendoj se kjo fazë shtesë e negociatave ka dështuar.

Palët kanë vendosur dialog më të mirë, ato janë angazhuar seriozisht dhe në mënyrë konstruktive në këtë fazë të bisedimeve. Unë besoj se ende ka hapësirë për kompromis dhe proces shtesë të negociatave", tha diplomati rus, Botsan Kharchenko.

Prishtina

Presidenti Fatmir Sejdiu që kryeson Ekipin Negociator të Kosovës tha se Prishtina e konsideron të mbyllur procesin negociator për statusin.

"E kemi theksuar se këtë proces e konsiderojmë të mbyllur dhe konsiderojmë se nuk ka nevojë për procese tjera. Këtë e kemi dëshmuar dhe e kemi thënë shumë qartë në Vjenë. Ne falenderojmë në thellësi këtë qasje të bashkëpunimit, por edhe të bisedave që janë zhvilluar, pavarësisht temave që janë shtruar dhe kontradiktave që kemi pasur", deklaroi ai.

Presidenti Sejdiu tha se për palën kosovare zgjidhja më e mirë mbetet plani i Ahtisarit, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt, udhëheqësit kosovarë në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë do të marrin vendim për hapat e ardhshëm në drejtim të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Në kohën kur treshja ndërmjetëse ndërkombëtare po takonte Ekipin Negociator të Kosovës, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje protestuan kundër procesit negociator për zgjidhjen e statusit.

 E kemi theksuar se këtë proces e konsiderojmë të mbyllur dhe konsiderojmë se nuk ka nevojë për procese tjera
Fatmir Sejdiu

Njëri nga drejtuesit e kësaj lëvizje, Glauk Konjufca tha se procesi i udhëhequr nga treshja ndërkombëtare e çon Kosovën drejt një përfundimi më të keq sa sa plani i Ahtisaarit.

Ndërkohë gjatë takimeve me Treshen, zyrtarët serbë janë angazhuar për vazhdimin e mëtejmë të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Beogradi

Anëtarët e Ekipit Negociator Serb, Vuk Jeremiq e Slobodan Samarxhiq, kanë deklaruar se Beogradi zyrtar ia ka përcjellur treshes qëndrimin se bisedimet mbi statusin e Kosovës nuk duhet të përfundojnë me raportin që do t'i paraqitet Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor.

Sipas tyre, negociatat e udhëhequra nga Treshja ka qenë më të suksesshme sesa ato që i ka drejtuar Marti Ahtisaari.

Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, ka saktësuar se procesi po zhvendoset në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe Beogardi ka kërkuar nga treshja, të marrë pjesë në debatin që do të zhvillohet në këtë trup të organizatës botërore.

Sipas tij, presidenti dhe kryeministri serb kanë përsëritur para treshes se çfarëdo veprimi i njëanshëm për statusin e Kosovës do të kishte pasoja të papara për paqen e stabilitetin në rajon, ndërsa i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të mos inkurajojë shqiptarët për një sjellje të tillë.

Shefi i diplomacisë serbe tha se qëndrimi i Serbisë është se çfarëdo ndryshimi i statusit të Kosovës apo ndërrimi i administratës atje duhet të rregullohet me vendimin e ri të Këshillit të Sigurimit. Beogradi- tha ai, mendon se Misioni i Bashkimit Evropian, duhet të vendoset sa më parë në Kosovë, por ai duhet të vendoset në bazë të rezolutës së Këshillit të Sigurimit.

Raporti i treshes ndërkombëtare për statusin e Kosovës, i cili i dorëzohet Grupit të Kontaktit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së pas 120 ditë të bisedimeve shtesë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, do të diskutohet në Këshillin e Sigurimit më 19 dhjetor.

LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
BE-ja në Kosovë pas UNMIK-ut
03 dhjetor 2007 | Rajoni
Çeku për shpalljen e pavarësisë
28 nëntor 2007 | Rajoni
Rohan për bisedimet dhe statusin
27 nëntor 2007 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>