|
Bisedime triditore për statusin e Kosovës | |||||||||||||||||||||||
Një takim i rradhës mes Prishtinës e Beogradit fillon të hënën në Baden të Austrisë, rreth 20 kilometra në periferi te Vjenës. Takimi zhvillohet në hotelin Schloss Weikersdorf dhe do të zgjasë tri ditë. Delegacionet përfaqësuese në këto bisedime drejtohen nga presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, për palën e Prishtinës dhe nga presidenti Boris Tadiq, për atë të Beogradit, me ndërmjetësim të treshes ndërmjetësuese të Grupit të Kontaktit. Ekipi i Negociuesve të Prishtinës ka shfaqur besim se me këtë takim do të përfundojë gjithë procesi negociues me Beogradin zyrtar dhe se periudha pas 10 dhjetorit, do të shënojë njohjen e pavarësisë së Kosovës. Takim intensiv Takimi tre ditësh do të zhvillohet me dyer të mbyllura dhe pritet të jetë intensiv. Treshja sërish do të dëgjojë pikëpamjet e delegacioneve mbi të ardhmen e Kosovës, duke shpresuar se një kompromis mes palëve ende është i mundshëm të arrihet. Por Beogradi zyrtar, që në takimin e fundit ka ofruar modelin e ishullit Aland, mes Suedisë dhe Finlandës, ka vazhduar të këmbëngulë në ruajtjen e sovranitetit serb mbi Kosovën. Prishtina thotë se nuk do të bëjë kompromis me pavarësinë. Mund të ndodh që nga fundi i takimit, Treshja të ofrojë sërish një dokument për palët me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje, megjithëse perspektiva për këtë duket shumë e zbehtë. Pas këtij takimi Treshja do të vizitojë edhe njëherë Beogradin dhe Prishtinën në fillim të dhjetorit për ta përmbyllur gjithë procesin me 10 dhjetor, me dorëzimin e raportit të saj tek sekretari i përgjithshëm Ban Ki Moon. 'Fundi i negociatave' Para fillimit të takimit presidenti i Kosovës shprehu edhe një herë qëndrimin e Prishtinës se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme. "Kemi ardhur këtu për të shprehur edhe njëherë vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës. Qëllimi ynë kryesor është pavarësia e Kosovës," ka thënë presidenti Sejdiu me të arritur në Baden të Austrisë.
Ndërkohë kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ka shfaqur besim se takimi i Badenit shënon raundin e fundit të bisedimeve. "Ne do të jemi të angazhuar që të inkurajojmë gjithashtu delegacionin serb që të pranojë realitetin, që të jetë më pozitiv se sa ka qenë deri tash. Unë vërtet besoj se ky është shansi dhe mundësia e fundit për ne dhe për Serbinë, që të sjellim një paqe të qëndrueshme dhe një qëndrueshmëri për rajonin. Unë shpresoj se nuk do ta humbasim këtë shans," tha z. Çeku. "Ne po ofrojmë modele të së ardhmes dhe modeli ynë është Kosova dhe Serbia moderne. Ajo që ofrojmë ne është një miqësi e përbashkët dhe një respekt i ndërsjelltë," ka deklaruar kryeministri Çeku. Bisedime 'të mbyllura' Bisedimet triditëshe në Baden është paraparë të jenë të mbyllura për opinion. Besohet se palët do të kenë pak takime të drejtpërdrejta me njëra tjetrën, por shumë intensive me Treshen ndërmjetësuese ndërkombëtare. Ato sërish në ditën e parë të takimit do të paraqesin vizionin e tyre për të ardhmen e Kosovës dhe pastaj do të kalojnë në çështjet që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me statusin. Bisedimet që nisin të hënën janë të fundit në vargun e bisedimeve që janë mbajtur gjatë katër muajve të fundit, në kuadër të së ashtuquajturës fazë shtesë 120 ditëshe. | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza Negociatorët-jo kompromis me pavarësinë23 nëntor 2007 | Faqja Kryesore Petritsch porosit kundër hapave të nxituar23 nëntor 2007 | Rajoni Bisedimet e Vjenës pa rezultat23 tetor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||