|
Përfundojnë bisedimet për statusin | |||||||||||||||||||||||
Bisedimet për statusin e Kosovës, që po mbahen në Baden të Austrisë vazhdojnë edhe paraditen e së mërkurës me një takim përmbyllës të drejtpërdrejt ndërmjet përfaqësuesve të Prishtinës e Beogradit dhe me praninë e treshes ndërkombëtare. Ky takim do të shënojë rastin e fundit për të gjetur një zgjidhje eventuale pas dështimit për këtë në dy ditët e shkuara. Deri tani, asnjëra palë nuk ka lëshuar pe në zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe që të dyja kanë këmbengulur në zgjidhjet që kanë ofruar në fillim të bisedimeve. Për Prishtinën, pavarësia e Kosovës mbetet e vetmja zgjidhje e pranueshme, kurse për Beogradin autonomia thelbësore, shënon mundësinë më të madhe që duhet të ketë Kosovë. Dita e dytë e takimit që ka zgjatur më shumë, ka thelluar edhe më dallimet mes palëve, të cilat nuk kanë arritur të merren vesh për asnjë cështje të caktuar. Por njëri nga anëtarët e delegacionit të Kosovës, Veton Surroi, ka thënë se në një pikë është arritur përparim, meqë presidenti i Serbisë, Tadiq, ka deklaruar se jo vetëm çështja e Kosovës, por asnjë çështje tjetër nuk do ta shtyjë Serbinë në luftë. "Për një Kosovë, që në 100 vjetët e fundit është mësuar që nga Beogradi të marrë lajme të luftës, ky është një lajm i mirë dhe tregon një ndryshim në qasje,"- ka thënë Surroi. Në fakt, presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, në fjalimin e tij në Baden, tha se Serbia propozonte një zgjidhje kompromisi, sipas modeleve të autonomive të avancuara. Ai tha se sipas kësaj zgjidhjeje Kosova do të kishte vetëqeverisjen e saj, kompetencat dhe simbolet që janë karakteristikë e shteteve sovrane, por që Serbia do të ruante për vete të drejtën e përfaqësimit në Kombet e Bashkuara, në OSBE dhe në Këshillin e Evropës. Njëkohësisht Kosova, sipas tij, nuk do të kishte ushtri, por siç u shpreh ai, xhandarmëri. Mirëpo, një propozim i tillë është hedhur poshtë si i pabazë nga pala kosovare dhe është cilësuar si përpjekje e Beogradit për ta kthyer çështjen prapa. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka theksuar se Kosova ka bërë të pamundurën për një marrëveshje kompromisi me Beogradin, por kjo nuk është realizuar. Presidenti Sejdiu tha se Kosova tash është kthyer nga bashkësia ndërkombëtare për të kryer konsultimet e fundit për ta shpall pavarësinë e saj. "Për ne është me rëndësi që të ketë mbështetje të përgjithshme në vizionin tonë. Por nëse dikush mund të jetë pengesë e veçantë që të mbahet peng procesi, ne themi se nuk mud te jemi peng të tij. Dhe sigurisht se në një kohë jo të gjatë do të marrim vendimet tona,"- ka thënë presidenti Sejdiu. Një veprim të menjëhershëm drejt shpalljes së pavarësisë së Kosovës e ka kërkuar kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, i cili u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të shfrytëzojnë momentumin për ta shpallur pavarësinë. "Unë bëj thirrje që kjo të ndodh brenda këtij viti dhe kam frikë se nëse kalon vitin e ardhshëm do të humbet mundësia, përqëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe momentumi i krijuar në fund të këtij procesi. Dhe ne do ta bëjmë një gabim historik nëse e lëshojmë këtë rast,"- ka thënë kryeministri Çeku. Por për homologun e tij serb, Vojisllav Koshtunica, shpallja e njëanshme e pavarësisë nënkupton një lloj krimi. Kryeministri serb ka thënë se çështja e statusit duhet të zgjidhet aty ku edhe ka filluar, në KS të OKB-së. Çdo përpjekje për ta anashkaluar KS dhe për të bërë veprime të njëanshme, ka thënë Koshtunica, nënkupton shkeljen e ligjeve ndërkombëtare… "Shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, nënkupton shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Ky është krim, në fakt është një lloj krimi dhe ligji nuk respekton asnjë lloj krimi,"- ka thënë kryeministri serb Koshtunica. Nëse Kosova e shpall pavarësinë e njëasnshme, atëherë Serbia do të shpallte të pavlefshëm një vendim të tillë, - ka paralajmëruar kryeministri serb. Në ditën e dytë të bisedimeve, pala serbe ka këmbëngulur në vazhdimin e tyre edhe përtej 10 dhjetorit. Sipas negociuesve serbë bisedimet duhet të zgjasin për aq kohë, sa të mos përafrohen qëndrimet mes palëve. Ky deklarim i palës serbe është mbështetur në paraqitjen e qëndrimit zyrtar të Federatës Ruse, përmes ndërmjetësit në Treshen Ndërkombëtare, Aleksandr Botsan Kharchenko. "Rusia e favorizon vazhdimin e procesit negociues pas 10 Dhjetorit dhe ne do të insistojmë në vazhdimin e bisedimeve pas kësaj date. Por ajo që na duhet janë bisedimet me argumente", ka thënë Kharchenko Por për palën kosovare ky qëndrim është i papranueshëm. Hashim Thaçi, kryeministër i ardhshëm i Kosovës, ka thënë se kjo është e pamundshme sepse edhe "po të bisedohej për 100 vjet me Serbinë, rezultati do të ishte i njëjtë". Qëndrimin e ndërmjetësit rus për vazhdimin e bisedimeve edhe pas dhjetë dhjetorit, nuk e ka mbështetur asnjë nga anëtarët e tjerë të Treshes Ndërmjetësuese. Në fakt, përfaqëssuesi i BE-së, ambasadori Wolfgang Ischinger, ka deklaruar të martën se misioni i Treshes do të përfundojë më 10 Dhjetor dhe se ai nuk sheh asnjë arsye pse duhet të vazhdojë procesi i negociatave. Sipas paralajmërimeve, Treshja do të përmbyllë procesin me dorëzimin e një raporti tek sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon, por paraprakisht do të qëndrojë në Prishitnë e Beograd për të bërë përpjekjen e fundit për të arritur një marrëveshje. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||