BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E mërkurë, 28 nëntor 2007 - 10:11 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Çeku për shpalljen e pavarësisë
Kryeministri Agim Çeku
Çeku thotë se pavarësia duhet të shpallet brenda këtij viti
Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, u ka bërë thirrje institucioneve të reja të Kosovës që sapo të krijohen të marrin vendimin për shpalljen e pavarësisë së saj.

Zoti Çeku ka thënë se Kosova duhet ta shfrytëzojë momentumin dhe ta bëjë hapin drejt shpalljes brenda këtij viti.

Agim Çeku ka deklaruar se bisedimet në Baden të Austrisë përmbyllin procesin e bisedimeve dhe hapin rrugë për marrjen e vendimit.

Arbër Vllahiu bisedoi me kryeministrin Çeku dhe fillimisht e pyeti nëse bisedimet e Badenit kanë dështuar?

Zoti Çeku: Është shumë e qartë se kompromisi nuk mund të gjendet. Ne asesi nuk lëvizim nga qëndrimi ynë për pavarësinë e Kosovës, sepse ajo nuk lejon asnjë kompromis, as për substancën dhe as për vetë zgjidhjen. Kështu që tani i është bërë shumë e qartë edhe palës serbe dhe edhe faktorit ndërkombëtarë se ne i kemi provuar të gjitha. Gjatë gjithë këtij procesi kemi qenë pozitivë, konstruktivë dhe seriozë dhe jemi munduar ta sqarojmë pavarësinë dhe ta bindim palën serbe se pavarësia e Kosovës nuk është e orientuar kundër tyre ose kundër serbëve, por përkundrazi është një zhvillim pozitiv edhe për serbët, për Serbinë dhe tërë rajonin. Por ata dështuan ta kuptojnë këtë vullnet të mirë tonin. Ne e kemi tani përgjegjësinë se nuk guxojmë më të presim. Duhet të ecim me shpalljen e pavarësisë, dhe nuk kemi çfarë të presim nga KS i OKB-së, sepse nuk ka asnjë shenjë që na bën të kuptojmë se Rusia, që ka bllokuar një Rezolutë, të ketë ndryshuar qëndrimin. Ne duhet ta shpallim pavarësinë dhe të kërkojmë njohjen e menjëhërshme të saj. Pa marrë parasysh kërcënimet e mundshme dhe sfidat me të cilat mund të përballemi ne duhet të themi mjaft dhe ta shpallim pavarësinë.

BBC: Dhe, ku keni garanci se të gjithë do të ecin së bashku me juve në shpalljen e pavarësisë?

Zoti Çeku: Asnjëherë nuk mund t'i kemi të gjitha garancitë. Unë mendoj se ne nuk duhet të presim garancitë, sepse po pritëm garanci nga të gjithë kjo do të marrë kohë dhe do ta humbasim mundësinë e shkëlqyeshme që kemi. Unë u bëj thirrje institucioneve tona të reja, që fillimisht të krijohen sa më shpejtë dhe që vendimi i parë i tyre të jetë shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe pastaj ta zbatojnë atë dhe të zbatojnë programet e tyre që i kanë premtuar zgjedhësve në Kosovë. Unë bëj thirrje që kjo të ndodh brenda këtij viti dhe kam frikë se nëse kalon vitin e ardhshëm do të humbet mundësia, përqëndrimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe momentumi i krijuar në fund të këtij procesi. Dhe, ne do të bëjmë një gabim historik nëse e lëshojmë këtë rast!

BBC: Zoti kryeministër, kur është data e fundit kur humbet ky momentum?

Zoti Çeku: Data kur ne e humbim atë është 31 Dhjetori. Ne duhet ta bëjmë brenda vitit 2007. Ka shumë dallime nëse kjo është bërë brenda këtij viti apo në janar të vitit 2008. Viti 2008 është viti i ardhshëm dhe është një zvarritje e madhe. Tani janë kohët e pushimeve dhe nëse e lëmë një zbrazëtirë të tillë në shpalljen e pavarësisë, atëherë mund të ketë ide të ndryshme dhe hezitime të ndryshme, pastaj mund të ketë edhe lëvizje të ndryshme që do të mund ta lëkundin ndonjërin për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Ne duhet ta marrim iniciativën me guxim, si dhe të tregojmë gatishmëri për t'u përballur me të gjitha sfidat dhe problemet në të cilat hasim.

BBC: Zoti kryeministër, Beogradi zyrtar ka thënë se bisedimet këtu nuk përfundojnë, por do të vazhdojnë edhe më?

Zoti Çeku: Unë nuk e di se me kë do të bisedojnë ata për statusin. Këto bisedime për ne janë të fundit dhe ne që në fillim të këtij procesi e kemi bërë shumë të qartë se nuk jemi të gatshëm që të vazhdojmë më me bisedime. Por edhe në takimet tona këtu me palën serbe kemi deklaruar se dita e fundit e bisedimeve shënon përmbylljen e këtij procesi të bisedimeve për statusin e Kosovës dhe fillon koha e vendimeve.

BBC: Dhe, vendimi mund të merret menjëherë pas 10 Dhjetorit?

Zoti Çeku: Vendimi duhet të merret menjëherë pas 10 Dhjetorit.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>