|
"Qëndrimet e palëve të papajtueshme" | |||||||||||||||||||||||
Raundi i ri i bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit ka përfunduar me mosmarrëveshje të thellë dhe palët kanë vazhduar të këmbëngulin në qëndrimet e tyre për të ardhmen e Kosovës. Beogradi zyrtar ka paraqitur një propozim bazuar mbi modelin e Hong Kongut, një ish-kolonie britanike, por Prishtina zyrtare e ka cilësuar atë si riformulim të propozimit të Beogradit për një autonomi të mbikëqyrur për Kosovën. Pesëshja e Prishtinës ka këmbëngulur në pavarësinë e Kosovës dhe e ka elaboruar më tutje Traktatin për Fqinjësi të Mirë me Serbinë pas statusit. Treshja Ndërmjetësuese thotë se ka ende pak gjasa për kompromis, megjithëse u ka bërë me dije palëve se procesi do të përfundojë më 10 Dhjetor. Njëri nga anëtarët e Ekipit të Prishtinës, Blerim Shala, i tha BBC-së se rrjedha e dy takimeve të fundit ka qenë dëshpëruese për të gjithë ata që kanë pritur përparime në këto biseda. Zoti Shala thotë se Prishtina po përgatitet që pas 10 Dhjetorit të ecë bashkarisht me SHBA-në dhe BE-në në krijimin dhe njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me zotin Shala dhe e pyeti se si e karakterizon ai raundin e bisedimeve në Vjenë? Shala: Kësaj radhe përfaqësimi i Serbisë ka qenë në nivelin më të lartë, me përfaqësim të kryetarit Tadiq dhe kryeministrit Koshtunica. Për ne, ndërkaq ka qenë një takim i rëndësishëm, por ashtu siç edhe keni mundur të parashihni, takimi ka qenë problematik dhe qëndrimet e të dyja palëve janë krejtësisht të papajtueshme. Po përsëritet rrëfimi i vjetër që nga takimi i shtatorit në Nju Jork, dhe kemi të bëjmë këtu me takimin e katërt të drejtpërdrejtë, por pa argumente të reja. Ne kemi insistuar, si zakonisht, që pavarësia e Kosovës është e panegociueshme. Kemi thënë se procesi i Ahtisaarit ka ofruar një kompromis sa i përket organizimit të brendshëm të pushtetit të Kosovës. Gjithashtu kemi ritheksuar se Traktati i Fqinjësisë së mirë midis Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura është një ofertë zemërgjerë nga pala jonë. Pala serbe ndërkaq, është munduar që propozimin e mirënjohur për një autonomi të mbikqyrur ta paketojë në një formë të re duke thënë se kemi të bëjmë me një propozim të ri, gjegjësisht, që Kosova mund të zgjidhet si problem ashtu si Hong Kongu. E, siç e dimë, Hong Kongu i ka takuar Kinës pas një periudhe të gjatë të sundimit 99 vjecar nga Britania e Madhe. Kemi të bëjmë, ashtu siç e thamë edhe ne, me situate krejtësisht të pakrahasueshme. Thamë në mënyrë shumë të saktë dhe të qëndrueshme se Kosova është një problem shumë i veçantë, se historikisht dihet se lidhet me shpartallimin e ish-Jugosllavisë, se në aspektin rajonal i takon Ballkanit Perëndimor, kurse në aspektin e qasjes dhe të synimeve i takon BE-së dhe se krahasimet e tilla janë të paqëndrueshme dhe të pavlefshme. BBC: Pra, sipas kësaj po ecim drejt dështimit të bisedimeve? Shala: Mendoj se të gjithë ata që më një gusht e kanë kuptuar përmes deklaratës së sekretarit të përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, se do të kemi një periudhë shtesë katër mujore të bisedimeve mes Prishtinës dhe Beogradit e kanë ditur fare mirë se po hyjmë në një process të ri të dështimit, për arsye se Beogradi ka qëndrime krejtësisht të papajtueshme me Prishtinën.
Qëndrimet e Beogradit madje janë sforcuar pas mëkëmbjes së bisedimeve të cilat supozohej të përfundonin me raportin dhe propozimin gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari. Prandaj, nuk është ndonjë befasi e madhe që në fillim të nëntorit kemi arritur në një stad kur jo vetëm ne por edhe anëtarët e vet Treshes, e po e përflas njërin prej tyre, pa e emëruar natyrisht, i cili tha se ai vetë i ka humbur shpresat që mund të ketë marrëveshje të negociuar mes Prishtinës dhe Beogradit. Pra, rrjedha e bisedimeve po ecën ashtu siç është paraparë, pa ndonjë befasi të madhe dhe lëkundje të mëdha dhe ne jemi të bindur se në raportin e 10 Dhjetorit, të cilin Treshja e Grupit të Kontaktit do t'ia dërgojë sekretarit të përgjithshëm Ban Ki Moon, do të konstatohet se periudha shtesë 120 ditëshe nuk ka prodhuar asnjë rezultat të ri. BBC: Zoti Shala ju e keni diskutuar mbase me Treshen edhe një dokument 14 pikësh, por tani të riformuluar nga Treshja. Në fakt, cfarë kërkohet me dokumentin e ri? Shala: Jo, ju kisha përmirësuar, nuk ka patur asnjë dokument të ri dhe propozim të ri e as ide të re nga ana e Treshes të Grupit të Kontaktit. Ka patur supozime më heret, pas takimit të kaluar se mund të ketë ndonjë dokument të ri i cili do të ecte sipër 14 pikave ose do t'i detajizonte ato, por unë po ju them sinqerisht se nuk kemi patur kurrfarë dokumenti ri. Nëntëdhjetë për qind e bisedimeve të tashme në Vjenë kanë qenë të përqëndruara në mbrojtjen e qëndrimeve të Prishtinë për pavarësinë e Kosovës dhe të Traktatit të Fqinjësisë së Mirë. Ndërkaq, Beogradi ka mbrojtur qëndrimin për autonominë e mbikëqyrur për Kosovën që tani është fuqizuar me krahasimin me Hong-Kongun ose me modelin e tij. Por në Vjenë nuk kemi patur asnjë dokument të ri nga ana e Treshes së Grupit të Kontaktit. BBC: A mund të pritet që në takimin e radhës të kemi një tjetër dokument të Treshes? Shala: Është një pikëpyetje e madhe. Rjedha e bisedimeve të deritashme e sidomos e dy takimeve të fundit në Vjenë është shumë dëshpëruese për secilin në Treshen e Grupit të Kontaktit që ka shpresuar se mund të ketë një përparim. Prandaj, jam i bindur se Treshja e Geupit të Kontaktit me shumë pikëpyetje në kokë dhe qasjen e tyre për të ardhmen është duke vazhduar mandatin për të arritur deri tek një propozim që do të ishte i mirëpritur për të dyja palët. Megjithëse na është përsëritur edhe njëherë, në mënyrë shumë të prerë, se mandati i Treshes është të jenë lehtësues të procesit apo të bisedemeve mes Prishitnës dhe Beogradit e jo që të ofrojnë një propozim krejtësisht të ri dhe jo që ta vënë në një situatë krejtësisht të palakmueshme, siç thanë edhe vetë, Prishtinën apo Beogradin. BBC: Dhe kjo nënkupton se Kosova po ecën gradualisht drejt 10 Dhjetorit dhe shpalljes së njëanshme të pavarësisë? Shala: Kosova do të ecë drejt përfundimit të periudhës shtesë të angazhimit, të cilën ne e kemi pranuar pikërisht për shkak se kemi menduar se do të japim një kontribut për krijimin e një konsensusi në BE. Mendoj se ky qëllim po arrihet gradualisht dhe siç e dini në nëntor të këtij viti disponimi i shumicës dërrmuese të shteteve të BE-së, ka ndryshuar për të mirë. Pra, thuaj të gjitha shtetet e BE janë të gatshme ta pranojnë shtetin e Kosovës edhe poqese nuk do të ketë Rezolutë në KS të OKB-së. Një gjë e tillë nuk ka qenë në qershor e korrik të këtij viti. Por e jona është që të përgatitemi në të gjitha mënyrat që pas 10 Dhjetorit të ecim bashkarisht me SHBA-në dhe BE-në në krijimin e njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës. BBC: Dhe së fundi, Beogradi zyrtar ka paralajmëruar se mund të mbajë zgjedhjet presidenciale në janar të vitit të ardhshëm. A mund të ndikojë kjo në procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës? Shala: Beogradi do të mundohet, ashtu siç ka bërë edhe deri më sot, që në të gjitha mënyrat e mundshme që ta zvarrisë dhe ngadalësojë procesin dhe mundësisht ta shtyjë procesin për 100 vitet e ardhshme. Mendoj se disponimi, me sa dimë ne, i diplomacisë perëndimore është fare inekzistent, nëse mund ta them kështu, që çfarëdo justifikimi të bëj për ta shtyrë procesin e zgjidhjes së statusit të Kosovës. Derisa në vjeshtën e vitit 2006 kur ndodhi shtyrja e parë shumica e vendeve të BE-së, përfshirë këtu edhe zyrën e përfaqësuesit të lartë zotit Solana, ishte favorizuese për mbajtjen e zgjedhjeve dhe për krijimin e një justifikimi për shtyrjen e statusit, tani jam i bindur se është shumë i vogë numri i diplomatëve perëndimorë të cilët mendojnë se për shkak të zgjedhjeve presidenciale në Serbi duhet të shtyhet statusi i Kosovës. Pas 10 Dhjetorit, nuk ka tjetër periudhë pos periudhës së marrjes së një vendimi nga perëndimi dhe ajo periudhë po vjen. Jam i bindur se me ditë e javë dhe jo me muaj do të matet koha kur do të merret vendimi për njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e SHBA-së dhe nga shtetet e BE-së. | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza Shqiptarët dhe serbët në takimin e rradhës 05 nëntor 2007 | Rajoni Afati 10 dhjetor vendimtar për statusin02 nëntor 2007 | Rajoni Bisedimet e Vjenës pa rezultat23 tetor 2007 | Rajoni Bisedimet e Vjenës përfundojnë me dallime23 tetor 2007 | Rajoni Dokument 14 pikësh diskutohet në Vjenë22 tetor 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||