|
Rucker flet për zgjedhjet e nëntorit | |||||||||||||||||||||||
Shefi i misionit ndërkombëtar në Kosovë, Joackim Ruecker i ka bërë thirrje Beogradit zyrtar që të mos pengojë serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet e 17 Nëntorit. Në një intervistë me BBC-në ai ka thënë se Beogradi duhet të inkurajojë serbët të votojnë ndërkohë që këta të fundit duhet të marrin pjesë në zgjedhje për të ndikuar në përmirësimin e jetesës së tyre në Kosovë. Joackim Ruecker ka pohuar se nuk beson që zgjedhjet do të pengojnë procesin e zgjidhjes së statusit dhe ka shtuar se në rast të kundërt ai do të rivlerësojë vendimin për zhvillimin e tyre. Sipas tij, udhëheqësit kosovarë kanë premtuar se do të vazhdojnë të jenë të bashkuar dhe pas zgjedhjeve në një afat të shkurtër do të mbledhin kuvendin dhe do të formojnë qeverinë. Arbër Vllahiu bisedoi me zotin Ruecker dhe fillimisht e pyeti nëse është koha e duhur për të mbajtur zgjedhje: Ruecker: Po zgjedhjet do të mbahen në nëntor dhe mendoj se duhet ta lejojmë që demokracia të ecë në rrugën e saj, natyrisht duke nënkuptuar këtu se ato nuk duhet të ndërhyjnë në procesin e statusit. Pra duhet që të dy proceset të jenë në pajtueshmëri me njëra tjetrën. Nëse kjo nuk do të ndodhë ne do ta rivlerësojmë vendimin tonë, por unë mendoj se të gjithë janë shumë të përkushtuar që të kemi të dyja proceset paralelisht dhe që të zhvillojmë zgjedhjet në nëntor ashtu siç janë paraparë me ligj. Kjo sepse e dini se mandatet e Kuvendeve komunale dhe të Kuvendit të Kosovës do të skadojnë deri atëherë. BBC: Zoti Ruecker ju keni thënë në vendimin tuaj se do të mund ta rivlerësoni atë nëse zgjedhjet pengojnë procesin e zgjidhjes së statusit. A ka ndonjë afat të fundit kur ju mund ta bëni një gjë të tillë? Ruecker: Nuk ka ndonjë qëllim që të merret një hap i tillë. Unë mendoj se të dyja proceset janë në pajtim me njëra tjetrën. Ekipi i Unitetit ka premtuar se do të jetë i bashkuar dhe se do të angazhohet në mënyrë konstruktive dhe me besim të plotë në këto bisedime gjatë kësaj periudhe deri më 10 Dhjetor. Unë nuk kam asnjë arsye që të mos besoj se këto dy procese do të ecin paralelisht. Gjithashtu është shumë e qartë se edhe institucionet do të mbeten funksionale gjatë kësaj periudhe, ose të paktën në një shkallë maksimale, se Kuvendi i ri do të mblidhet relativisht shpejt si dhe qeveria e re do të formohet shumë shpejt. Mendoj prandaj se të dyja proceset janë në binarë të drejtë. BBC: Por shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, i ka deklaruar BBC-së se mbajtja e tri palë zgjedhjeve është një plan shumë ambicioz. Ruecker: Është e ditur se kemi një afat shumë të ngushtë dhe nuk e vë në dyshim këtë. Sfida e parë është që më 12 shtator kur unë besoj se të gjitha subjektet politike i kanë dorëzuar listat e tyre me kandidatë, në një shkallë të kënaqshme të cilësisë dhe sasisë. Është sfidë që të përmbushen afatet por unë mendoj se gjërat po ecin si duhet dhe se ne do të mund të kemi zgjedhje më 17 nëntor. Ka disa elemente të reja në këto zgjedhje, si listat e hapura dhe votimi i drejtpërdrejt për kryetarë komunash por çdo gjë është e mundur. Do të ketë një fushatë vetëdijësimi, qytetarët do të kenë mundësinë që të mësojnë se si funksionon kjo dhe nuk është aq shumë e komplikuar si dhe do të shohin vendvotimet si dhe se si kryhen votimet. BBC: Zoti Ruecker a mendoni se do të ketë një numër të madh të votuesve që do të dalin në votime, marrë parasysh këtë kohë kaq të shkurtër për votime? Ruecker: A po sugjeroni se sa më shumë që njerëzit të dinë për zgjedhjet më heret aq më shumë do të ketë votues. BBC: Le të themi po… Ruecker: Por qytetarët e kanë ditur tash e një kohë se do të ketë zgjedhje sepse ato janë paraparë me ligj. Dhe partitë e kanë ditur këtë. Nëse vlerësimi juaj është i drejtë se sa më gjatë që njerëzit të dinë për këtë proces aq më shume marrin pjesë atëherë mendoj se kjo është në rregull. Por mendoj se kjo varet edhe nga faktorë të tjerë përfshirë këtu edhe kushtet atmosferike. BBC: Beogradi nuk është pajtuar për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje. Cili është mendimi juaj për këtë qëndrim të Beogradit? Ruecker: Mendoj se një numër i konsiderueshëm i partive politike serbe që përfaqësojnë elektoratin serb, i kanë dorëzuar listat e tyre që sot dhe kjo është pritur. Çështje tjetër është pjesëmarrja dhe këtu unë besoj se Serbia ose Beogradi do të inkurajojë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këto zgjedhje dhe do të pushojnë së bojkotuari institucionet e Kosovës. BBC: Por çka nëse vazhdojnë të bojkotojnë zgjedhjet në Kosovë? Ruecker: Unë nuk dua që të jem pesimist dhe nëse ndodh kështu mendoj se do të ishte një gabim. BBC: Por Beogradi zyrtar ka thënë se nuk është koha për të marrë pjesë në zgjedhje dhe se kosovarët nuk kanë përmbushur standardet për të zhvilluar zgjedhjet? Ruecker: Unë nuk e di se çfarë mendon Beogradi me këtë dhe jam i bindur se bashkësia ndërkombëtare do ta pyes Beogradin për këtë. Qëndrimi ynë është se serbët e Kosovës duhet të marrin pjesë dhe se Beogradi duhet të ndalojë që të dekurajojë por në të kundërtën t'i inkurajojë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje. Kjo është e njëjtë si në lojë të futbollit: nuk mund të ndikohet mbi rezultatin nëse qëndrohet jashtë lojës. Duhet të angazhoheni dhe të luani. BBC: Nëse këto zgjedhje do të kenë ndonjë shenjë të pengesave, a mund të pritet që ju të ndërhyni dhe të përdorni pushtetin tuaj? Ruecker: Unë nuk e di se kujt i referoheni këtu. Por këto zgjedhje do të jenë transparente, të mbikëqyrura dhe të vëzhguara nga Këshilli i Evropës, që është pajtuar të angazhohet në këto zgjedhje. Ato do të organizohen nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe Sekretariati, të mbështetura nga OSBE-ja. Këto organizata kanë zhvilluar zgjedhje edhe në të kaluarën prandaj unë jam i bindur se do të bëhen. | LOKALE E ardhmja e Kosovës17 gusht 2006 | Analiza Kreu i OSBE-së i shqetësuar për zgjedhjet11 shtator 2007 | Rajoni 'Prishtina të jetë më e vendosur'10 shtator 2007 | Rajoni Diplomacia europiane diskuton për Kosovën08 shtator 2007 | Faqja Kryesore BE zotohet se do të jetë e bashkuar rreth Kosovës08 shtator 2007 | Faqja Kryesore Takimi i ardhshëm me Treshen06 shtator 2007 | Rajoni | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||