BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 11 shtator 2007 - 11:51 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kreu i OSBE-së i shqetësuar për zgjedhjet
Automjet i OSBE-së (arkiv)
Ambasadori Wnendt thotë se duhet një mbështetje ndërkombëtare.
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë dhe njëkohësisht edhe kryesues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ambasadori Werner Wnendt, i ka thënë BBC-së se është ambicioze që të zhvillohen tri palë zgjedhje brenda një afati shumë të shkurtër kohor deri më 17 Nëntor.

Ambasadori Wnendt ka tërhequr vërejtjen se paralajmërimi për mbajtjen e zgjedhjeve brenda dy muajsh do të mund të ndikonte në standardet ndërkombëtare por ka shfaqur shpresën e tij se ato do të zhvillohen pa probleme.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me ambasadorin Wnendt dhe fillimisht e pyeti se cilat janë shqetësimet e tij për zgjedhjet e sivjetme.

Wnendt: Ne e dimë se afati për zgjedhjet i përcaktuar nga PPSP-ja, në konsultim me Ekipin e Unitetit, për datën 17 Nëntor është shumë i ngushtë. Kjo për faktin se kanë mbetur pothuaj dy muaj që nga dita e sotme dhe për herë të parë kësaj radhe do të kemi tri palë zgjedhjesh në të njëjtën kohë.

Prandaj që ky afat i përcaktuar për shkaqe politike, të plotësojë kushtet teknike duhet që të gjithë të angazhohen seriozisht, dhe këtu përfshihen të gjitha partitë politike dhe entitetet politike.

Afati i fundit, që i pari duhet të përmbushet, është ai i 12 shtatorit kur partitë dhe subjektet politike duhet të aplikojnë për çertifikim për të marrë pjesë në zgjedhje.

Ato duhet të kenë listat me emrat e kandidatëve për deputetë në Kuvendet komunale dhe atë Qendror si dhe listat me emrat e kandidatëve për kryetarë të komunave që zgjidhen drejtpërdrejt.

Prandaj shumë shpejt ne do të kuptojmë se sa shumë përkrahje mund të presim. Kjo për faktin se nëse gjërat nuk bëhen ashtu si duhet atëherë do thënë se çdo shtyrje tjetër do të komplikonte gjërat edhe më shumë.

Dhe natyrisht se na duhet një mbështetje ndërkombëtare, financiare dhe të personelit.

BBC: Ambasador ju e keni takuar Ekipin e Unitetit që ka vendosur për zgjedhjet së bashku me bashkësinë ndërkombëtare. A i keni ngritur të njëjtat shqetësime me ta ashtu si i ngritët tani?

Wnendt: Unë nuk kam qenë në takimin e fundit kur PPSP-ja ka diskutuar me Ekipin e Unitetit çështjen e datave, por para kësaj unë i kam takuar ata dhe gjithashtu edhe përfaqësuesit e subjekteve politike dhe që atëherë unë i kam përmendur shqetësimet për afatet shumë të ngushta si dhe kompleksitetin e zgjedhjeve.

Dhe gjithashtu u kam sqaruar atyre se çfarë do të thotë kjo si dhe se duhet një bashkëpunim i plotë dhe gatishmëri për të bërë gjëra që do të ecin përpara sa i përket zgjedhjeve.

 Nëse nuk do të përmbushen standardet atëherë natyrisht se kjo do të shihet si një hap prapa për procesin
Werner Wnendt, ambasador i OSBE-së

BBC: Por nëse këto zgjedhje nuk do të jenë të nivelit të mëhershëm, atëherë cilat do të jenë pasojat me të cilat do të përballet Kosova, pasi ju ngritët këto shqetësime?

Wnendt: Përkundër faktit se kemi afate të ngushta dhe gjithashtu edhe do të bëjmë tre palë zgjedhje, ne do të shpresojmë se ato, me mënyrën se si do të zhvillohen, do të përmbushin standardet ndërkombëtare që edhe ashtu ekzistojnë këtu.

Ne gjithashtu do të kemi vëzhgues ndërkombëtarë dhe ata lokalë që do të vëzhgojnë zgjedhjet. Nëse nuk do të përmbushen standardet atëherë natyrisht se kjo do të shihet si një hap prapa për procesin.

Ju e dini se bashkësia ndërkombëtare së bashku me institucionet lokale për tetë vjet më radhë kanë punuar në forcimin e sistemit demokratik në Kosovë dhe ne kemi arritur shumë në të kaluarën.

Dhe po them mospërmbushja e standardeve në zgjedhje nënkupton kthim prapa. Por unë jam i bindur dhe të gjithë pajtohen si dhe të gjithë po punojmë së bashku për të përmbushur ato.

BBC: Marrë parasysh se PPSP-ja ka thënë në vendimin e saj se do të mund të rishikojë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve, atëherë a ekziston një mundësi e vetme që ju ta këshilloni atë që të shtyjë zgjedhjet, posaçërisht ato qendrore, nëse e shihni të domosdoshme?

Wnendt: Kur PPSP-ja ka paralajëmruar mbajtjen e zgjedhjeve i ka nënvizuar një numër kushtesh që duhet të përmbushen dhe një nga çështjet e rëndësishme është ajo politike që ndërlidhet me procesin e bisedimeve për statusin.

 Mospërmbushja e standardeve në zgjedhje nënkupton kthim prapa. Por unë jam i bindur dhe të gjithë pajtohen si dhe të gjithë po punojmë së bashku për të përmbushur ato
Werner Wnendt, ambasador i OSBE-së

Natyrisht se në aspektin politik është e mundshme që të ketë zhvillime që do të shtynin PPSP-në ta rivlerësojë vendimin e saj. Por në aspektin teknik ne dhe kjo nënkupton Komisioni Qendror Zgjedhor, dhe unë jam kryesues i tij, pra ne do ta informojmë PPSP-në dhe nëse është e domosdoshme edhe Ekipin e Unitetin, për zhvillimin e këtij procesi dhe ne do të dërgojmë paralajmërime të hershme nëse ndonjë gjë shkon keq.

Prandaj ai do të ketë kohë të mjaftueshme për të vendosur se çfarë do të bëjë.

BBC: Ambasador të jemi të qartë. A e keni të mjaftueshme kohën e caktuar për të mbajtur zgjedhjet apo jo?

Wnendt: Mendoj se Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Sekretariatin në radhë të parë, ne si OSBE i kemi ndihmuar në forcimin dhe zhvillimin e këtyre institucioneve që janë përgjegjëse për zgjedhje dhe prandaj i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të diskutojë çështjet praktike dhe teknike.

Nëse më pyesni mua si kryesues të këtij organi, mendoj se është shumë ambicioze të zhvillojmë tri palë zgjedhje brenda një paralajmërimi aq të shkurtër.

Por sërish është e mundshme të bëhet nëse çdo gjë shkon mirë dhe nëse kemi një përkrahje të plotë të të gjithë atyre që do të marrin pjesë në këto zgjedhje.

Kjo natyrisht përfshin edhe elektoratin, pra njerëzit që do të marrin pjesë. Ne do të kemi edhe një fushatë informative për t'i njohur qytetarët e Kosovës se si duhet të marrin pjesë në zgjedhje, se si do duhej të votojnë, se si do të duken vendet zgjedhore dhe krejt kjo do të bëhet në një afat të caktuar.

BBC: Por a nuk është kohë e ngushtë për këtë?

Wnendt: Është kohë e shkurtër por është e mundshme të bëhet.

BBC: Ambasador a mendoni se këto zgjedhje do të mund të kenë ndikim mbi procesin e statusit?

Wnendt: Nuk është detyrë e jona që të gjykojmë implikimet politike të zgjedhjeve. E përmenda se PPSP-ja i ka kushtëzuar në një mënyrë zgjedhjet dhe këtu ai iu referua bisedimeve për statusin e kjo mbetet të shihet.

Mendoj se i gjithë procesi, i përgatitjeve teknike të zgjedhjeve dhe i vlerësimit nga aspekti politik është një process që rrjedh. Ne së shpejti do të shohim se ku jemi me procesin e regjistrimit, do të kemi takime me Treshen dhe kjo mund ose jo të ketë pasoja për procesin zgjedhor.

BBC: Nëse ju pyes kështu: A keni patur ndonjëherë në mendjen tuaj ndonjë plan B për zgjedhjet nëse diçka shkon keq. Kur do të mund të ishte data tjetër e zgjedhjeve në këtë rast?

Wnendt: Zgjedhjet, dhe ky është fakti pse po i organizojmë ato, duhet të zhvillohen në Kosovë për shkak se mandatet e Kuvendeve komunale kanë skaduar në nëntor të vitit të kaluar dhe PPSP-ja pati vendosur që t'i vazhdojë ato për shkak të procesit të bisedimeve.

Kurse mandati i Kuvendit këtu në Prishtinë skadon në fillim të dhjetorit dhe kjo është arsyeja pse po i organizojmë zgjedhjet. Nëse për çfarëdo arsye ato nuk mund të mbahen ato duhet të zhvillohen sa më parë të jetë e mundur. Por sërish ato duhet të shikohen nga aspekti politik i bisedimeve për statusin dhe të zhvillimeve në këtë rrafsh.

BBC: Dhe më lejoni t'ju pyes zoti ambassador. Ju po e kryeni mandatin tuaj pas më shumë se dy vjetësh në Kosovë. Atëherë me çfarë përshtypjesh po ikni?

Wnendt: Do të bëhen më shumë se 2 vjet e gjysmë që kam kaluar këtu në kohën kur unë iki në fund të këtij muaji. Më duhet të them se ishte një periudhë shumë interesante.

Unë kam punuar më heret në Bosnjë. Si diplomat profesionist kam bërë shumë gjëra interesante, por periudha këtu në Kosovë, si shef i misionit të OSBE-së, ishte një prej gjërave më sfiduese që kam bërë.

Janë dy arsye për këtë. Sepse ishte një punë shumë interesante për të bërë si shef i misionit me një personel prej mijëra vetash këtu në Kosovë dhe arsyeja e dytë janë rrethanat politike në të cilat kam punuar këtu.

Megjithëse OSBE-ja nuk është një lojëtar si organizatë në procesin e statusit, por çdo gjë që ka ndodhur sa i përket statusit ka patur një ndikim mbi punën e misionit të OSBE-së dhe kjo ishte ajo që e kam dashur shumë.

Në këtë rrafsh unë shfaq keqardhjen se më duhet të iki tani por unë do ta mbaj në mend kohën që kam kaluar këtu. Shpresoj në një të ardhme të mirë dhe të ndritur për Kosovën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo në interes të të gjithëve.

LOKALE
E ardhmja e Kosovës
17 gusht 2006 | Analiza
Ruecker shpall zgjedhjet në nëntor
31 gusht 2007 | Faqja Kryesore
Zgjedhjet në Kosovë
03 shtator 2007 | Rajoni
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>