|
Shqetësime për punën e Kuvendit gjatë fushatës | |||||||||||||||||||||||
Deputetë të Kuvendit të Kosovës thonë se funksionaliteti i Kuvendit mund të vihet në pikëpyetje gjatë fushatës zgjedhore. Kjo për shkak se, siç thonë ata, deputetët do të përqëndohen më shumë në fushatën zgjedhore, se sa në miratimin e ligjeve që lidhen me statusin e ardhshëm të Kosovës. Sipas një vendimi të UNMIK-ut, Kuvendi i Kosovës do të vazhdojë punën deri dy ditë para zgjedhjeve, që pritet të mbahen më 17 nëntor. Por deputetë të pozitës dhe opozitës thonë se në kohën kur partitë politike do të jenë të angazhuara në fushatën zgjedhore, do të jetë pothuajse e pamundur të krijohen kuorume për miratimin e ligjeve. Deputeti Naim Maloku nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se Kryesia e Kuvendit duhet të shqyrtojë seriozisht se si do të vazhdojë me nxjerrjen e ligjeve që lidhen me statusin e Kosovës në kohën e mbajtjes së fushatës zgjedhore. "Unë mendoj që gjatë kohës së fushatës është pak më vështirë që komisionet parlamentare të krijojnë kuorume dhe të shqyrtojnë ligje, por ne duhet të takohemi dhe të vendosim se si t'ia bëjmë punës së Kuvendit, si të rregullojmë funksionin e Kuvendit, nëse ai ka mandate deri ditën e zgjedhjeve", tha zoti Maloku. Skepticizëm Ramë Buja, anëtar i Kryesisë së Kuvendit nga Partia Demokratike në opozitë thotë se UNMIK-u dhe Ekipi Negociator i Kosovës kanë anashkaluar Kuvendin kur kanë marrë vendim për vazhdimin e mandatit të institucioneve vendore deri dy ditë para mbajtjes së zgjedhjeve. Deputeti Buja është skeptik për funksionalitetin e legjislativit kosovar gjatë fushatës zgjedhore. "Se sa mund të veprojë Kuvendi demokratikisht është vërtetë shumë problemore, sepse për faktin që do të jesh në fushatë dhe në Kuvend do të bësh atë punë që duhet domosdoshmërisht ta bësh. Kemi hyrë në një fazë pak të çuditshme të procedimit të ligjeve, ne kemi leximin e parë të ligjeve më 14 shtator dhe procedura në Komisione nuk mund të kryhet pa 2-3 muaj. Duhet të konsultohemi në mënyrën më të mirë që të përmbyllim ato ligje, sepse po t'ia lëmë legjislaturës që do të vijë, ajo do t'ia nisë prej fillimit", tha deputeti Buja. Ilir Dugolli nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave thotë se përparësi për deputetët kosovarë gjatë fushatës zgjedhore do të jetë joshja e qytetarëve për të votuar partitë e tyre e jo nxjerrja e ligjeve në Kuvendin e Kosovës. Megjithatë analisti Dugolli beson që Kuvendi do të vazhdojë punën e vet, por me aktivitet më të ulët. Sipas tij ekziston rreziku për nxjerrjen e ligjeve jokualitative në Kuvend gjatë kohës sa do të mbahet fushata zgjedhore. "Është një e keqe tjetër. Kuvendi mund të nxjerrë ligje të cilësisë së dobët në nguti për t'i bërë sa më shpejtë dhe sa për sy e faqe. Kështu që nuk mund të pritet ndonjë aktivitet i madh, nuk mund të priten ligje të shumta e të mira. Në fund të fundit, vëmendja e deputetëve do të jetë diku tjetër dhe detyrat e caktuara nga partia që i ka vendosur aty, do të jenë në komunikim me qytetarët në përpjekje të joshjes së tyre. Prandaj nuk mund të presim punë të madhe nga Kuvendi", tha analisti Dugolli. Nga ana tjetër, deputetët e Kuvendit të Kosovës besojnë se fushata zgjedhore nuk do të ndikojë në acarimin e raporteve mes tyre. "Por kjo mbetet të shihet," thotë deputeti Naim Maloku nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. "Mendoj se fushata zgjedhore nuk do të ndikojë në ashpërsimin e raporteve brenda partive dhe grupeve parlamentare, por edhe këtë duhet ta provojmë", tha ai. Ndërkaq Gazmend Muhaxheri nga Partia Ora, beson në atë që ai e quan profesionalizëm të deputetëve. Ai shprehet i bindur se Kuvendi do të funksionojë në mënyrë normale edhe gjatë fushatës zgjedhore. "Deputetët janë profesionalistë dhe e dinë që detyrat e tyre janë të punojnë në nxjerrjen e ligjeve derisa t'i pushojë mandati kësaj përbërje", u shpreh deputeti Muhaxheri. Por kështu nuk mendon analisti Ilir Dugolli. Ai pret që gjatë fushatës zgjedhore të kenë përplasje ndërmjet forcave politike e, rrjedhimisht, edhe ndërmjet deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, sipas zotit Dugolli, acarimi i gjuhës politike në kohën e fushatës zgjedhore është pjesë e lojës demokratike që zhvillohet në të gjitha vendet. "Përplasje ka pasur gjithmonë mes partive politike, por në kohën e fushatës zgjedhore përplasjet do të jenë më të mëdha dhe më të dukshme, mirëpo kjo është pjesë e një procesi demokratik dhe nuk ka diçka të jashtëzakonshme ose të rrezikshme në të. Është çmim të cilin duhet gjithsesi ta paguajmë si pjesë e procesit të ndryshimit të udhëheqësisë ose konfirmimit të atyre që janë zgjedhur", tha zoti Dugolli. Për herë të parë sipas një vendimi të UNMIK-ut dhe Ekipit Negociator të Kosovës, institucionet vendore do të kenë mandat deri dy ditë para zgjedhjeve. Ky vendim është marrë, siç thuhet, për të mos krijuar boshllëk institucional në këtë kohë të rëndësishme për të ardhmën e Kosovës. | LOKALE Zgjedhjet në Kosovë03 shtator 2007 | Rajoni Ruecker shpall zgjedhjet në nëntor31 gusht 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||