|
Ruecker shpall zgjedhjet në nëntor | |||||||||||||||||||||||
Zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale në Kosovë do të mbahen më 17 nëntor paralelisht me procesin e zgjidhjes së statusit. Kështu ka vendosur shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Joachim Ruecker, pas takimit me Ekipin Negociator të Kosovës. Autoritetet thanë se statusi mbetet përparësia kryesore për Kosovën dhe paralajmëruan mundësinë e shtyerjes së zgjedhjeve nëse ato e pengojnë procesin e statusit. Zoti Ruecker tha se vendimi për mbajtjen e zgjedhjeve bazohet në disa kushte të cilat duhet t'i plotësojnë subjektet politike. "Partitë duhet të respektojnë të gjitha afatet teknike, përfshirë afatin për dorëzimin e listave të kandidatëve, së dyti partitë politike nuk do të veprojnë në atë mënyrë që e pengon procesin e statusit dhe së treti Ekipi Negociator do të qëndrojë së bashku dhe do të angazhohet në mënyrë konstruktive deri në përfundim të procesit për zgjidhjen e statusit të Kosovës," tha zoti Ruecker. Zgjedhjet do të mbahen sipas sistemit me lista të hapura dhe partitë politike duhet të marrin së paku 5 përqind të votave për të siguruar përfaqësimin e tyre në parlament. Kjo kuotë nuk vlen për subjektet politike të pakicave, të cilat kanë vende të rezervuara ne Kuvendin e Kosovës. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||