BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E enjte, 20 shtator 2007 - 15:54 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Kharchenko: Treshja në unison për bisedimet
Treshja negociuese për statusin e Kosovës, (Kharchenko në mes)
Treshja inkurajon palët të bëjnë propozime
Përfaqësuesi rus në treshen ndërmjetëse në bisedimet e statusit të Kosovës midis Prishtinës dhe Beogradit thotë se ata i kanë inkurajuar palët gjatë takimeve në Londër që të paraqesin propozime konstruktive lidhur me statusin.

Aleksandr Botsan-Kharchenko tha se sugjerimet për ndarje territoresh janë përjashtuar si alternativa.

Ai tha gjithashtu se plani Ahtisaari nuk është bazë e negociatave të tanishme.

Sipas zotit Kharchenko, në fund të periudhës 120-ditore, Treshja do t'i paraqesë një raport sekretarit të përgjithshëm të OKB-së dhe pastaj Këshilli i Sigurimit do të vendosë si të vazhdohet më tej.

Ilir Nishku bisedoi me zotin Kharchenko. Filimisht, duke folur edhe për shërbimin rus të BBC-së, ai tha se çështja e Kosovës përbën një precedent të një konflikti të armatosur.

Zoti Kharchenko:Qindra faqe mund të shkruhen që nuk do të ishte një precedent për të tjerët në këtë situatë, ne kemi fakte konkrete që tregojnë se çfarë ndodh në disa rajone të ish-Bashkimit Sovjetik. Ne e dimë mirë se Kosova mbetet ende një shembull dhe precedent i një zone të konfliktit të armatosur dhe natyrisht që është interes kryesor i Rusisë.

BBC: Çfarë ndodh nëse Kosova shpall pavarësinë. Cili do jetë pozicioni i Rusisë, duke konsideruar edhe shembuj të tjerë në ish-Bashkimin Sovjetik?
Zoti Kharchenko: Për sa i përket precedentit ju thashë atë që doja të thoja. Unë theksova tashmë se kjo duhet shqyrtuar me kujdes dhe duhet të përfshihet opinioni i lartë i Rusisë, sepse sigurisht ky precedent do të ketë një kuptim negativ për Rusinë dhe nëse ngjarje të ngjashme ndodhin në Rusinë, Rusia duhet të ndërmarrë hapa të caktuar, por le të mos flasim se çfarë mund të ndodhë sepse ne po shkojmë tepër larg.

 siç qëndrojnë gjërat tani nga ana konceptuale pozicionet si të Beogradit ashtu edhe të Prishtinës mbeten diametralisht të kundërta, por nuk mund të them, si anëtar i Treshes, se jemi të dekurajuar.
Aleksandr Botsan Kharchenko, përfaqësuesi rus në Treshe

BBC: Pas takimeve këto ditë në Londër duket se qëndrimet e të dy palëve Prishtinës dhe Beogradit, janë diametralisht të kundërta...
Zoti Kharchenko: Treshja pati dy takime, njërin me delegacionin serb dhe tjetrin ishte dje (të mërkurën) me ekipin negociator të shqiptarëve të Kosovës, Ekipin e Unitetit siç e quajnë ata. Thjesht, jam dakord, se siç qëndrojnë gjërat tani nga ana konceptuale pozicionet si të Beogradit ashtu edhe të Prishtinës mbeten diametralisht të kundërta, por nuk mund të them, si anëtar i Treshes, se jemi të dekurajuar. E shoh, e ndjej, se gjerat po lëvizin. Këto sesione në Londër janë në përgatitje të ngjarjeve shumë të rëndësishme të Nju Jorkut, dua të them takimi ministrorl i Grupit të Kontaktit, dhe ditën tjetër takimi i parë ballë për ballë i caktuar për 28 dhjetor.

Kështu që, sa i përket parapërgatitjeve të Treshes, ne jemi të kënaqur. Që të dyja palët na kanë siguruar se do të mbeten të përkushtuara në procesin e negociatave, dhe do të sillen në mënyrë miqësore dhe konstruktive në pritje të sesionit ballë për ballë. Unë besoj se ne do të dalim të kënaqur. Treshja mban shpresa të fuqishme se takimi i parë i palëve do të ketë rezultate të mira. Unë besoj se takimi i parë do të hapë shumë diskutime midis palëve në muajt tetor dhe nëntor.

BBC: Çfarë do të bëni ju për të afruar pozicionet e të dy palëve, sepse ato po qëndojnë në pozicionet e tyre, Kosova do pavarësi dhe asgjë më pak, ndërsa Serbia thotë se mund të lejojë çdo gjë por jo pavarësinë? Pra, cila është mënyra që t'i afroni ato?
Zoti Kharchenko: Siç e dini, për momentin, Treshja nuk ka dëshirë të paraqesë propozime, kështu që ne u kemi bërë thirrje palëve të paraqesin propozimet e tyre me qëllimin për të arritur kompromis, të mendojnë ide krijuese dhe konstruktive, mund të them ide të reja, që mund të provokojnë një qëndrim konstruktiv nga pala tjetër.

BBC: A mendoni se idetë e hedhura në këto bisedime ishin konstruktive?
Zoti Kharchenko: Preferenca ime është se nuk më pëlqen të diskutoj për tituj apo etiketa. Mua do të më pëlqente të shihja thelbin. Mund të them se tani ne, Treshja, me palët po ekzaminojmë aspekte të hollësishme të pozicioneve të Beogradit dhe Prishtinës. Ne po përpiqemi të shqyrtojmë të gjitha hollësitë për të parë pika ku mund të bashkohen për të ardhmen. Pra, dua ta përsëris se ne si Treshe nuk duam të përqëndrojmë vëmendjen tek etiketat dhe u kërkojmë palëve t'i lënë mënjëanë etiketat dhe të kemi diskutime më të hollësishme për thelbin.

 Gjatë fazës së tanishme të procesit të negociatave, apo procesit të statusit, propozimi Ahtisaari nuk është bazë për negociata.
Aleksandr Botsan-Kharchenko, përfaqësuesi rus në Treshe

BBC: A ka kohezion në Treshe. Siç e dimë, në Treshe përfaqësohen pozicione ekstreme, amerikanët që thonë se pavarësia është rezultati përfundimtar, dhe rusët që thonë se duhet të ketë një rezultat për të cilin është rënë dakord nga palët, dhe BE-ja në mes...
Zoti Kharchenko: Po besoj që ka. Ju keni të drejtë, gjatë diskutimeve shumë të vështira dhe ndoshta të tensionuara në Këshillin e Sigurimit, pati shumë mosmarrëveshje, në Grupin e Kontaktit, pra në mesin e anëtarëve të Grupit të Kontaktit, midis anëtarëve të Këshillit të Sigurimit, por shikoni, ne pas diskutimeve ramë më në fund dakord që të fillojmë këtë proces të ri negociatash dhe i qëndrojmë fortë dhe me këmbëngulje këtij objektivi të përbashkët për të arritur në një zgjidhje me bazë kompromisi që është sigurisht e vetmja zgjidhje që mund të çojë në stabilitet për rajonin dhe drejt një zgjidhjeje të mirë dhe të qëndrueshme për statusin e ardhmë të Kosovës. Një vlerësim të shkurtër për Treshen: unë besoj se mbi këtë bazë ne mundëm të zhvillojmë dhe vendosim një bashkëpunim të mirë në Treshe me kolegun tim Ischinger të BE-së dhe ambasadorin Wisner të SHBA-së.

BBC: Çfarë do të ndodhë pas 120 ditëve? A do të shkojë çështja përsëri në Këshillin e Sigurimit?
Zoti Kharchenko: Pyetje interesante dhe kyçe, ndoshta. Kam disa pika të shkurtra si përgjigje ndaj kësaj çështjeje kyçe. Së pari, preferenca ime është të përqëndrohemi në procesin që po vazhdon pa u përfshirë thellë në vlerësime se çfarë do të ndodhë nëse negociatat dështojnë. Detyra ime, objektivi im, është që të arrijmë rezultat, të gjejmë një kompromis. Prandaj unë po përqëndrohem në atë që po ndodh tani.

BBC: Pra, a do të përfshihet përsëri Këshilli i Sigurimit?
Zoti Kharchenko: Pika e dytë, do të dëshiroja të përsërisja një fjali kyçe të mandatit të Treshes, Treshja do të përgatisë dhe paraqesë nëpërmjet Grupit të Kontaktit një raport tek Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së sipas kërkesës së tij, deri më 10 dhjetor. Pikë. Kjo është ajo që unë dij, dhe që kam në mendje. Prandaj, se çfarë mund të ndodhë më vonë Këshilli i Sigurimit do të marrë vendime.

BBC: Ka pasur sugjerime që kanë rrjedhur në media lidhur me zgjidhje të mundshme si ndarja e territoreve, apo konfederata. Kosovarët theksojnë planin Ahtisaari. A po i shqyrton Treshja këto, a i keni disktuar ato, apo, a kanë ardhur palët me ndojë sugjerim lidhur me këto ide?
Zoti Khrachneko: Së pari për ndarjen. Historia njihet mirë. Ne i pyetëm palët, analizuam pozicionet e palëve lidhur me ndarjen e territoreve. Kjo nuk është e pranueshme as për Beogradin as për Prishtinën, kështu që nuk është në tavolinën e diskutimeve të drejtuar nga Treshja. Prandaj do të dëshiroja të kujtoja parimet drejtuese të Grupit të Kontaktit, në të cilat kjo alternativë është e përjashtuar. Pra, ky opsion nuk është mbi tryezë në këtë moment.

Së dyti, ide të tjera. Ne i ftojmë palët të përgatisin ide krijuese, që ata mund të parashtrojnë çfarë të duan, që të mund të na drejtojnë ne, Treshen, dhe palët drejt kompromisit, drejt një zgjidhjeje me bazë kompromisi. Pra ne nuk përjashtojmë asnjë zgjidhje të mirë.

Lidhur me propozimin e gjithanshëm të Ahtisaarit, siç e dini ndoshta, ne jemi në marrëveshje në Treshe në këtë pikë. Plani Ahtisaari u paraqit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Pra në parim, një propozim i gjithanshëm ekziston. Por tani, gjatë fazës së tanishme të procesit të negociatave, apo procesit të statusit, propozimi Ahtisaari nuk është bazë për negociata. Pra, ne e dijmë se ky propozim u diskutua në Këshillin e Sigurimit. Ky propozim nuk i jep Këshillit të Sigurimit bazë për kompromis dhe rezolutë të Këshillit të Sigurimit sepse kjo nuk është e bazuar në konsensus midis Beogradit dhe Prishtinës. Pra nuk është bazë për këto negociata. Dhe ne nënvizojmë se palët mund të përgatisin dhe sugjerojnë alternativa lidhur me propozimin e statusit. Që ta përmbledh, besoj se e isha i qartë, se nuk ka asnjë konkluzion që merret si i qenë dhe kjo pikë është thelbësore në pozicionin e Trojkës.

LOKALE
Ischinger: Kompromisi i mundshëm
19 shtator 2007 | Faqja Kryesore
Sejdiu këmbëngul në pavarësinë e Kosovës
18 shtator 2007 | Faqja Kryesore
Traktat për 'fqinjësi të mirë' me Serbinë
17 shtator 2007 | Faqja Kryesore
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>