|
Sejdiu këmbëngul në pavarësinë e Kosovës | |||||||||||||||||||||||
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha në Prishtinë se pavarësia e Kosovës është ende në axhendën ndërkombëtare. Duke folur para nisjes për në Londër ku udheheqja kosovare do të takohet me Treshen ndërkombëtare zoti Sejdiu tha se Treshja nuk ka asnjë mandat të ofrojë ndonjë formulë për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Presidenti Sejdiu tha se përkushtimi i Kosovës për pavarësinë është i paalternativë. Komentet e presidentit të Kosovës pasuan një deklaratë të të dërguarit të posaçëm të BE-së për Kosovën, në kuadër të Treshes ndërmjetësuese ndërkombëtare, Wolfgang Ischinger, i cili citohet të ketë vlerësuar se Kosova ka nevojë për një mbikëqyrje të fuqishme ndërkombëtare dhe se pavarësia e saj nuk është më në axhendë. Presidenti Sejdiu tha se nuk është në mandatin e Treshes ndërmjetësuese që të ofrojë formula për zgjidhjen e statusit të Kosovës. "Unë mund të them se çështja e Kosovës është në axhendë, pavarësia e saj është në axhendë dhe do të vazhdojë të jetë në axhendë," tha zoti Sejdiu. Përkushtimi ynë për këtë është i paalternativë dhe poashtu ne kemi mbështetjen e fuqishme në këtë drejtim," tha ai. "Për ne është me rëndësi që të japim vizionin tonë plus për raportet e ardhshme midis dy vendeve tona, Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane dhe të pavarura," ka thënë presidenti. Burime ndërkombëtare në Prishtinë thanë se zyra e zotit Ischinger ka deklaruar se komentet e tij për pavarësinë e Kosovës janë keqinterpretuar nga mediat. Fqinjësi e mirë Presidenti i kosovës ka vlerësuar se Traktati i fqinjësisë së mirë me Serbinë i propozuar nga ekipi negociator kosovar do të relaksonte marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe do të ndërtonte marrëdhënie të reja mes dy shteteve. Presidenti tha se ky dokument do t'i dorëzohet Treshes ndërkombëtare dhe pala kosovare, sipas tij, do të vazhdojë bashkëpunimin me të në periudhën e angazhimeve shtesë. "Do të vazhdojmë në këtë kohë të angazhimeve shtesë, në një bashkëpunim intensiv me Treshen, e cila nuk ka mandat të jap asnjë formulë, të imponojë asnjë formulë dhe të lëshojë asnjë çështje që në një ose tjetrën mënyrë do të ishte e domosdoshme për të ardhmen," tha zoti Sjediu. "Ne e kemi shtruar vizionin tonë dhe do të vazhdojmë që të këmbëngulim në këtë qasje që është burim i vullnetit politik të popullit të Kosovës," ka thënë presidenti Sejdiu. Treshja ndërmjetësuese e SHBA-së, BE-së dhe Rusisë, u angazhua nga Grupi i Kontaktit për të vazhduar procesin negociator për 120 ditë me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për statusin e Kosovës. Takimi i Treshes me palët në Londër ndërkaq besohet se do t'i paraprijë një takimi ballë për ballë mes Prishtinës e Beogradit të paraparë të zhvillohet më 28 shtator në New York. | LOKALE Traktat për 'fqinjësi të mirë' me Serbinë17 shtator 2007 | Faqja Kryesore Ivanoviq propozon statusquo për Kosovën18 shtator 2007 | Faqja Kryesore Paraqiten kandidatët për zgjedhjet e nëntorit14 shtator 2007 | Faqja Kryesore BE zotohet se do të jetë e bashkuar rreth Kosovës08 shtator 2007 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||