BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E premte, 14 shtator 2007 - 10:52 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Paraqiten kandidatët për zgjedhjet e nëntorit

Prishtina
Janë bërë të ditur edhe kandidatët partiak për kryetar të Prishtinës
Partitë më të mëdha politike të Kosovës, LDK, PDK, AAK dhe ORA, e kanë shfrytëzuar të drejtën që të konkurrojnë me maksimumin e kandidatëve, prej 110 vetave, për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit në Kosovë.

Listës së LDK-së i prijnë presidenti aktual Fatmir Sejdiu me Eqrem Kryeziun, Nekibe Kelmendin, Kolë Berishën, Sabri Hamitin dhe Lutfi Hazirin.

Partia Demokratike e Kosovës ndërkaq pas liderit të saj Thaçi, ka renditur Jakup Krasniqin, Flora Brovinën dhe Fatmir Limajn ndërkohë që për të parën herë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, një liste të kandidatëve i prin një politikan i cili nuk dihet nëse do të jetë i pranishëm në ditën e zgjedhjeve.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila e ka udhëhequr Qeverinë në mandatin që po përfundon, në krye të listës së saj ka vendosur Ramush Haradinajn, i cili akoma nuk e ka përfunduar procesin gjyqësor në Hagë, ku po gjykohet me akuzë për krime lufte.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se për të parën herë konkurrojnë edhe dy parti të reja politike, për të cilat tashmë vlerësohet se do ta kalojnë pragun zgjedhor prej 5 për qindësh. LDD e Nexhat Dacit, parti kjo e dalë nga një krah i LDK-së dhe Aleanca Kosova e Re e biznesmenit Behxhet Pacolli.

Të gjashtë subjektet më të mëdha politike të përmendura më sipër kanë konkurruar edhe për kryetarin e komunës së Prishtinës. Isa Mustafa, Fatmir Limaj, Genc Meraku, Ylber Hysa, Shefki Gashi dhe Ibrahim Makolli, do të jenë pjesë e garës për Prishtinën.

Pjesa më problematike për këto zgjedhje ndërkaq vlerësohet hezitimi serb për të marrë pjesë në to. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se kanë aplikuar tetë subjekte politike serbe, por liderët politikë serbë thonë se kjo nuk do të thotë se serbët kanë vendosur të marrin pjesë në zgjedhje.

Vendimi për këtë do të merret brenda katër ose pesë ditëve të ardhshme. Një vendim i tillë është vështirësuar akoma më shumë pas rekomandimeve që kanë ardhur nga Beogradi, që serbët lokal të bojkotojnë zgjedhjet për pushtetin qendror në Kosovë.

Lideri i Listës serbe për Kosovë dhe Metohi, dhe njëri prej lidereve aktual të pakicës serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviq, ka deklaruar se rekomandimi i Beogradit që serbët kosovarë të mos marrin pjesë është një rekomandim i keq.

Ai në një intervistë për radion beogradase 'B92' ka thënë se rekomandimi i kreut shtetëror serb për bojkotimin e zgjedhjeve është rekomandim i keq, sepse kjo do të thotë që ata duhet t'i bëjnë gati valixhet dhe të largohen nga Kosova.

Vlerësohet se zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe komunale, do të mund të ndryshonin krejtësisht skenën politike në Kosovë. Kjo jo vetëm për faktin se elektorati duket të jetë i pakënaqur me qeverisjen aktuale, por sepse Lidhja Demokratike e Kosovës, fituese e tre palë zgjedhjeve në Kosovë, në zgjedhjet e sivjetme hyn e ndarë në dy parti dhe pa liderin e saj historik.

Problem të ngjashëm ka edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila liderin e saj Haradinaj, e ka në Hagë dhe akoma nuk dihet nëse do t’i lejohet që të jetë i pranishëm në fushatë apo në votime.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>