BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E martë, 18 shtator 2007 - 12:04 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Ivanoviq propozon statusquo për Kosovën
Oliver Ivanoviq, Lista serbe në Kosovë
Një politikan i lartë serb në Kosovë thotë se zgjidhja e statusit duhet të presë ardhjen e një brezi të ri politikanësh.

Kryetari i Listës serbe në Kosovë, Oliver Ivanoviq, tha duke folur për BBC-në se nuk sheh mundësinë e arritjes së një zgjidhjeje të mesme për të kënaqur të gjitha palët.

Ai tha gjitahshtu se nuk ak gjasa që serbët të marin pjesë në zgjedhjet e 17 nëntorit në Kosovë.

Seladin Xhezairi bisedoi me zotin Ivanoviq.

BBC: Të martën dhe të mërkurën këtu në Londër zhvillohet edhe një raund bisedimesh për statusin e Kosovës. Çfarë prisni nga ky takim i Treshes së pari me përfaqësuesit nga Serbia e më pas ata nga Kosova?
Zoti Ivanoviq: Unë nuk ushqej ndonjë shpresë të madhe. Thjesht, mendoj se edhe njëra, edhe pala tjetër, vështirë se do të heqin dorë nga ajo që është qëllimi kryesor politik. E këto dy qëllime që kanë Serbia dhe shqiptarët e Kosovës, janë dukshëm larg njëri-tjetrit dhe nuk shoh se si mund të përafrohen ato; nuk shoh si mund të gjendet një zgjidhje e mesme. Në një situatë të tillë, thjesht, është e pamundshme të kërkohet kompromisi. Sidomos nëse ekziston kjo ngarkesa me afat. Afati është deri në dhjetë dhjetor. Unë mendoj se për arritjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës duhet te kërkohet shumë, shumë më tepër kohë dhe në këtë çështje duhet të përfshihen sa më shumë njerëz; njerëz të vullnetit të mirë dhe me pikëpamje e vizione të gjera. Ne, fatkeqësisht, nuk kemi njerëz të tillë as nga njëra anë, as nga tjetra. Prandaj, them se duhet të presim brezin e ri të politikanëve në mënyrë që të zgjidhet çështja kosovare.

BBC: Si mendoni?
Zoti Ivanoviq: Ajo nuk do të mund të zgjidhet as me shpalljen e njëanshme, madje as me njohjen e pavarësisë nga ana e fuqive të mëdha. Kjo çështje nuk do të zgjidhet kështu. Një zgjidhje e tillë vetëm se e ashpërson problemin. Herët a vonë do të kemi konflikt. Destabilizimi që do të shkaktohej me shpalljen dhe njohjen e njëanshme sigurisht që nuk do të mirëpritej në Serbi, por do të përhapej edhe në Maqedoni, në Republika Serbska dhe në gjithë Ballkanin.

BBC: Po si i shikoni kundërargumentet e palës shqiptare pro pavarësisë dhe zgjidhjes urgjente të çështjes së Kosovës?
Zoti Ivanoviq: Më falni, por kjo eshte tërësisht e pakuptueshme. Zgjidhja urgjente e diçkaje që nuk ka zgjidhje, shënon marrjen urgjente të vendimit të gabuar. Kjo është shumë e dëmshme. Mendoj se këto qëndrime janë me motivacione të pastra politike. Ato sugjerojnë përafërisht këtë - ne tani kemi rastin të bëjmë diçka, të shfrytëzojmë këtë raport të forcave, sepse nesër nuk do të na jepet rasti. Mendoj se kjo është e gabuar.

BBC: Sipas jush, cila do të ishte ajo zgjidhja më e mirë, duke marrë parasysh edhe kërkesën e shqiptarëve të Kosovës?
Zoti Ivanoviq: Mendoj se shqiptarët e Kosovës dhe Serbia kanë rënë në grackë. Janë gjetur në kurth edhe ata që përcaktuan afatet. Kjo është bashkësia ndërkombëtare që është lodhur nga çështja e Kosovës: Nuk ka zgjidhje dhe është lodhur bukur shumë, e kjo kushton shumë. Mirëpo, vetë e kanë krijuar këtë rrëmujë dhe tani duhet ta pastrojnë, ta rregullojnë. Domethënë, çështja e statusit duhet lënë anash, sepse për të nuk mund të arrihet marrëveshja, marrëveshja historike mes serbëve dhe shqiptarëve.

 Kjo është, së pari, shtyrja e zgjidhjes për statusin. Ndërkohë le të vazhdojnë bisedimet dhe të formohen institucionet që do të mund të kontrollojnë situatën në terren dhe të krijojnë kushte për investime nga jashtë. Kjo është ajo që na duhet.
Oliver Ivanoviq, lista serbe në Kosovë

BBC: A nuk mund të jetë rrugëdalja tek ndarja e Kosovës?
Zoti Ivanoviq: Kurrsesi. Kjo do të ishte vetëm një recetë që konfliktet ndëretnike të zgjidhen me krijimin e shteteve të reja dhe të ndarjeve të reja. Ndarja do të prekte automatikisht Maqedoninë; sigurisht që do të shkaktonte konflikt në Republika Serbska dhe në Bosnjë, por edhe në jugun e Malit të Zi do të kishim konflikt mes shqiptarëve dhe malazezëve dhe në veri mes serbëve dhe malazezëve. Ndarje jo, kjo do të ishte shumë, shumë e rrezikshme.

BBC: Po zoti Ivanoviq, mos mendoni vallë se do të ishte e mundshme që shqiptarët të pranojnë të mbeten të lidhur me Serbinë?
Zoti Ivanoviq: Në këtë moment, gjithësesi jo, por ata janë në protektorat, domethënë nuk kanë se çfarë të humbin. Mendoj se duhet pjesëmarrja më e fortë e Bashkimit Evropian, investimet, projektet infrastrukturore, kurse tani për tani çështja e statusit duhet lënë anash. Sepse, nuk duhet të harrojmë se problemi i Irlandës së Veriut është më i gjatë dhe shumë më i rëndë, por prapëseprapë kanë gjetur zgjidhje që të merren vesh dhe se çfarë marrëveshje të arrijnë. Kjo është, së pari, shtyrja e zgjidhjes për statusin. Ndërkohë le të vazhdojnë bisedimet dhe të formohen institucionet që do të mund të kontrollojnë situatën në terren dhe të krijojnë kushte për investime nga jashtë. Kjo është ajo që na duhet.

 Teknikisht, kjo është çështje e hapur, por pas qëndrimit unik të Qeverisë dhe Presidentit të Serbisë, mendoj se janë gjithnjë e më të vogla gjasat që në këto zgjedhje të marrë pjesë ndonjë grup njerëzish me kredibilitet dhe që gëzon respekt.
Oliver Ivanoviq, Lista serbe në Kosovë

BBC: Zoti Ivanoviq, vazhdojnë paqartësitë nëse serbët e Kosovës do të marrin pjesë ose jo në zgjedhjet e 17 nëntorit. Si e shikoni ju këtë çështje?
Zoti Ivanoviq: Teknikisht, kjo është çështje e hapur, por pas qëndrimit unik të Qeverisë dhe Presidentit të Serbisë, mendoj se janë gjithnjë e më të vogla gjasat që në këto zgjedhje të marrë pjesë ndonjë grup njerëzish me kredibilitet dhe që gëzon respekt. Ç'është e vërteta, unë nuk përjashtoj mundësinë që dikush do të marrë pjesë, por jua them me dorë në zemër, ato persona duhet të llogarisin jehonën shumë të vogël të daljes së serbëve në zgjedhje, madje më të vogël se në vitin 2004. Ato duhet të llogarisin se për shkak të daljes së vogël në zgjedhje nuk do të kenë as kredibilitetin qe kishte Lista Serbe, e cila pati individë qe gezonin kredibilitet personal. Pastaj, duhet ditur se do të ketë kontakte të dobëta me komunitetin lokal, me komunitetin serb dhe kjo praktikisht nuk do të shënojë kurrfarë kontakti me autoritetet në Beograd. Kujtoj se në kushte te tilla, kushdo që të fitojë postin e deputetit ose të ministrit nuk do të mund të presë kurrfarë suksesi.

BBC: Zoti Ivanoviq, mund të shpjegoni për dëgjuesit tanë se edhe për sa kohë do të zgjasë ky bojkot. Deri kur forcat politike të serbëve, faktorët relativë midis serbëve të Kosovës do ta dëgjojnë Beogradin?
Zoti Ivanoviq: Po, këtu ka dy elemente që kanë ndikim vendimtar në këtë: së pari, është mungesa e elitës politike serbe në Kosovë që nuk po ndërtohet e as që kultivohet. Me fjalë të tjera, autoritet serbe nuk ndihmojnë shumë për ndërtimin këtu të një elite politike që do të ishte e aftë të vendosë për të tilla çështje politike. Por në të njëjtën kohë nuk jam shumë i sigurt se edhe popullsia lokale e kupton se diçka e tillë është e nevojshme. Pjesa e dytë e përgjigjes sime për pyetjen tuaj është çështja e statusit. Kosova është një çështje aq e ndjeshme në aspektin historik e kombëtar, saqë me të do të merren të gjitha partitë politike që sado-kudo mbajnë llogari për imazhin e vet. Pra, përderisa kjo çështje mund të shfrytëzohet për këso qëllimesh, mendoj se ndikimi ka për të qenë i madh dhe në terren do të ketë një autonomi shumë të vogël për partitë politike. Dhe, arsyeja e tretë që del nga kjo, është se serbët, thënë shkurt, kanë pak dëshirë të formojnë, si të them, parti politike autoktone dhe autonome, por kryesisht kemi të bëjmë me, si të them, organizata krahinore, parti këto që selitë i kanë në Serbi, në Beograd. Ky është rezultat i hierarkisë së fuqishme partiake ku nuk ka shumë vend dhe hapësirë për mendim të lirë dhe të pavarur.

LOKALE
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>