|
Edhe një raund bisedimesh për Kosovën | |||||||||||||||||||||||
Ekipi i Unitetit shkon në Londër, për të paraqitur edhe një herë, siç thotë, qëndrimin e tij për pavarësinë si rrugë e vetme e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Udhëheqësit më të lartë të Kosovës duke përfshirë edhe liderët e dy partive më të mëdha opozitare do të paraqesin një traktat miqësie me Serbinë. Dokumenti nuk është publikuar, por thuhet se Prishtina do t’i propozojë Beogradit që të vendosin marrëdhënie të reja në fushën e qarkullimit të njerëzve dhe të mallërave, në politikën e kthimit të personave të shpërngulur nga Kosova, në lirinë e lëvizjes dhe në zbardhjen e fatit të të zhdukurve nga të dyja etnitetet. Presidedenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, i cili do t’i prijë delegacionit të Prishtinës në bisedimet e Londrës, tha se dokumenti që do të ofrojë pala kosovare është i natyrës së një traktati ndërkombëtar, që përcakton marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë në periudhën e pas statusit. Traktati i miqësisë me Serbinë, nuk është ulje e pazarit, apo gatishmëri për kompromise të tjera, përkundrazi është vendosmëri për pavarësimin e vendit dhe është ofertë miqësie për Serbinë, në periudhën e pas statusit, - ka thënë kryeministri Agim Çeku. Ai në një fjalim të përjavshëm në radio, tha se Kosova në Londër dhe kudo tjetër, është partner i barabartë me Serbinë: "Ka dy modele për zhvillimin e marrëdhënjëve me Serbinë. Modeli i parë është modeli serb i ndasive, i obstruksionit dhe i konfliktit sikurse në të kaluarën dhe modeli që ofron Kosova është një model modern dhe evropian i fqinjësisë së mirë me të gjithë fqinjët... Modeli i miqësisë me Serbinë, ose traktati për fqinjësi të mirë, nuk nënkupton amnistimin e Serbisë nga krimet e bëra në Kosovë,"- ka deklaruar kryeministri Çeku. Procesi i pajtimit, ka thënë ai, do të marrë shumë vite, por kjo nuk do të thotë se Kosova duhet të jetojë vetëm me të kaluarën dhe të mos zhvillojë marrëdhënie funksionale me Serbinë në disa fusha. Këto janë arsyet që sot dhe nesër në Londër, të bisedohet me “Trojkën ndërkombëtare,”- është shprehur kryeministri i Kosovës. Lideri i opozitës dhe anëtarë i ekipit të Unitetit, Hashim Thaçi, ka thënë se vendimi i lidershipit në Kosovë, për të ardhmen politike të vendit, do të jetë në pajtim të plotë me partnerët amerikanë dhe evropianë, por njëkohësisht edhe në përputhje të plotë edhe me përcaktimin e popullit të Kososvës. Njëri prej liderve të serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviq, për takimin e Londrës dhe procesin e vazhduar të negociatave, përgjithësit thotë se nuk shpreson shumë. "Unë nuk ushqej ndonjë shpresë të madhe. Thjesht, mendoj se edhe njëra, edhe pala tjetër, vështirë se do të heqin dorë nga ajo që është qëllimi kryesor politik. E, këto dy qëllime që kanë Serbia dhe shqiptarët e Kosovës, janë dukshëm larg njëri-tjetrit dhe nuk shoh se si mund të përafrohen ato; nuk shoh si mund të gjendet një zgjidhje e mesme. Në një situatë të tillë, thjesht, është e pamundshme të kërkohet kompromisi. Sidomos nëse ekziston kjo ngarkesa me afat. Afati është deri në dhjetë dhjetor. Unë mendoj se për arritjen e zgjidhjes së çështjes së Kosovës duhet të kërkohet shumë, shumë më tepër kohë dhe në këtë çështje duhet të përfshihen sa më shumë njerëz; njerëz të vullnetit të mirë dhe me pikëpamje e vizione të gjera. Ne, fatkeqësisht, nuk kemi njerëz të tillë, as nga njëra anë, as nga tjetra. Prandaj, them se duhet të presim brezin e ri të politikanëve në mënyrë që të zgjidhet çështja kosovare,"- i ka deklaruar BBC-së zoti Ivanoviq. Në Londër do të bisedohet më tepër për bisedimet e drejtpërdrejta të Prishtinës dhe të Beogradit qo do të mbahen në Nju Jork mëe 28 shtator, ka thënë zëdhënsja e përfaqësuesit të lartë te BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, zonja Kristina Gajak. | ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||