|
Kosovarët sfidojnë të ftohtin për të nderuar Rugovën | |||||||||||||||||||||||
Për të dytën ditë me radhë mijëra kosovarë kanë qëndruar në radhë të gjata në të ftohtin e acartë për t'i bërë homazhet e fundit presidentit Ibrahim Rugova, trupi i pajetë i të cilit është vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës. Gjatë gjithë kohës, në sheshin "Nëna Tereza", ka qarkulluar një autoambulancë dhe automjete që kanë larguar borën nga rruga. Holli i Kuvendit ka qenë i stërmbushur me burra, gra, pleq e fëmijë. Këshilli për varrimin e presidentit u ka bërë thirrje qytetarëve që, për shkak të kohës dhe temperaturave shumë të ulta, vetëm të parakalojnë në hap para trupit të pajetë të Presidentit Rugova. Këshilli ende nuk ka konfirmuar vendin ku do të prehet trupi i zotit Rugova. Zëdhënësi i presidencës, Muhamet Hamiti, ka thënë se presidenti do të varroset të enjten në Prishtinë dhe varrimi i tij do të jetë me karakter kombëtar dhe shtetëror. Jozyrtarisht njoftohet se varrimi do të bëhet në varrin e familjes Rugova në lagjen Velania, ku ndodhet edhe shtëpia e tij. Pjesëmarrje ndërkombëtare Burra shteti dhe figura të njohura botërore kanë filluar të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre në varrimin e presidentit Rugova, përfshirë shefin e diplomacisë evropiane, Javier Solana, kryenegociatorin e OKB-së në bisedimet për statusin, Martti Ahtisaari, komisionerin për zgjerim të BE-së, Oli Rehn, ministren e jashtme të Austrisë, Ursulla Plasnik. Ka konfirmuar gjithashtu pjesëmarrjen një delegacion i nivelit të lartë nga Tirana i kryesuar nga presidenti Alfred Moisiu. Pjesëmarrjen e ka paralajmëruar edhe presidenti i Sllovenisë, Janez Dërnovshek, ai i Kroacisë, Stipe Mesiç, i Maqedonisë, Branko Cërvenkovski, kryeministri i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq e të tjerë. Mediat serbe kanë cituar një deklaratë të presidentit serb, Boris Tadiç, se ai do të donte të merrte pjesë në varrimin e presidentit Rugova. Misioni i OKB-së në Kosovë ka thënë se nuk ka marrë asnjë kërkesë nga presidenti i Serbisë dhe ka shtuar se do të respektojë dëshirën e familjes së presidentit Rugova. Zyrtarët e UNMIK-ut kanë thënë se është familja Rugova ajo që do të vendosë për ceremoninë e varrimit. Masa sigurie Kontrollin për situatën e sigurisë e ka marrë në duar Shërbimi Policor i Kosovës (SHPK), i ndihmuar edhe nga policia ndërkombëtare dhe ushtarët e KFOR-it. Në shkallë vendi janë shtuar masat e sigurisë, sidomos në kryeqytet. Komandantin e SHPK-së, kolonel Sheremet Ahmeti, tha se janë marrë masat e sigurisë për mbarëvjatjen e homazheve dhe të ceremonisë së varrimit. Në sheshet kryesore në qëndrat e Kosovës dhe në ambiente familjare po vazhdon ndezja e qirinjëve, ndërsa Ministria e Shëndetësisë njofton për ngritjen e nivelit të gatishmërisë në institucionet shëndetësore gjatë mbajtjes së aktiviteteve për nder të presidentit Rugova. Zyrtarë të aeroportit të Prishtinës kanë thënë ndërkaq se me ndihmën e KFOR-it dhe të UNMIK-ut do të jenë në gjendje për të pritur delegacionet që do të marrin pjesë në ceremoninë e varrimit. Zëvendësdrejtori i aeroportit, Afrim Aziri, tha se nëse aeroporti i Prishtinës nuk do të mund të përballojë numrin e madh të fluturimeve, do të përdoret edhe aeroporti lokal i Gjakovës dhe ai ndërkombëtar i Shkupit. Zoti Aziri tha se temperaturat e ulta dhe rreshjet e borës që po bien në Kosovë përbëjnë pengesë në ofrimin e shërbimeve në aeroportin e Prishtinës, por shtoi se janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të siguruar funksionimin normal të fluturimeve. | LOKALE Homazhe për presidentin Rugova23 janar 2006 | Faqja Kryesore Skena politike kosovare pa Ibrahim Rugovën23 janar 2006 | Faqja Kryesore Evropa kujton rezistencën paqësore të Rugovës23 janar 2006 | Faqja Kryesore Reagime në Maqedoni për Rugovën23 janar 2006 | Faqja Kryesore Dhembje për Rugovën në Shqipëri22 janar 2006 | Faqja Kryesore Përkujtohet presidenti Rugova22 janar 2006 | Faqja Kryesore Shtyhet nisja e negociatave për statusin22 janar 2006 | Faqja Kryesore Reagime pas vdekjes së presidentit Rugova21 janar 2006 | Faqja Kryesore | |||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||
| ||||||||||||||||||||||||