BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 23 janar 2006 - 13:33 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Homazhe për presidentin Rugova

Homazh për Rugovën
Mijëra njerëz në rresht për të respektuar presidentin e ndjerë
Mijëra qytetarë të Kosovës po i bëjnë homazh presidentit Ibrahim Rugova, arkivoli me trupin e pajetë i të cilit është vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Arkivoli me trupin e pajetë të presidentit u vendos në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe të parët që i bënë homazh ishin kryeministri i Kosovës Bajram Kosumi me kabinetin qeveritar.

Homazh presidentit Rugova në orët e mëngjesit i kanë bërë figurat e larta politike të institucioneve të Kosovës dhe të partive politike, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përfaqësues të UNMIK-ut dhe të zyrave diplomatike të akredituara në Prishtinë.

Në mesditë, Kuvendi i Kosovës u hap për homazh për qytetarët e Kosovës, që kanë krijuar një radhë të gjatë, megjithë motin e ftohtë.

Pranë arkivolit po qëndrojnë anëtarë të familjes së ngushtë të presidentit Rugova, kurse në të dyja anët e tij janë vendosur roja nderi të Gardës së Nderit të Trupave Mbrojtëse të Kosovës.

Arkivoli me trupin e pajetë të presidentit Rugova do të qëndrojë në hollin e Kuvendit për tri ditë me radhë, ndërkaq që ceremonia e varrimit të tij është vendosur të bëhet ditën e enjte.

Rruga kryesore në Prishtinë, Nëna Tereze është mbyllur për trafik dhe të gjitha rrugët anësore që çojnë drejt rrugës kryesore janë bllokuar.

Pjesëtarët e Shërbimit Policor të Kosovës kanë marrë përsipër sigurinë në gjithë Kosovës dhe në objektet vitale janë shtuar masat e sigurisë.

Këshilli Ekzekutiv për organizimin e varrimit të presidentit Rugova ka vendosur të dielën që Kosova të mbajë 15 ditë zie, ndërkohë që nga e marta e deri të premten, mësimi në të gjitha institucionet shkollore ndërpritet.

Që nga dita e enjte, kur do të bëhet varrimi i presidentit Rugova, dhe dhjetë ditë të tjera do të pezullohen të gjitha aktivitetet sportive dhe kulturore.

Varrimi i presidentit Rugova do të bëhet në varrezat e dëshmorëve në lagjen Velania dhe në ceremoninë e varrimit pjesëmarrjen e kanë paralajmëruar personalitete të larta politike nga e gjithë bota.

GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>