BBCAlbanian.comNews image
Botuar: E hënë, 23 janar 2006 - 20:02 CET
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
Skena politike kosovare pa Ibrahim Rugovën
Dr Ibrahim Rugova, presidenti i Kosovës
Dr Rugova lë një boshllëk në skenën politike në Kosovë
Vdekja e presidentit Ibrahim Rugova vjen në një kohë vendimtare për të ardhmen e Kosovës.

Për të mësuar se çfarë ndikimi ka pasur në skenën politike kosovare vdekja e Presidentit Rugova, Gëzim Guri i seksionit shqiptar të BBC-së bisedoi me analistin e BBC-së për Evropën Juglindore Gabriel Partosh:

Partosh: Unë mendoj se ky ndikim është, deri diku, i pamatshëm.

Ai ishte një figurë dominuese në politikën kosovare.

Z. Rugova vërtetë që nuk e kishte më pozitën që kishte pasur në vitet 90-të kur ishte krejtësisht i pasfiduar, por edhe pas përfundimit të luftës, ai mbeti personaliteti politik kryesor në Kosovë.

Për më tepër, deri në vdekjen e tij ai ishte politikani që simbolizonte ëndrrën dhe aspiratat e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi.

Pikërisht për këtë lidhje të tij dhe të partisë së tij me këtë ideal, ai ishte gjatë gjithë kohës edhe udhëheqësi i kombit të tij, përveç se udhëhoqi një formacion politik që, le të themi, ishte një hap para të tjerëve.

Kjo mendoj se do të ndryshojë tani.

Këtej e tutje do të shohim më shumë një betejë mes të barabartësh të partive të ndryshme politike, sesa dominim të një force që gjithmonë favorizohej nga fakti se udhëhiqej nga babai i kombit, Ibrahim Rugova.

Pyetje: Si e parashikoni ju procesin e zgjedhjes së një pasuesi për presidentin Rugova?

Partosh: Unë pres që të ketë grindje politike, duke filluar që brenda Lidhjes Demokratike që, përgjithësisht, konsiderohet si një lëvizje me fraksione, të cilat u mbajtën bashkë me sukses në sajë të autoritetit të zotit Rugova.

Pra do të ketë nga këto, ndonëse këto fërkime mund të mos jenë publike.

Në fund të fundit, ajo që ka rëndësi, pavarësisht nëse ka edhe grindje apo fërkime të tilla, është se sa shpejt do të sheshohen dallimet, në mënyrë që ekipi negociator të kryejë funkisonin e tij, që institucionet e Kosovës të drejtohen nga udhëheqësit e zgjedhur dhe që të hidhen hapa në bisedimet për statusin.

Pyetje: Si e spegoni faktin se Lidhja Demokratike nuk ka zgjedhur një kryetar të ri të saj që prej dorëheqjes së zotit Rugova, për shkak të postit të presidentit që ai mbjati deri në vdekje?

Partosh: Unë mendoj se ky është një tregues i respektit për zotin Rugova në partinë e tij.

Ata nuk dëshironin ta shkëpusnin këtë lidhje me të.

Prandaj ai mbeti, në fakt, udhëheqësi honorifik i kësaj partie, madje në prapaskenë edhe udhëheqësi jozyrtar i saj, pavarësisht se zyrtarisht nuk ishte më kryetar i LDK-së.

Pra, njëra nga arsyet që nuk është zgjedhur ende kryetari i ri i LDK-së, ishte për të ruajtur në sytë e publikut lidhjen mes kësaj force politike dhe pasurisë së saj më të çmuar, zotit Rugova.

Së dyti, çdo përpjekje për të gjetur një kryetar të ri për LDK-në do të ishte shoqëruar me mosmarrëveshje dhe, potencialisht, mund të kishte shkaktuar përçarje, gjë që nuk e dëshironte ashkush brenda LDK-së.

Ky mund të jetë një spjegim për këtë situatë të çuditshme ku një parti ende nuk ka zgjedhur një pasues për udhëheqësin që ka dhënë me kohë dorëheqjen.

Pyetje: Udhëheqës botërorë kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një bashkëbiseduesi të denjë. Për çfarë është më e shqetësuar tani bashkësia ndërkombëtare pas vdekjes së Ibrahim Rugovës?

Partosh: Mendoj se shqetësimi më i madh është nëse mosmarrëveshjet dhe manovrat politike që konsiderohen krejt normale në rastin e vdekjes së një udhëheqësi, aq më shumë kur në këtë rast bëhet fjalë për themeluesin e idesë së pavarësisë së Kosovës, nuk gjejnë zgjidhje brenda një periudhe relativisht të shkurtër.

Nëse kjo çon në zvarritjen e bisedimeve për statusin, atëherë mund të arrijmë në një situate e cila mbart shumë rreziqe.

Në fund të fundit, shqiptarët e Kosovës duan që të kenë sa më shpejt pavarësinë e tyre dhe, sipas gjasave, ata do të marrin diçka që është shumë afër pavarësisë.

Ata janë të vetëdijshëm për këtë.

Çdo vonesë e këtij procesi mund të çojë në akte të reja dhune kundër pakicës serbe, apo ndoshta edhe kundër pranisë ndërkombëtare në Kosovë.

Ky mendoj se është rreziku kryesor.

Pyetje: Pra ju thoni se shqetësimi më i madh i bashkësisë ndërkombëtare është koha që do të duhet për të zgjedhur pasuesin e zotit Rugova dhe jo se cili do të jetë ky pasues?

Partosh: Unë mendoj kështu sepse, në fund të fundit, udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës, pavarësisht nga dallimet e shumta që kanë lidhur me taktikat apo ambiciet personale, nuk kanë thuajse asnjë dallim në faktin se të gjithë duan pavarësinë.

Shumica e tyre janë të vetëdijshëm se duhet të pranojnë një zgjidhje që është pothuajse pavarësi por, në njëfarë mënyrë, me disa kushte, pra një lloj sovraniteti i kufizuar.

Prandaj, pasuesit e zotit Rugova në postet që ai ka mbajtur, nuk pritet të përfaqësojnë ndonjë ndryshim të madh të politikave të tij.

Ndoshta ata mund të jenë më të vendosur, pasi për disa, zoti Rugova ka pasur një reputacion si një politikan i matur dhe në disa rrethana hezitues.

Problemi shtrohet se kur mund të rifillojnë bisedimet, sepse duhet të dihet se kush e drejton delegacionin shqiptar, kush është presidenti i Kosovës.

Sigurisht, i duhet lënë kohë popullit të Kosovës që t'i bëjë respektet e fundit udhëheqësit të tij.

Por, sapo të përfundojë kjo periudhë zie, do të kërkohet që të hidhen hapa dhe të shënohet progres, mundësisht, sa më shpejt.

Pyetje: Çfarë ndikimi do të ketë largimi i zotit Rugova nga skena politike në marrëdhëniet e shqiptarëve të Kosovës me Beogradin, aq më tepër që këto ditë në Vjenë pritej të fillonin bisedimet e ndërmjetësuara nga zoti Ahtisari ?

Partosh: Nuk ka ndonjë arsye që të ndikojë në marrëdhëniet me serbët sepse ata e dinë se në ekipin e shqiptarëve të Kosovës ekziston një unitet kur është fjala për strategjinë kryesore.

Sigurisht, disa zyrtarë serbë kanë shprehur shqetësim se vendin e zotit Rugova, që ishte një pacifist, mund ta zërë një politikan më militant.

Megjithatë, unë mendoj se nuk ka politikan shqiptar në Kosovë që të ketë kërkuar në këtë fazë një reagim militant ndaj qëndrimit të palës serbe apo përdorimin e forcës për arritjen e objektivit.

Kjo spjegohet me faktin e thjeshtë se shqiptarët e Kosovës e kanë kuptuar se janë shumë pranë arritjes së objektivit.

Ata do të marrin pak a shumë atë që dëshirojnë.

Prandaj them se nuk ka ndonjë rrezik të veçantë për palën serbe, përveç faktit se zvarritja e procesit të gjetjes së një zgjidhjeje për statusin, mund të ketë pajoja negative për serbët, sepse mund ta shtojë padurimin që ndjejnë shumë vetë në radhët e shumicës shqiptare të Kosovës.

LOKALE
Presidenti Rugova 1944-2006
23 janar 2006 | Analiza
GJITHASHTU
Dërgoja një mikuVersion i printueshëm
BBC ©
^^ Kthehu në krye
Arkiv
BBC News >> | BBC Sport >> | BBC Weather >> | BBC World Service >> | BBC Languages >>